Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së ka zgjatur rreth 60 minuta, por nuk kanë munguar debatet e forta. Që në fillim ka qenë deputetja e PD Albana Vokshi e cila i ka kërkuar rikthimin në grup të deputetëve të përjashtuar, por kreu i grupit Elibeaj tha se nuk mund të zhbëjë dot me vullnet personal vendime që janë marrë nga organet e partisë.
Më tej debate ka pasur mes Berishës dhe Alibeajt, për ftesën që ky i fundit mori nga maxhoranca për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Në diskutime ka hyrë dhe deputeti Dashnor Sula. Ja debati i plotë.
Vokshi kërkon të rikthehen 5 deputetët e përjashtuar në grupin e PD, ja përgjigjja e Alibeajt
Vokshi ka kërkuar nga Alibeaj që të bëjë kërkesë në Kuvend për 5 deputetët e përjashtuar, për t’u cilësuar si deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
“Jemi 5 deputetë të përjashtuar, duhet të bëni kërkesë në Kuvend”, mësohet të ketë thënë Vokshi.
Ndërkohë, Alibeaj i është përgjigjur se: “Nuk zhbëj dot me vullnet personal vendime që janë marrë nga organet e partisë”.
Kujtojmë se 5 deputetët e përjashtuar janë Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Luan Baçi. Vendimi ndaj tyre u mor pas protestës së 8 janarit, ku anëtarët e Rithemelimit zhvilluan një manifestim para selisë së PD.
“Opozita s’mund të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve”, debati Alibeaj-Berisha
Berisha i është drejtuar Alibeajt duke i thënë se është i zgjedhur i Taulant Ballës dhe jo i grupit parlamentar dhe mbahet peng.
Nga ana tjetër Alibeaj i është kthyer duke thënë se Berisha është peng.
Berisha – Alibeajt: Je i përzgjedhur i Taulant Ballës dhe nuk je i përzgjedhur nga Grupi Parlamentar. Edhe Rama s’të përfill. Të mbajnë peng. Nuk ke mandat sepse je i zgjedhur i Taulant Ballës.
Alibeaj-Berishës: Peng je ti!
Noka -Alibeajt: Mos i fol ashtu z. Berisha për moshën…
Alibeaj: Me fyerje personale mos të vazhdojë.
Berisha – Aliabeaj: Ai që ndjehet opozitar i vërtetë nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve sekrete.
Berisha: Kemi të bëjmë me një nënshtrim të opozitës që zhvillohet me e-mail dhe zarfe sekrete, vendos turpin e vetë.
Është e tëra në funksion të Edi Ramës dhe ne të bëjmë se jemi pyetur. Ka rregull për të qenë opozitë e vërtetë dhe ka rregulla shumë të qarta. Kur ai deputetëve të vetë u fut zarfin sekret, një metodë mafioze, tipike, ne s’kemi punë me të. Cilido që mendon ndryshe bën lojën e tij. Ç’punë kemi ne? Po të hapte garë dhe t’u thoshte që opozita do ta ketë presidentin atëherë do të mblidhej me opozitarët e tjerë dhe do diskutonim nëse do e pranonim apo jo.
Në këtë mënyrë vetëm në shpellat e mafies veprohet kështu. Të kujton përrallat me sumbulla të sheikëve të sulltanëve. Po përdhoset institucioni i Presidencës dhe i shqiptarëve. Nuk ke besimin në asnjë hap të PD. Je në funksion të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Sula: Të çojmë në Kuvend propozimin tonë, le ti mbesë mazhorancës turpi i zgjedhjes
Deputeti i PD Dashnor Sula është shprehur kundër bojkotimit të procese.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ai ka theksuar se koha ka treguar se nga bojkotet nuk është fituar asgjë.
Më tej ai ka propozuar që deputetët e opozitës të dërgojnë në Kuvend propozimin e tyre, duke u shprehur se vendimi i turpit le t’i mbesë mazhorancës.
“Unë nuk jam për të bojkotuar proceset. Është treguar se ne nuk kemi fituar asgjë nga bojkotet. Bojkotuam në 2014 Reformën Territoriale dhe e pamë sesi e bëri Rama. Më pas bëtë çmendurinë kolektive që dogjët mandatet dhe sërish e pat se si përfunduam si opozitë. Bëmë sërish çmendurinë me zgjedhjet lokale dhe sërish u penalizuam. E pamë në 6 mars sa e vështirë është. Ne nuk përfitojmë asgjë nga bojkotet e proceseve. Çfarë na pengon neve deputetët e opozitë që me 28 firma të çojmë propozimin tonë në kuvend. Pastaj le ti mbesë mazhorancës turpi i zgjedhjes. Tani thoni që presidenti është pa kompetenca dhe Rama e zgjedh vet se i ka votat. Po ishte marrëveshja e 21 prill 2008 që e bëri presidentin pa kompetenca që unë së bashku me disa kolegë në atë kohë votuan kundër kësaj”, ka thënë ai.
Deputetja e PD pyet Alibeajn për faqen zyrtare të PD në “Facebook”, ja përgjigjja e tij
Që nga rikthimi i Komisionit të Rithemelimit faqja zyrtare e “Facebook” të PD-së që kontrollohet nga mbështetësit e ish-kreut Lulzim Basha nuk ka publikuar fjalimet e deputetëve në seancë plenare apo komisione. Kjo gjë është ngritur si çështje dhe sot në mbledhjen e grupit, ku deputetja e PD Ilda Dhori ka pyetur Alibeajn se çfarë po ndodh me faqen zyrtare të facebook të PD. “Nuk publikohet asgjë, as fjalët e deputetëve në Parlament, as diskutimet në Komisione”, tha Dhori.
Nga ana tjetër Alibeaj është përgjigjur vetëm me një fjali të shkurtër.
“Do rregullohet”, tha ai.