Në një kohë që i gjithë fokusi i debatit ka qenë tek emri i Presidentit të ri, deputetët e opozitës, të pozicionuar qartë në krahun e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt kanë nisur mbledhjen e firmave.
Gjatë seancës së sotme është parë deputeti Gazment Bardhi i cili ka nisur mbledhjen e firmave, ku në fotot e realizuara nga LSA kishte marrë deri në 6 nënshkrime. Ai është fotografuar me dy dokumente të firmosur nga deputetët, teksa diskuton me deputetët, Flutura Açka dhe Dashnor Sula.
Panorama.al u interesua pranë deputetëve të PD-së dhe ka mësuar se nisma në fjalë, s’ka lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri, por me kërkesën e tyre për të ngritur një Komision Hetimor Parlamentar për vendimet dhe shpalljen e investitorëve strategjik.
Një ditë më parë maxhoranca i rrëzoi në Konferencën e Kryetarëve kërkesën e PD-së për ngritjen e një komisioni të përhershëm për Investitorët Strategjik, ndërkohë që propozuesit e PD-së nuk janë tërhequr, por do të paraqesin kërkesë të re për hetim parlamentar.