Një tjetër aksident në vijat e bardha ka ndodhur dje në Tiranë. Policia bën me dije se është arrestuar shoferi i mjetit i cili përplasi një 20-vjeçare në vizat e bardha, në rrugën “Ismail Qemali” dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se shoferi që ka rënë në pranga është Sadik Përpunja, ndërsa e reja për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, është bërë identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasi S. P., banues në Tiranë, dhe arrestimi i tij, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit””, thuhet në njoftimin e policisë.