BIBLIOTEKAT E BOTES SE VJETER (XI)
Nga Petrit Nika
Kostandini i Madhërishëm (Flavius Valerius Constantinus: 27 shkurt 272 – 23 maj 337), sikurse edhe Diokleciani, ishte një nga ilirët e shumtë që arritën të ngjiteshin deri në fronin e perandorit të Romës. Por ishte gjithashtu një ndër perandorët më të shquar të Romës së të gjitha kohërave, një refaormator dhe një paqëtues i botës pagane me krishtërimin e fundit të epokës së antikitetit të vonë. U lind në një familje luftëtarësh ilir të fisit dardan në Nish dhe sundoi si perandor në vitet 306 – 337, për 31 vite. Deri në fundin e sundimit të Dioklecianit kryeqyteti romak i lindjes ishte Nikomedia, por Kostandini zgjodhi një qytet tjetër për kryeqytet, Bizantin, të cilit i dha dhe emrin e tij duke e quajtur Kostandinopojë. Në personalitetin e tij ishte një person i dyzuar midis të qenit romak dhe i krishterë ne çeshtjet e besimit. Nga njëra anë respektonte krishtërimin dhe në mburojat e ushtrisë vuri shenjën e kryqit, por nga ana tjetër jetoi si romak dhe vetëm në fund të jetës e pranoi krishtërimin edhe me pagëzim.
Është e rëndësishme të theksohet kjo, sepse ky dyzim lejoi që në bibliotekën e Kostandinopojës të akumulohej gjithë dija e antikitetit, që nga librat e mbijetuara të Bibliotekës së Aleksandrisë dhe deri tek tekstet e shenjta të krishtërimit.
Si njeri i një pushteti të pakufishëm në botën e lashtë, ai la vulën e vet të lavdishme, duke lënë mbrapa dhe ndërtime të pavdekshme si Bazilika e Shën Pjetrit në Romë, Bazilika e Sën Sofisë në Kostandinopojë etj. Një nga këto vepra madhore dhe me vlerë për botën e asaj epoke ishte edhe Biblioteka Perandorake që ai themeloi në Kostandinopojë, nën shembullin e Bibliotekës Perandorake që kishte ngritur dikur para ardhësi i tij Diokleciani në Nikomedi. Biblioteka Perandorake e Kostandinopojës ishte e fundit nga bibliotekat e mëdha të botës antike. Shumë kohë pas shkatërrimit të Bibliotekës së Madhe të Aleksandrisë dhe bibliotekave të tjera antike, ajo ruajti dijen e grekëve dhe romakëve të lashtë për gati 1000 vjet.
Biblioteka perandorake u krijua përmes një dekreti perandorak nga vetë Perandori Konstandin i Madhërishëm, së bashku me ndërtesat e tjera të rëndësishme brenda kryeqytetit. Konstandini, sikurse dhe Diokleciani në Nikomedi dhe Joviani në Antioki, punësoi një administrator me emrin Lucianus, i cili administronte punët e bibliotekës perandorake. Detyrat e tij përfshinin organizimin e dorëshkrimeve sipas katalogut të bibliotekës, mbikëqyrjen e skribve në skriptorium dhe përzgjedhjen e librave që do të lexoheshin nga perandori. Pra, statusi i kreut të bibliotekës perandorake ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ai mund të ndikonte dhe udhëzonte leximin e përditshëm të perandorit.
Vëmendja e madhe e Perandorit Konstantin ndaj bibliotekës perandorake dëshmohet nga fakti se në kohën e vdekjes së tij, në vitin 337 pas Krishtit, thuhet se kishte dicka mes 6900 – 7000 libra në koleksionet e bibliotekës. Përveç kësaj ai ndihmoi në rishkrimin e veprave të lashtësisë, duke shtuar numrin e tyre dhe duke garantuar jetëgjatësinë e tyre për shekujt e mëvonshëm të Mesjetës.
Është i njohur tashmë fakti se, në Greqinë e lashtë fjala e shkruar dhe shumica e literaturës filozofike, u shkruan në papirus. Në shekujt e mëvonshëm, ndërsa papirusi filloi të dëmtohej nga koha dhe përdorimi, doli një nevojë urgjente për ta transferuar materialin nga papiruset në pergamenë dhe ky transferim filloi rreth shek. IV pikërisht në Bibliotekën e Kostandinopojës, nën kujdesin e Kostandinit të Madhërishëm.
Të parat tekste që kaluan në dhomën e skribëve ishin Shkrimet e Shenjta. Sundimtari që pasoi Kostandinin e Madh ishte përsëri një sundimtar romak me origjinë ilire nga Sirmiumi (Mitrovica e Sremit) dhe quhej Konstandini II (Flavius Julius Constantius, 7 gusht 317 – 3 nëntor 361), i cili sundoi në vitet 337 – 361. Ky perandor e çoi më tej vëmendjen ndaj bibliotekës, pasi ai e nxori nga Pallati Perandorak, ku kishte qenë deri atëherë dhe, e ndërtoi atë si godinë më vete rreth viteve 353-357. Ai gjithashtu shtoi numrin e skribëve për të kopjuar tekstet nga papirusi në pergamenë.
Sundimtari që pasoi Konstantin II ishte Perandori Julian Apostati (Flavius Claudius Julianus 361-363). Ai ishte gjithashtu i interesuar për bibliotekën perandorake, për të cilën ai ndërtoi një portik në mënyrë që të rrisë dhe sipërfaqen e saj. Duke qenë se ishte perandori i parë, pas Kostandinit të Madhërsihëm, i cili dëshironte të riorganizonte kultin pagan në një mënyrë sistematike, duke ndjekur modelin e hierarkisë së kishës së krishterë, dyshohet se Julian Apostati mund të ketë shkatërruar një pjesë të dorëshkrimeve e krishtera që ishin bërë pjesë e koleksioneve të bibliotekës perandorake.
Në epokën e sundimit të perandorit Valens (Flavius Valens, 328-378) , rreth vitit 372, u shtuan përpjekjet për të siguruar jetëgjatësinë e teksteve të lashta përmes rishkrimit të tyre në pergamenë. Ata që punonin për transferimin e teksteve antike të papirusit në pergamenë i kushtuan një kohë të madhe dhe vëmendje përparësisë së asaj që synohej të ruhej. Veprave më të vjetra si, Homeri dhe historia helenistike, iu dha përparësi mbi veprat latine. Po ashtu nuk u dha përparësi disa veprave të hershme si ato të periudhës atike. Për shkak të kësaj forme të ruajtjes selektive, shumë vepra, sidomos të shkollës së stoikëve, humbën përgjithmonë. Disa fragmente të këtyre veprave të humbura janë gjetur në gërmimet arkeologjike në Herkulaneum.
Për tekstet e papirusit që ishin dëmtuar aq shume sa tashmë ishin të papërkthyeshme, skribët u ngarkuan me detyrën që t’i mbështillnin nëpër pergamena që t’i ruanin nga dëmtimi i mëtejshëm.
Perandori Teodosi I (Flavius Theodosius; 11 janar 347 – 17 janar 395), i njohur edhe si Theodosius Magnus, është një tjetër perandor i shquar bizantin dhe me një rol të madh për ruajtjen e Bibliotekës Perandorake të Kostandinopojës. Perandori Teodos punësoi shtatë skribë, katër grekë dhe tre latinë, për bibliotekën perandorake, të cilët punuan në skriptorium dhe kopjuan dorëshkrimet që përmbanin letërsi të krishterë dhe pagane.
Fatkeqësisht, biblioteka perandorake u dogj gjatë mbretërimit të Perandorit Zeno (Flavius Zeno: 425 – 491), në një zjarr të madh që ndodhi në vitin 477. Po atë vit, pak para shkatërrimit të bibliotekës, ishte bërë një inventar ku ishte konstatuar se fondi kishte afërsisht 120 000 dorëshkrime. Numri i regjistruar i dorëshkrimeve mund të duket i ekzagjeruar, por natyrisht duhet të konsiderojmë faktin se perandorët bizantinë që pasuan Kostandinin e Madhërishëm, shfaqën kujdes të veçantë që të gjithë për bibliotekën perandorake. Biblioteka u rindërtua shumë shpejt, por një pjesë e dorëshkrimeve tashmë kishin humbur. Gjithësesi Biblioteka Perandorake e Kostandinopojës funksionoi deri në Kryqëzatën e Katërt, kohë kur u shkatërrua dhe u dogj nga kryqtarët e krishterë. Në vitin 1204, kryqtarët e krishterë devijuan nga qëllimi i tyre fillestar, çlirimi i Jeruzalemit, dhe u ndalën në pushtimin e qytetit të Konstandinopojës, ku krijuan Perandorisë Latine, e cila do të zgjasë midis viteve 1204-1261. Kjo rrjedhë e ngjarjeve përcaktoi fatkeqësinë e radhës edhe për Bibliotekën e famshme Perandorake. Siç vëren një historian, Steven Runciman, duke qenë se asnjë francez nuk dinte të lexonte në greqisht, ata shfaqën prirjen për të ruajtur vetëm librat e stolisur, duke u nisur nga vlerësimi i parqitjes estetike dhe gurëve të çmuar, kurse pjesën tjetër e dogjën, por ishin venecianët të cilët dinin të lexonin latinisht dhe ndërhynë duke shpëtuar pjesën që mundën. Për autorët antik, nga të dhëna të tërthorta, dihet se kanë mbijetuar në këtë bibliotekë të paktën deri në Kryqëzatën e Katërt. Si fakt I mirëqenë mund të ilustrohet nga historia e princeshës bizantine Ana Komnena (Anna Comnena: 1083-1146) , vajza e perandorit Aleksi I Komneni. Në kujtimet e saj tek vepra “Aleksiada”, ku në këndvështrimin e saj historik përmbledh gjithë historinë e Bizanit, në parathënien e veprës ajo citon pjesë nga Platoni dhe Aristoteli, autorë të cilët ka shumë të ngjarë t’i ketë lexuar nga koleksionet e Bibliotekës Perandorake.
Në vitin 1261, Konstandinopoja iu rimerret përsëri latinëve nga Perandori Paleolog (Mikhael VIII Palaiologus; 1223 – 1282). Gjithësesi Biblioteka Perandorake e Kostandinopojës, deri sa Kostandinopoja ra në duart e Perandorisë Osmane, nuk do ta rifitonte më atë madhështinë e saj të shekujve të mëparshëm.
Ajo pushoi së ekszituari plotësisht në vitin 1453, kur Muhameti II (Mehmet Pushtuesi), i futi dorëshkrimet e mbetura në pallatin e tij. Atë që nuk e kishin zhbërë për 1000 vjet zjarret, tërmetet dhe kryqëzatat, e bënë në fare pak kohë turqit osmanë duke e humbur çdo shenjë të koleksioneve të kësaj biblioteke përgjithmonë.
Gjithesesi, në historinë e bibiliotekave të botës së vjetër, Biblioteka Perandorake e Kostandinopojës ishte biblioteka më jetëgjatë dhe më me ndikim për qytetërimin perëndimor. E vetmja bibliotekë e themeluar në epokën e antikitetit të vonë romak, e cila funksionoi përgjatë gjithë mesjetës deri në shekullin e fundit të mbarimit të epokës mesjetare.
Copyright: Petrit Nika