BallinaKryesoreHeshtja që po grabit Plazhin e Gjeneralit

Heshtja që po grabit Plazhin e Gjeneralit

Nga Klodian Tomori

Koncesioni i Portit të Durrësit dhe investimi strategjik në Plazhin e Gjeneralit në thelb janë e njëjta gjë. Tjetërsim masiv i pronës publike në vlera marramendëse me forcën e ligjeve perverse.

Në portin e Durrësit qeveria po i fal 70 hektarë tokë tek një kompani private me justifikimin se aty do të investohen 2 miliardë euro. Në Plazhin e Gjeneralit po falen 63.5 hektarë tokë po tek një privat, me justifikimin se ky do të investojë 50 milionë euro.

Përmasat e grabitjes janë thuajse të njëjta. 70 hektarë bregdet në Durrës dhe 63.5 hektarë bregdet në Kavajë. Ndryshimi i vetëm është se tek Porti i Durrësit privati del një biznesmen arab, ndërsa në Plazhin e Gjeneralit privati është shqiptar. Në letra. Se në realitet askush nuk e di se kush është privati i vërtetë.

Por ka dhe një ndryshim tjetër më pak të dukshëm. Për aferën e Portit të Durrësit është folur dhe denoncuar gjerë e gjatë. Megaaferë, megavjedhje, korrupsion i frikshëm e kështu me radhë. Dhe kjo është arsyeja se pse qeveria nuk po e mbyll dot aq lehtë atë punë, pavarësisht vizitave një herë në dy javë të ministres së infrastrukturës në Dubai. Por për Plazhin e Gjeneralit çuditërisht nuk flet askush. Arsyen se pse unë nuk e di. Por kjo është një heshtje zuzarësh.

Në terma të veprës, afera e Plazhit të Gjeneralit është një grabitje edhe më e rëndë se sa koncesioni i Portit të Durrësit. Për disa arsye. Së pari nga këndvështrimi ekonomik. Sot një metër katrorë tokë në Plazhin e Gjeneralit shitet rreth 80 euro. Kjo verifikohet lehtësisht nga transaksionet dhe ofertat që publikojnë agjencitë e pasurive të paluajtshme. Pra qeveria po tjetërson 635 mijë metër tokë shtetërore falas. E përkthyer në vlerë kjo do të thotë se Edi Rama po i fal kompanisë Mediterranean Ëave të Shpëtim Shijakut 50 milionë euro. Me një firmë.

Së dyti, nga këndvështrimi ligjor. Brenda zonës që po tjetërsohet ka monument natyror. Ligji thotë se monumentet natyrore janë pronë publike e patjetërsueshme. Pra ndalohen kategorikisht te privatizohen. Por qeveria po e privatizon dhe falas madje, sigurisht duke bërë artifica për të anashkaluar ligjin,

Dhe në fund, e gjitha kjo për çfarë? Që kompania private të ndërtojë aty një resort dhe të fitojë para mbi tokën e vjedhur shtetërore. Ku është interesi publik në këtë rast? Interes publik këtu nuk ka. Ka vetëm një aferë, e cila po realizohet edhe falë heshtjes së atyre që duhet të flasin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular