Shkodra e pret Vllazninë “siç i ka hije”. 31 maji ishte një ditë shumë e lumtur për kryeqendrën e veriut. Vllaznia ia doli për të dytin vit radhazi të fitojë Kupën e Shqipërisë, e cila ishte e teta në historinë e klubit më të vjetër në vend. Një triumf që erdhi në momentin e duhur për Vllazninë, pas një kampionati ku mbeti jashtë Europës dhe shansi i vetëm për të shpëtuar sezonin ishte fitimi i Kupës.
Sapo arbitri Juxhin Xhaja vërshëlleu për përfundimin e finales Vllaznia-Laçi 2-1, festa nisi në kryeqytet dhe Shkodër. Zhurma e borive dhe makinave që mbanin flamujt kuqeblu janë ndier gjatë 100 kilometrave të rrugës Tiranë-Shkodër dhe më të forta se kurrë pikërisht aty ku tabelat në autostradë shkruanin Laç.
Por, këtu festa sapo kishte nisur. Bashkia Shkodër kishte marrë masat e duhura që tifozët të ndiqnin ndeshjen në dy ekrane gjigante, e më pas të festonin përpara godinës së këtij institucioni. Pedonalja ishte kthyer në stadium. Njerëz të të gjitha moshave, burra, gra, të rinj dhe të reja, madje fëmijë dhe të moshuar, ishin “ngulur” për më shumë se dy orë me radhë para këtyre ekraneve, duke brohoritur sikur të ishin në stadiumin “Air Albania” për Vllazninë e tyre. Ishin me të njëjtat emocione si ata që po e shijonin nga stadiumi.
Por, nëse entuziazmi ishte i ligjshëm pas shënimit të golave, ai ka shpërthyer me t’u mbyllur ndeshja. Në sinkron të plotë me tifozët kuqeblu në “Air Albania”, edhe ata që e ndoqën takimin në pedonalen e qytetit apo në lokale të tjera të Shkodrës, kanë brohoritur dhe menjëherë kanë marrë makinat e tyre duke mbushur rrugët në mesnatë. Fishekzjarret kanë qenë të pranishme në çdo cep të qytetit. Shkodranët, edhe pse kishte shumë skeptikë mes tyre, sërish kanë besuar te fitimi i Kupës dhe për këtë përgatitjet i kishin bërë gati.
Tifozët pritën jo pak në lokale, teksa këta të fundit qëndruan hapur enkas deri në të gdhirë. Autobusi i ekipit, me lojtarët dhe stafin, mbërriti në Shkodër vetëm në orën 01:00. Të gjithë po prisnin heronjtë, por të parët që mbërritën ishin tifozët e ardhur nga Tirana, të cilët iu bashkuan sërish festës te sheshi përballë bashkisë. Brohoritjet dhe këngët për Vllazninë ishin kudo. Kryebashkiaku Bardh Spahija s’ka pritur gjatë në kryeqytet, por ka mbërritur para ekipit për t’u bërë atyre pritjen që duhej. Pikërisht rreth orës 01:00 të së mërkurës është shfaqur autobusi me skuadrën dhe stafin.
TROFEU
Me t’u hapur dera e autobusit, kapiteni Erdenis Gurishta dhe zv.kapiteni Ardit Krymi dolën me kupën në duar. Për mesfushorin emocionet ishin të mëdha, pasi vetëm pak orë më pas do të udhëtonte drejt Bjellorusisë, aty ku do të vazhdojë karrierën me Shaktjor Soligorsk.
Fillimisht ka qenë kryebashkiaku Spahija që ka takuar një nga një të gjithë stafin drejtues dhe lojtarët. Ndërsa tifogrupi “Vllaznit Ultras” kanë dhuruar spektakël duke ndezur fuqishëm atmosferën. Nuk kanë munguar as fishekzjarret dhe gjithëpërfshirja e lojtarëve në këtë festë. Madje Gurishta, Krymi, Hakaj, Adili etj., me megafonin në duar janë kthyer në udhëheqësit e tifozërisë së tyre. Nuk kanë munguar as këngët, që disa prej këngëtarëve më të shquar shkodranë ia kanë dedikuar ndër vite Vllanisë. Për 60 minuta sheshi para bashkisë nuk kishte qetësi, duke dhënë përshtypjen se ishte ditë dhe jo natë.
TRAJNERI
Festës nuk iu nda për asnjë moment as Mirel Josa, për të cilin dje ishin dy gëzime në një ditë. Me t’u futur data 1 qershor, trajneri festonte ditëlindjen, teksa mbushi 59 vjeç. Rastësia bëri që në orën 24:00, Josa i shoqëruar nga bashkëshortja, të ishte në autobus duke ardhur për Shkodër.
Fare mirë trajneri mund të qëndronte në shtëpinë e tij në kryeqytet, por mësohet se ishte vendimi i tij për t’u kthyer në Shkodër si të gjithë, pasi donte të respektonte në maksimum tifozët, të cilët e kanë shprehur simpatinë ndaj Josës prej vitesh. Lojtarët nuk e harruan faktin që më 1 qershor trajneri ka ditëlindjen dhe që në autobus i bënë surprizën e parë, duke nisur me urimet. Më pas, në sheshin ku ishin rreth 2 mijë vetë, kapiteni Gurishta, me megafon në dorë, i uroi ditëlindjen trajnerit.
Kënga tradicionale e ditëlindjes u këndua më pas nga të gjithë në shesh në respekt të trajnerit. “Shumë urime për profesorin”, ishin fjalët e Gurishtës. Teksa ora po shkonte 02:00, skuadra është rifutur në autobus dhe ka shkuar drejt stadiumit “Loro Boriçi”, aty ku prisnin familjarët dhe më pas do të bëhej shpërndarja. Avash-avash edhe tifozët kanë nisur të shpërndahen në shtëpitë e tyre, duke marrë me vete kujtimin e një dite të paharrueshme. Krenaria te të gjithë ishte e madhe, edhe për faktin se ishte krijuar një bindje sikur të gjithë ishin kundër Vllaznisë. Por, sezoni u mbyll sërish me trofe dhe të gjitha gjërat negative të kampionatit u lanë pas më së miri.
REKORDI
Mirel Josa e nisi me rekord eksperiencën e tij të tretë në krye të Vllaznisë. Me sa duket ka qenë “e treta e vërteta” për të. Trajnerit i kanë mjaftuar vetëm tri javë në drejtimin e ekipit për të hyrë në histori si trajneri shqiptar me më shumë trofe.
Në dy eksperiencat e para te kuqeblutë nuk kishte mundur të fitonte diçka, por e bëri në të tretën, duke i shtuar trofeun e 12-të personal dhe duke e shndërruar më të suksesshmin e historisë në futbollin shqiptar. Ai e ndante këtë rekord me Zihni Gjinalin, por tani mund të krenohet për faktin se mbetet i pakonkurrueshëm me 5 kampionate, 4 Kupa dhe 3 Superkupa.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL