Kafja e mëngjesit e 3 qershorit rezultoi tragjike për 68- vjeçarin Naim Bajri, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në lagjen “Partizani” në Shkodër.
Viktima, pjesë e fisit Bajri në Shkodër, u qëllua rreth orës 7:20 me 10 plumba, duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Ndërkohë, nga kjo ngjarje mbeti i plagosur edhe shtetasi Astrit Zeneli, 58 vjeç, i cili ishte duke pirë kafe me viktimën.
ATENTATI
Ndërkohë që Naim Bajri konsumonte kafe në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, një automjet me dy persona është afruar dhe një prej tyre ka qëlluar ndaj 68- vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Atentatorët duket se i kanë studiuar mirë lëvizjet e viktimës, ndërsa mëngjesin e djeshëm janë vënë në lëvizje, duke arritur qëllimin. Pas krimit, ata janë larguar në drejtim të paditur.
Dyshohet se viktima u vra me armë zjarri automatik “Scorpions”. Pak minuta pas vrasjes së rëndë mëngjesin e djeshëm, në lagjen “Guerrile” në periferi të Shkodrës u gjet një automjet duke u djegur, që Policia dyshon se është i autorëve të vrasjes.
Menjëherë mbërriti edhe një zjarrfikëse e repartit zjarrfikës të Shkodrës duke shuar flakët dhe duke shpresuar që të gjendet ndonjë provë brenda atij automjeti, edhe pse është e vështirë për shkak të djegies. Ndërkohë, pas të shtënave me armë, forca të shumta Policie mbërritën në vendngjarje duke nisur hetimet paraprake.
Shtetasi Naim Bajri ishte tregtar peshku dhe mëngjesin e djeshëm, ashtu si çdo ditë, kishte dalë për të shitur peshk, por papritur u vra nga persona ende të paidentifikuar.
Ndërkohë, personi tjetër që mbeti i plagosur, shtetasi Astrit Zeneli, ishte një punonjës i 68-vjeçarit që e ndihmonte në shitjen e peshkut dhe po pinin ashtu si çdo ditë kafen e mëngjesit, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën.
Në vitin 2001 është vrarë edhe djali i 68-vjeçarit, shtetasi Endrit Bajri, ngjarje për të cilën është akuzuar si autor shtetasi Xhabir Shega, edhe ky i fundit i vrarë me snajper në banesën e tij disa vite më parë.
Ngjarja e fundit e vrasjes së Naim Bajrit, sipas Policisë, nuk ka lidhje me njëra-tjetrën dhe dyshimet e efektivëve janë për konflikte të tjera.
Në muajin mars të këtij viti mbeti i plagosur rëndë nipi i Naim Bajrit, shtetasi Admir Bajri, ndërkohë pas afro dy muajsh u plagos shtetasi Dedë Plani, vëllai i Bardhok Planit, një nga të fortët e Shkodrës, që po ashtu është vrarë në prillin e vitit të kaluar.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të dyshuar të vrasjes dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa dyshimet e fundit lidhen me këto ngjarje të ndodhura mes fisit Bajri dhe Plani, përplasje që nisën pas vrasjes së Bardhok Planit, i njohur si kumbari i Shkodrës.
Policia nuk përjashton as pista të tjera që mund të lidhen me vrasjen e Naim Bajrit. Pas kësaj vrasjeje në Shkodër mbërritën edhe forcat RENEA, duke ushtruar kontrolle të ndryshme për identifikimin dhe gjetjen e autorëve.
SI U VRA DJALI I VIKTIMËS
Teksa ndodhej në një loto sportive në lagjen “Rus” në Shkodër në vitin 2001, disa persona organizuan dhe vranë shtetasin Endrit Bajri, djali i viktimës së fundit, Naim Bajri. Shtetasi Xhabir Shega dyshohet si autori kryesor i asaj vrasjeje, ndërsa ndodhej i shoqëruar edhe me disa persona të tjerë.
Disa vite më vonë, Xhabir Shega, i njohur ndryshe edhe si Vil Shega, u vra me snajper në banesën e tij në hyrje të Shkodrës nga një kodër përballë. Dyshohet se autorët e kësaj vrasjeje të Xhabir Shegës, një person që ishte i dyshuar për vrasjen e mbi 10 personave, janë fisi Bajri, si hakmarrje për vrasjen e Endrit Bajrit, por edhe ajo ngjarje nga ajo kohë e sot ka mbetur pa autor.