Moti i keq që ka përfshirë Kosovën ditën e sotme ka shkaktuar tashmë dy viktima.
Teksa më herët, një 30-vjeçar vdiq pas rrëzimit të një peme nga era e fortë, një shtetas turk ka humbur jetën në Rahovec mbrëmjen e sotme pasi është goditur nga rrufeja.
Bashkë me të nga rrufeja është goditur edhe një person tjetër, i cili ka shpëtuar dhe është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha se viktima 34-vjeçar dhe i lënduari 28-vjeçar, janë shtetas turk, dhe në momentin kur janë goditur nga rrufeja kanë qenë duke punuar. Sipas mjekut kujdestar në QKUK, gjendja e të lënduarit është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërsa viktima e dytë është një 30-vjeçar nga Prishtina, i cili humbi jetën si pasojë e rrëzimit të një lisi. Dita e hënë u karakterizua me stuhi dhe rrebeshe të shiut, në pjesë të ndryshme të Kosovës.