BallinaPolitikeINTERVISTA/ “PS në panik e frikë nga protesta!”- Luçiano Boçi: Tubimi ndërtoi...

INTERVISTA/ “PS në panik e frikë nga protesta!”- Luçiano Boçi: Tubimi ndërtoi një shtrat solid drejt bashkimit! Çfarë ndodh në shtator me Alibeajn

MARIGLEN KUME/ Pak ditë pas protestës së 7 korrikut, nënkryetari i Partisë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha, Luçiano Boçi, tregoi dy qëllimet e saj.

Objektivi i parë sipas tij ishte që t’u jepej zë qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e të impononte qeverinë që të marrë masa ekonomike për krizën, ndërsa qëllimi i dytë ishte rishfaqja e opozitës së fortë. Po ashtu, sipas tij protesta shërbeu edhe si një hap për bashkimin e Grupit Demokrat.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, deputeti i Elbasanit u shpreh se heshtja e qeverisë është sinjal se është në panik nga revolta e qytetarëve, ndërkohë i akuzoi si autokrat. Referuar skandaleve të fundit sa u përket aferave me inceneratorët dhe për investimet strategjike, Boçi shprehet se do ndjekin rrugët ligjore. Në intervistën e mëposhtme ai flet edhe për reformat që kanë nisur dhe problemet e brendshme.

Z. Boçi jemi pak ditë pas protestës, cilat ishin objektivat e saj dhe a u arritën? E nis me këtë pyetje sepse vetëm një ditë pas daljes në shesh, bordi i transparencës u mblodh për të katërtën herë brenda një jave për të rritur çmimin e karburanteve.

Një protestë nuk është ana apo pamja e kundërt e një bordi abuzues, i cili mblidhet me një buton kryeministror. Dhe një protestë nuk zhvillohet me vetëm me një drejtim. Protesta ishte jo vetëm pjesë e aksionit politik të opozitës, por dhe një tribunë komunikimi ku qytetarët, shoqëria publikojnë me zë të lartë zemërimin, kundërshtinë e revoltën e tyre për gjendjen aktuale të vendit, për vendimmarrjen në dëm të interesave të tyre, për keqqeverisjen, për situatën ekonomike, rrënimin e biznesit, të bujqësisë, të shpopullimit të vendit, të degradimit të arsimit, të grabitjes së pasurisë e trashëgimisë kombëtare.

Protesta pasqyroi mospranimin që ka shoqëria ndaj korrupsionit pandemik, abuzivizmit të ngritur në normë dhe kriminalizimit kapilar të politikës e ekzekutivit. Një komunikim i tillë bëri të mundur që qytetarët të gjejnë tek opozita mbështetjen dhe zërin e tyre për sot dhe alternativën e zgjidhjes për nesër, kur zgjidhja mungon apo nuk konsiderohet. Ajo shpalosi qartazi mospërputhjen midis vullnetit të sovranit dhe përfaqësimit politik.

Më qartë dëshmoi se mandatet e marra nuk janë reale dhe situata politike duhet të shkojë drejt përmbysjes së raportit të forcave politike. Në vetvete, ajo pati qëllime politike të afërta që konsistonin në ngritjen e valës së revoltës për të sjellë reagimin e qeverisë për marrjen e disa masave ekonomike për të zbutur disi zemërimin e madh të shoqërisë dhe qëllime të largëta të lidhura me objektivat e PD për t’u rishfaqur si opozitë e fortë në aksion permanent që kauzat qytetare i shndërron në politike, që konsideron dhe ka në qendër të politikave e qëndrimeve të saj qytetarin dhe jo kompromisin politik, që ndërton një besim jo deklarativ por real dhe të prekshëm, një opozitë që jep shpresë, dinjitet e siguri që nuk rri duarkryq apo duarshtrirë, por bën beteja në emër të së drejtës së qytetarit, mirëqenies e zhvillimit të vendit.

Në një vend normal demokratik e udhës do ishte marrja e atyre masave që zbusin zemërimin, por jetojmë nën autarki demokratike dhe reagimi i kundërt i qeverisë është pasqyrë e asaj pse duhet protestuar akoma më shumë dhe pse protesta ishte aq masive. Bordi dëshmoi se mungesa e arsyes sundon mendjen e maxhorancës së sotme dhe pasojat do duken në vazhdimësi me rritjen e zemërimit qytetar.

Iluzionet e fundit të atyre që shihnin protestën nga larg të zgjidhjeve në sirtar u rrëzuan dhe revolta e ngjallur është theksuar akoma më shumë. Në këtë pikë protesta ka filluar, por ende s’ka ndalur. Qytetarët arritën të bashkojnë energjitë e tyre dhe të dëshmojnë forcën e tyre. E humbur në këtë mes është qeveria. Vetë PD arriti të shpalosë ambicien e vet politike dhe realitetin politik të mbështetjes masive që gëzon dhe besimin që po fiton me këtë aksion e komunikimin permanent me qytetarët.

Qeveria duket se nuk e ka marrë në konsideratë atë protestë, pasi edhe në deklaratat e socialistëve vërehet një neglizhencë qoftë numrit të pjesëmarrësve dhe kërkesave. Njëri tha që janë oligarkët që luajnë me dy porta. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i PS—së e komentoi si përpjekje kundër integrimit. Keni menduar ju një hap të dytë?

Moskonsiderimi në rastin e reagimit të qeverisë nuk është shprehje e qetësisë së saj. Është së pari panik e frikë dhe së dyti është një arrogancë e dalë sheshit e pafytyrë dhe dëshmi e mënyrës se si konsiderohet një pushtet i marrë jo me anë të vullnetit të drejtë popullor por nëpërmjet parasë, abuzimit mjeteve apolitike e kriminale. Është një lloj pohimi: “Me këtë mandat “qyl” do bëjmë çfarë të duam e si të duam”. Pastaj këto kapërcimet mentale me oligarkë që lozin me dy porta, apo të ngjashme me këto janë dëshmi e gjallë e pranimit të degradimit moral dhe politik të funksionit të shtetit. Ndërsa kjo e gjetjes së “armiqve të jashtëm” të integrimit te qytetarët e brendshëm që protestojnë për mjerimin ekonomik e boshatisjen e vendit, kalon çdo pikë kulmore të humorit të zi politik.

Për të kaluar pak edhe në situatën e brendshme. Në protestë morën pjesë shumë deputetë që ndajnë qëndrime jo të njëjta me grupin tuaj. A shërbeu protesta edhe për një bashkim të grupit?

Bashkimi është një proces që vazhdon, duke pasur dhe protestën brenda si fazë. Deputetët e ardhur dëshmuan përgjegjshmëri të lartë politike dhe instinkt të fortë politik. E rëndësishme është se protesta hodhi dritë mbi shumë hezitime e skepticizma politikë dhe ndërtoi një shtrat shumë solid për të ecur drejt bashkimit. Fakti i bashkimit të anëtarësisë dhe qytetarëve është një apel për elitën politike që dhe ajo të jetë e unifikuar në qëndrimet e organizimin e aksionit politik dhe e bashkuar në nivelin e organizatës politike.

Ju jeni kryetar grupi në PD, por në Kuvend njihet z. Alibeaj. A do mblidhni firmat në shtator për të bërë zëvendësimin e kryetarit të grupit edhe në Kuvend apo do tentoni të bëni një grup tjetër parlamentar?

Në shtator partitë politike sipas procedurës paraqesin në Kuvend në përputhje me statusin e tyre dhe përfaqësuesit për nivelet e ndryshme të drejtimit përfshirë dhe drejtimin e grupit. PD e ka të përcaktuar në status që drejtues i grupit është një nga nënkryetarët e partisë. Partia Demokratike ka vetëm një grup parlamentar dhe jo dy.

Ndërkohë, në Kuvend ka nisur procesi për ndryshimin e Reformës Territoriale, grupi juaj nuk ka përfaqësues në atë komision, por ndërkohë në PD është ngritur një grup pune. Kur do të keni ju një draft gati di alternativën tuaj?

Ne si Parti Demokratike besojmë në integritetin politik të deputetëve anëtarë të komisionit dhe komunikimi ynë me ta do jetë i vazhdueshëm me qëllim që ato të reflektojnë vendimmarrjen politike të organeve të Partisë. Çedimet në veprimtarinë e komisionit nga interesi i qytetarit dhe interesi politik, do të konsiderohen të papranueshme. Grupi i punës ndërkohë po punon intensivisht në nivel specialistësh, por dhe konsultash dhe në kohën e duhur do të ketë gati dhe draftin

Z.Berisha e shpalli Kryeministrin Rama armik të shqiptarëve sepse siç tha ai, u ka marrë shqiptarëve votën. Do keni ju propozime konkrete për Reformën Zgjedhore?

Rama është dëshmuar si armik i votës së shqiptarëve dhe këtu s’ka vend për ekuivok. Njëherazi ai me politikat e tij ka shpopulluar vendin dhe ka dobësuar pozitën e tij gjeopolitike në rajon. Shpalljen si armik të mos e fusim në rendin e emocioneve por të arsyes. Një politikan që grabit vota për të rrëmbyer më pas pasuri dhe që flirton me armiq shekullorë për t’i hapur rrugë sundimit të tij politik a mund të quhet mik?! Nuk besoj se po. Dhe etiketimi është i rendit politik. Askush të mos emocionohet në këtë rast. Për reformën është duke u përgatitur një paketë ligjore që prek jo vetëm sistemin zgjedhor por dhe mbyll shtigjet për çdo rrëmbim në tavolinë të zgjedhjeve që Rama kërkon ta tentojë e ta realizojë më fajkonjtë e tij politikë. Synimi ynë është mbrojtja e votës me çdo çmim dhe që nis pikë së pari në kushtetutën e votës, në Kodin Zgjedhor.

Muajt e fundit denoncimet për korrupsion ndaj qeverisë kanë qenë më të shpeshta, ndërkohë shpallën investitor strategjik edhe bashkëshortin e ministres. Do ndërmerrni ju hapa konkretë kundër këtyre aferave?

Beteja jonë për aferën e inceneratorëve dhe aferën e grabitjes së pasurive publike dhe private me ligje specifike, sikurse rasteve të shumta korruptive, përfshi Butrintin apo Pallatin Mbretëror, nuk do ndalet dhe do të pasohet me marrjen e hapave konkretë ligjorë denoncuese drejt SPAK dhe kërkesave në Gjykatë Kushtetuese për ndërprerje mandati dhe pezullim të efekteve të tilla ligjore që bien ndesh me interesin publik dhe atë të qytetarit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular