Nga Bujar Leskaj
Sot mbushen 45 vite nga vrasja e martirëve të demokracisë, poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
Sot, në 17 Korrik 2022 jemi plot 45 vjet më vonë nga pushkatimi terrorist i shtetit të diktaturës i poetëve të Librazhdit, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ne jemi në përvjetorin e 45-të të dy poetëve që jetuan dhe i vranë bashkë, dy shpirtrave binjakë në poezinë shqipe që emrin e tyre e lanë të shkruar jo vetëm në antologjinë shqipe, por edhe në mendjet dhe zemrat e një kombi të tërë në këtë rilindje postdiktature.
Këta poetë dëshmorë e dëshmorë poetë ishin disidentë në një kohë frike dhe terrori dhe treguan krenari e dinjtet duke e paguar dinjitetin dhe antikomunizmin me çmimin e jetës së tyre, kur ne të tjerët, më e pakta, ishim kokëulur e indiferentë ndaj saj.
Në këtë 45 vjetor të vrasjes së poetit, Nderi i Kombit, Vilson Blloshmi, vëllai tij antikomunisti, heroi i gjallë dhe demokrati i palodhur Bedri Blloshmi krahas veprave të tjera si: “Saga e Blloshmëve”, “Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në shtypin shqiptar” “Rrëfim nga ferri komunist”, “Revolta e Qafë Barit”, “Revolta e Spaçit”, etj, ka hedhur në botim edhe librin e fundit “Dosja formulare kategoria 2A nr. 840 për Vilson Blloshmin”, ka çelur edhe një ekspozitë të veçantë me materiale të rralla e autentike të poetit, një orë të vëllait të tij të vrarë, madje ka gjetur edhe plumbin me të cilin u ekzekutua.
Sot dua t’i kujtoj martirët me vargjet lapidar të poetit Vilson Blloshmi:
“Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur;
Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.”
Nderim përjetë martirëve Vilson Blloshmi e Genc Leka!