BallinaKryesoreZëri i Amerikës: Largimi i beftë i Arben Ahmetajt nga qeveria

Zëri i Amerikës: Largimi i beftë i Arben Ahmetajt nga qeveria

Në mënyrë të beftë kryeministri Edi Rama, njoftoi që në orët e para të ditës se kishte ndryshuar numrin dy të kabinetit të tij qeveritar, zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, një prej figurave ndoshta më jetëgjatë si pjesë e qeverive socialiste që nga 2013. Ai ka mbuluar funksione të ndryshme nga ministri i Ekonomisë, te ai i Financave, me një ndërprerje në vitin 2019, kur ju rikthye jetës parlamentare, për t’u përfshirë sërish në kabinetin qeveritar pas tërmetit të nëntorit të po atij viti.

Një largim i mundshëm i tij kishte kohë që përflitej në korridoret e shumicës. Emri i zotit Ahmetaj, është po ashtu një ndër më të lakuarit nga opozita për përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve. Kur kjo çështje ishte një temë e nxehtë debati, pasi parlamentit i ishte kërkuar autorizimi për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, kryeministri, 4 muaj më parë tha se “nuk ka arsye të ketë ndryshime në kabinet”.

Sot ai e motivoi lëvizjen e tij me faktin se Rindërtimi nuk është më prioriteti i qeverisë, duke qenë se ndodhet në fazë përmbyllëse. “Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zëvendës-kryeministrit të fokusohet në këto fusha”, shpjegoi kryeministri duke bërë të ditur emërimin në këtë post të ministres së energjisë dhe infrastrukturës, Belinda Balluku.

Por sipas Partisë Demokratike, largimi i zotit Ahmetaj, lidhet pikërisht me çështjen e inceneratorëve. “Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike.

Më i papritur ishte largimi i kryenegociatorit të Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, pikërisht tani kur vendi sapo ka nisur procesin e bisedimeve. Ditën kur vendit ju hap rruga për këto bisedime, një javë më pare, zoti Mazi së bashku me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, drejtuan sesionin e parë të shqyrtimit analitik të legjislacionit.

“Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore dhe Ministre Shteti pranë kryeministrit”, njoftoi zoti Rama. Ambasadori Mazi nuk ka bërë ende asnjë koment për vendimin e sotëm të kryeministrit. Pasuesja e tij, zonja Dhuka, aktualisht punon si drejtoreshë në Departamentin e Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në Kryeministri. Me profesion juriste, ajo nuk rezulton të ketë një eksperiencë të mëparshme të drejtëpërdrejtë në çështje që lidhen me procesin e integrimit europian. Nga qeveria nuk është shpërndarë asnjë biografi e zonjës Dhuka. /VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular