BallinaKryesoreNuk ka abone për gushtin në Tiranë! Unioni i Transportit Publik: Të...

Nuk ka abone për gushtin në Tiranë! Unioni i Transportit Publik: Të vijojë ndihma ose të rritet bileta

Në përfundim të paketës 3-mujore për subvencionin e rritjes së çmimit të naftës me qëllim për të mos rritur atë të biletës, urbanët kërkojnë sërish ndihmë. Në të kundër, kërcënojnë me kufizim të shërbimit dhe heqjen e biletave mujore.

PARALAJMËRIMI

Unioni i Transportit Publik u ka kërkuar institucioneve shtetërore ndërhyrjen e menjëhershme për miratimin e vendimit të subvencioneve për vijueshmërinë e paketës antikrizë ose, në pamundësi të saj, rritjen e çmimit të biletës. Shoqata e Transportit paralajmëron se në rast mosreagimi, operatorët nuk do të ofrojnë abone për muajin gusht 2022, duke shkuar në këtë formë drejt mbylljes totale.

“Në vijim, Unioni i Transportit Publik u kërkon instancave shtetërorë ndërhyrjen e menjëhershme për miratimin e vendimit subvencionues për vijueshmërinë e paketës antikrizë ose, në pamundësi të saj, rritjen e çmimit të biletës, për ta kthyer këtë shërbim rentabël.

Në rast të mosreagimit, operatorët nuk mund të ofrojnë biletat mujore (abone) për muajin gusht 2022, duke shkuar në këtë formë drejt mbylljes totale”, thuhet në njoftimin e Unionit të Transportit Publik.

Me rritjen e çmimit të naftës, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, qeveria vendosi të mbështesë sektorin e transportit publik përmes një fondi prej 5 miliardë dollarësh, duke i kompensuar me 100 lekë/litër të deklaruar si shpenzim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas një tavani mujor nevoje për secilin operator transporti publik të udhëtarëve, qytetës, rrethqytetës të linjave të licencuara nga DPSHTRR, MIE dhe bashkitë, për një periudhë tremujore.

Ndihma u shpërnda për muajt prill, maj dhe qershor, por në përfundim të këtij afati, operatorët shprehën sërish shqetësimin për papërballueshmërinë e shërbimit me çmimin aktual të naftës. Kjo është arsyeja përse ata kanë vendosur të mos shesin abone, çmimi i së cilës është më i lirë se ai i biletave urbane.

“Ne jemi kundër rritjes së çmimit të biletës për qytetarët, por nëse sektori nuk vijon të subvencionohet, të ketë një paketë tjetër antikrizë. Efektet e mosmbështetjes do të jenë falimentet e kompanive”, deklaron Rixhin Qosja, kryetar i Transportit Qytetas në kryeqytet. Në fillim të këtij viti, për 11 operatorët e transportit urban të Tiranës u miratua fondi prej 1 milion eurosh për të kompensuar rënien e numrit të pasagjerëve deri në 55% në pandemi. Shpërndarja e kompensimit nga Bashkia e Tiranës u vendos të jetë për një periudhë 6-mujore, me vlerë 200,000 lekë/muaj për çdo operator. Për shkak të paketës antikrizë të miratuar nga qeveria për të subvencionuar çmimin e lartë të naftës, operatorëve iu disbursua vetëm një këst në muajin shkurt.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular