Nga Zabit Hysa
Këto ditë në botën mediatike, qarqet politike të Tiranës, por dhe ndër qytetarë, po diskutohet rreth hapjes së dosjeve të diktaturës. Personalisht e mendoj që ky diskutim është i vonuar, sepse pas 32 vitesh demokraci, kjo duhej të kishte ndodhur. Kur kanë kaluar mbi 3 dekada pluralizëm, një diskutim i tillë thuajse na kthen pas në kohë. Sot duhej të diskutonim për të tjera prespektiva të vendit dhe jo atë që duhej ta kishim bërë të paktën dekadën e parë pas rënies së komunizmit.
Ky debat, siç e theksova dhe më lart duhej të ishte mbyllur fatëkeqësisht, ngrihet dhe nga mazhoranca (PS), përfaqësuesit e të cilës janë pasardhësit e PPSH, asaj force politike e cila ka përgjegjësinë direkte për çfarë ka ndodhur gjatë viteve të diktaturës dhe duhet të kërkoj falje shqiptarëve. Për fatin e keq tonin edhe ata sot bëjnë moral!.
Për ardhjen deri në këtë pikë, ku njerëz me dosje si bashkëpunëtorë sigurimi dhe të tjera pozicione kyçe në diktaturë kanë bërë karrierë edhe gjatë viteve të demokracisë, mendoj që përgjegjësinë më të madhe e ka forca politike të cilën i kam besuar dhe votuar, PD.
Si një pasardhës i shtresës së ish të persekutuarëve politikë, me gjysh te vdekur në burgjet e diktaturës kam besuar se Partia Demokratike do të rehabilitonte, do t’i kthente dinjnitetin e nëpërkembur nga komunizmi kësaj shtrese si dhe përfaqësimin e tyre si dhe sa duhet në politikë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur dhe se kjo shtresë nuk ka marrë minimumin; as dëmshpërblimin dhe po i trajtojnë ende sikur po ju japin një lëmoshë! Më e keqja nuk është kjo, por fakti që në këto më shumë se 3 dekada demokraci e shkuara e zezë komuniste ka kontolluar fatet tona; të ish të persekuturëve dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm, na ka monitoruar në çdo hap tonin dhe ne veçse kemi bërë sehir duke qenë nën hyqmin e tyre! Jemi gënjyer, jemi mashtruar, ju kemi besuar më shumë se duhet politikanëve të cilët thuajse të gjithë brenda një rrethi, kanë bërë gjithçka kanë dasht, teksa ne jemi zënë për ta!
Pyetja që shtrohet është: A na kanë qeverisur njerëz me dosje duke kontrolluar fatet tona! Duke parë që që brenda forcave politike qarkullojnë të njëjtët emra mbi 30 vite, e njëjta gjë dhe për administratë dyshimet janë se po! Ish-prokurorë dhe gjyqtarë, bashkëpunëtorë të sigurimit, në demokraci jo vetëm që kanë pasur një jetë të qetë, por madje kanë bërë biznes dhe karrierë. Shembulli është prokurori famëkeq komunist Aranit Çela i cili ka pasur jo pak, por 650 procese politike, shumica dënime me vdekje nuk kërkoi kurrë falje për krime, por jetoi i patrazuar në mes të Tiranës dhe forca politike PD nuk mundi dot që të punonte për t’i vërtetuar përgjegjësinë dhe asgjë më shumë!. Sa e sa të tillë kanë mundur të lulzojnë në demokraci para syve tanë, madje duke na bërë dhe moralistin, duke na përfaqësuar në Parlament, në drejtim të shtetit dhe ne duke mos ditur asgjë rreth tyre, fatkeqësisht dhe i kemi duartrokitur apo iu kemi besuar votën! Në emër të ish të persekutuarëve politikë, shtresës që përfaqësoj, si njëri prej tyre, por dhe si qytetar i ndershëm duke mos pasur asnjë interes apo favor nga politikë, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë apeloj; të hapen urgjentisht dosjet.
Eshtë koha që e shkuara e zezë komuniste të mos kontrollojë më fatet tona, që bashkëpunëtorë sigurimi, përfaqësues të nomeklaturës së lartë komuniste në nivel qendror dhe lokal ta hapin krahun dhe të mos jenë më aty ku do të kontrollojnë të ardhmen e shqiptarëve, aty ku aspirojmë të shkojmë për të iu bashkuar familjes së madhe europiane, BE. Sa më shpejt të ndodh kjo, aq më shpejt do të integrohemi dhe jemi një vend i zhvilluar dhe të marrim vendin e merituar!