BallinaKryesoreBandat e organizuara që po terrorizojnë yjet e La Ligës/ Obamejang është...

Bandat e organizuara që po terrorizojnë yjet e La Ligës/ Obamejang është rasti i fundit i një serie grabitjesh

Sulmi me armë i ndodhur në shtëpinë e sulmuesit të Barcelonës, Obamejang mëngjesin e së hënës është shembulli më i fundit i grabitjeve që po u ndodhin yjeve të kampionatit spanjoll. Me sa duket La Liga po përballet me një problem madhor. Bandat e organizuara kanë vënën nën shënjestrën e tyre lojtarët e Primera Division (elita e futbollit spanjoll).

Të rinj, të pasur dhe shumë të ekspozuar në publik, lojtarët e kampionatit spanjoll janë kthyer në një pre e lehtë për hajdutët e grabitësit në Spanjë. Sulmi i pësuar nga Obamejang është sjellje tipike e grupeve të gangsterëve, të cilët po terrorizojnë lojtarët e klubeve kryesorë në La Liga. Nuk ka kaluar më shumë se dy javë që lojtari i Valencias, Samu Kastijeho, u sulmua në shtëpinë e tij. Por ai ishte me fat, pasi nuk ndodhej në atë moment në shtëpi.

Dy agresione në kaq pak kohë nuk janë më një rastësi. Kjo situatë në fakt nuk është diçka e re, siç raporton në analizën e saj gazeta spanjolle ‘Marca”. Futbollistët e Barcelonës dhe të Realit të Madridit e kanë pësuar në më shumë se një rast. Kasemiro – tani është transferuar te Mançester Junajtidi – iu futën në shtëpi gjatë derbit në vitin 2019, ndërkohë që bashkëshortja dhe vajza e tij ishin brenda. Lukas Vaskezit i ndodhi e njëjta gjë, kur ishte me pushime me familjen e vet.

Pre e grabitësve kanë qenë dhe ish-trajneri i Realit, Zinedin Zidan si dhe mesfushori Isko – tani pjesë e Seviljes, ngjarje dhe këto të ndodhura në vitin 2019. Rasti më i fundit ndër lojtarët e Realit të Madridit ishte ai i Federiko Valverdes dhe bashkëshortes së tij, Mina Bonino që u drogua dhe më pas u grabit kur ndodhej me pushime në Ibiza. Grabitjeve nuk u kanë shpëtuar as lojtarët e Barcelonës në këto vitet e fundit.

Pa mbërritur te Levandovski dhe Obamejang, rasti më i njohur ishte ai i mbrojtësit Xherard Pikes në vitin 2018. Kur mbrojtësi ishte i grumbulluar me kombëtaren spanjolle dhe asokohe nusja e tij Shakira ishte në turne, hajdutët mësynë në shtëpinë e tyre, duke vjedhur një sasi të konsiderueshme sendesh me vlerë. Zhordi Alba gjithashtu u grabit kur bashkëshortja e tij dhe fëmijët ndodheshin në shtëpi.

REKOMANDIMET E KLUBEVE – Shumë nga klubet e La Ligës i kanë udhëzuar lojtarët e tyre me materiale të dobishme për të shmangur këto ngjarje. Përforcimi i sigurinë gjatë ndeshjeve ose grumbullimeve dhe shmangia e vëmendjes është një nga udhëzimet e klubeve për lojtarët e tyre. “MARCA” është konsultuar me burime policore për të përcaktuar se deri në çfarë mase lojtarët kontrollohen nga këto banda që kërkojnë para të lehta, orë, bizhuteri, para të thata… të gjitha lehtësisht “të konvertueshme” në tregun e zi. “Tërheqin shumë vëmendjen; Makina luksoze, bizhuteri, ora, rrjete sociale…”, komentojnë nga policia. Fakti është se grupet kontrollojnë lehtësisht lëvizjet e lojtarëve. Ata e dinë kur stërviten, kur luajnë dhe janë “shënjestra” të lehta për t’u monitoruar dhe kontrolluar.

Nga policia spanjolle bëjnë me dije se në rastin e grabitjeve të lojtarëve nuk bëhet fjalë për një fenomen të ri. Por ajo që është vënë re së fundmi është shtimi i grabitjeve të dhunshme. Jo gjithnjë bëhet fjalë për banda të huajsh, por sipas policisë spanjolle shumë prej bandave vijnë nga Europa Lindore.

Obamejang ka qenë vetëm një shembull i fundit, i rrezikshëm për shkak të dhunës, kështu që siguria dhe masat paraprake duhet të rriten urgjentisht për të parandaluar që kjo të ndodhë rregullisht. Reali i Madridit, për shembull, u dërgoi një mesazh të qartë lojtarëve të tij kur filloi vala e grabitjeve: “Mos e ekspozoni jetën tuaj private në rrjetet sociale”. Fakti që vetë lojtari ose gruaja e tij tregonin pamjet e shtëpive të tyre dhe vendndodhjen e tyre, bëri që hajdutët të kishin informacione se ata kishin përdorur për të kryer grabitjet.

GRABITJA E PAMËSHIRSHME E ESHLI KOLIT – Një nga rastet më famëkeqe ishte grabitja e Eshli Kolit në vitin 2020. Ish-mbrojtësi i kombëtares angleze u tërhoq nga futbolli në moshën 38 vjeç në gusht 2019. Ai u sulmua nga një grup hajdutësh në shtëpinë e tij në Feçam në shtëpinë e tij në janar 2020.

Grabitja e famshme ndodhi më 21 janar 2020, teksa 6 grabitës të veshur me kapuça në kokë arritën të futeshin në shtëpinë e tij duke vjedhur një sasi të konsiderueshme të hollash, bizhuterish e sendesh të tjera me vlerë. Ish-mbrojtësi i Arsenalit, Çelsit, Kristal Palasit, Romës etj, u lidh në një karrige nga grabitësit dhe më vonë tregoi se kishte mbetur i traumatizuar nga ngjarja. Më shumë se dy vjet pas grabitjes, gazeta “The Mirror” publikoi se gjatë grabitjes dhe sulmit në shtëpinë e tij, Eshli Kol ishte lidhur me fre nga hajdutët, të cilët i kërcënuan se do t’i prisnin gishtat.

PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular