Prej disa javësh, vijon të mbetet mister zhdukja e biznesmenit të shumëkërkuar Ervis Martinaj i cili sipas familjarëve ka ndërprerë çdo kontakt me ta. Në këtë moment duket se çelësi në duart e hetuesve për të zgjidhur këtë çështje, është agjenti i Operacionales Jeton Lami i cili shoqëronte Martinajn
Takimi i Jeton Lamit me Gledis Nanon
Gazetari Elton Qyno ka zbuluar ditën e sotme detaje nga takimi për rreth 2 orë e gjysmë që Jeton Lami ka pasur me ish-kryepolicin Gledis Nano pak ditë para se ky i fundit të shkarkohej. Sipas gazetarit, agjenti ka dhënë një dëshmi që Nano ia ka përcjellë ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe më pas është bërë edhe shkarkimi i Nanos.
“Ky individ ka qenë në verifikim nga vetë familjarët dhe është munduar që të tregojë diçka për fatin e Ervis Martinaj. Nuk ka folur as për familjarët dhe as për shtetin. E ka takuar Gledis Nano, fillimisht e ka mohuar. Pasi është njohur me pamjet filmime, që policia i sekuestroi tek hotel Adriatik, ai doli zbuluar. Është takuar me drejtorin në zyrën e tij.
Ai ka thirrur për ta pyetur se në çfarë forme ishte njohur me Martinajn, si e ndihmonte dhe kush ishin njerëzit që ndihmonin atë. Ka qëndruar 2 orë e gjysmë. Agjenti i ka dhënë një dëshmi bombë. Nano ia ka thënë ministrin, ministri ia ka përcjellë dikujt tjetër dhe më pas ai është shkarkuar.
Ka treguar marrëdhënien e tij me Ervisn Martinaj. Marrëdhëniet e zyrtarëve të lartë me këtë individ. Shërbimin që i ka dhënë policia këtij individi. Nëse do kemi një procedim penal duke u bazuar në dëshminë e Jeton Lamit, gjysma e drejtuesve në atë godinë nuk do jenë më në shërbim”, u shpreh Qyno.
Familjarët hetim paralel për zhdukjen e Ervis Martinajt
Paralelisht me policinë, në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt po hetojnë edhe familjarët të cilët po verifikojnë rrethin e ngushtë me të cilin shoqërohej djali i tyre kohët e fundit. Gazetari theksoi në Euronews Albania familja ka shumë më tepër burime kontakt me kë individ shoqërohej Martinaj.
“Familjarët e përjashtuan mundësinë që të ishte hapur mort për djalin e tij. Shpresa vdes e fundit. Babai tha se shpresat për gjetjen e djalit gjallë janë të humbura. Ai kishte dyshimet e veta nga kush i ka ardhur e keqja. Më mirë se rrethi familjar nuk mund të investigojë për zhdukjen e tij. Familja kishte përparuar goxha me mbledhjen e fakteve.
Ata po hetojnë privatisht. Kemi dy hetime. Hetimet e familjes dhe shoqërisë dhe hetimet e prokurorisë. Faktikisht familje ka më tepër burimet e kontaktit me kë individ shoqërohej djali i tyre Ervis Martinaj. Familja e ka ditur me kë individ shoqërohej apo vajza dhe djem të rinj”, u shpreh ai.
Morti në familjen Martinaj
Prej fundit të korrikut, Martinajt kanë hapur dyer e mortit dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të presin njerëz për ngushëllim. Por kjo për shkak të vrasjes së Brilant Martinajt, djalit të xhaxhait të Ervis Martinajt në masakrën e Fushë Krujës.
“Është një ngjarje rëndë sa i përket asaj që ka ndodhur. Nuk është një emër dosido. Zhdukja e tij përbën lajm. Më mirë se një gazetar kronike të bëjë verifikimin e fakteve, që është shkuarja te familja. Faktikisht unë e kam vizituar familjen. Situata nuk është e mirë. Jo vetëm për shkak të zhdukjes së Ervis Martinajt por edhe prej vrasjes së Brilant Martinajt. Aty ka pasur një gjendje të zie”, u shpreh Qyno.
Mesazhi i fundit
Komunikimi i fundit që Ervis Martinaj ka pasur me familjarët ka qenë ai me xhaxhain e tij. Sipas Qynos, Martinaj i ka dërguar një mesazh në celular ku ka shkruar “Kujdes se do të ketë kontrolle”. Ka qenë nusja e xhaxhait që ka parë mesazhin dhe e ka pyetur se nga kush duhet të ruheshin por ata nuk kanë marrë mbrapsht asnjë përgjigje.
“Pas disa minutash nëna e Brilant Martinajt, i ka çuar një mesazh ku e ka pyetur se nga kush duhet të ruheshin. Nga ky moment ai nuk është përgjigjur më dhe familja nuk ka pasur më asnjë kontakt me të në telefon. Kur kanë nisur të kontrollojnë kamerat, kanë konstatuar se zona e Shijakut ka qenë vendi i fundit ku ai është zhdukur”, tha gazetari.
“Është zënë në besë sipas tyre. Pikëpyetja më e madhe është se pse nuk po e merr SPAK këtë çështje dhe pse policia s’ka një deklaratë zyrtare”, tha gazetari.