BallinaAktualitet“Loja” e qeverisë me pagat/ Pedagogët nuk negociojnë, bojkot pa afat nga...

“Loja” e qeverisë me pagat/ Pedagogët nuk negociojnë, bojkot pa afat nga 17 tetori: Rritje me 50% për dy vite ose nuk hyjmë në auditorë

BESARTA BASHA/ Nuk ka negociata për pagat. As 7, 10 apo 29 për qind rritje nuk kanë ndër mend të pranojnë pedagogët për t’u futur në auditorë në 17 tetor, ditën e parë të vitit akademik

Nga sheshi përpara Universitetit Politeknik, pedagogët e cilësuan përgjigjen e Kryeministrit për një “rritje” më pak se inflacioni gati ofenduese, teksa lajmëruan se do të vazhdojnë qëndresën e tyre për një shtesë reale mbi pagë, si dhe vlerësim dinjitoz. Ata kërkuan edhe mbështetjen e studentëve në protestë, duke rrezikuar vitin akademik. Bashkë me dy vitet e pandemisë, ky do të ishte i treti që në auditorë nuk do të zhvillohej mësim i rregullt

PROTESTA

Për më shumë se një orë e gjysmë protestë, me pankarta të ngjitura në muret e Politeknikut “Na lini të punojmë e jetojmë në Shqipëri”, “Çështja e universiteteve, emergjencë kombëtare”, “Arsim cilësor, paga dinjitoze”, “Mos e ktheni universitetin në klasë të 13-të” e të tjera si këto, pedagogë nga fakultetet të ndryshme të universiteteve në Tiranë, por edhe në rrethe artikuluan nëntë kërkesat ku rritja e pagave është kryesorja (sipas tabelës përbri shkrimit) pa plotësimin e të cilave nuk nisin vitin e ri akademik. “Me lëmoshë nuk gënjehemi, bëhet fjalë për qëndrim esencial ndaj arsimit të lartë publik që t’i përgjigjet ekonomisë së vendit dhe kërkimit shkencor.

Pa kërkim shkencor nuk ka zhvillim. Rritja 50% për dy vite, është e panegociueshme. Dhe për vitet e ardhshme dy herë. Nëse bëhet kjo rritje, nuk shkojmë as sa Kosova, 1200 euro”, deklaroi kryetari i Sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, teksa i bëri thirrje Kryeministrit të reflektojë. “Duke pritur Kryeministrin të bëjë ofertën e tij apo të realizojë kërkesën e ofertës sonë. Në datë 17, e kemi vendosur nëse s’do kemi një përgjigje dinjitoze me vendimmarrje, me Kryeministrin e të autorizuarit e tij, ne do vijojmë.

Besoj do na mirëkuptojnë studentët, nëse s’kemi përgjigje do e quajmë grevë si të doni ose bojkot të fillimit të vitit të ri akademik”. Sindikata ka zhvilluar disa takime me Ministrinë e Arsimit, por asnjëra prej tyre frytdhënëse. Pedagogët nga ana tjetër shprehen të indinjuar, pasi me pagën që kanë nuk përballojnë dot jetesën, e jo më të kryejnë kërkime apo të blejnë botime shkencore. “Nga 700 milionë lekë të vjetra që kanë qenë për kërkimin shkencor, janë përdorur nga qeveria 300 milionë, që nuk ndihmonin kërkimin shkencor, as cilësinë e mësimdhënies.

Sot, modeli i pedagogut ka rënë pasi paga është e vogël, çka e pengon pedagogun të blejë një botim shkencor, i cili nuk është vetëm për individin, por për universitetin”, thotë pedagogu Ardian Isufi. Pedagogët i kanë dhënë afat qeverisë deri në 15 tetor të shprehë qëndrimin final, qoftë përmes një shkrese apo takimi me ta ku të negociohet mbi kërkesat e parashtruara. Nëse asnjë nuk do të merret parasysh, do të ketë bojkot pa afat të auditorëve. Nuk janë vetëm pedagogët të zemëruar me qeverinë, por edhe studentët. Përmes një peticioni, ata i kanë kërkuar rimbursim me 100 euro në muaj për shkak të shkallës së lartë të inflacionit. Edhe kjo kërkesë, ashtu si e pedagogëve, ka mbetur në letër.

“U KTHEVA NGA ITALIA PËR TË PUNUAR KËTU”

Pedagogu në Universitetin e Shkodrës, Peter Saraçi, është një prej atyre që janë shkolluar jashtë dhe kanë zgjedhur Shqipërinë. Por, realiteti i menduar është shumë larg atij që gjeti në vend. “Universitetin e mbarova në Itali. Erdha të punoja në 2008 me qëllim që të kontribuoja për vendim tim, por sot them ku jemi? Kur u ktheva të punoja në Universitetin e Shkodrës kishim një gjenerator për dritat kur iknin.

Sot, mund të kenë ndërtuar godina, por gjendja në universitete është për të ardhur keq”. Në fjalën e mbajtur në podiumin përpara Universitetit Politeknik, profesor Saraçi apeloi qeverinë të mos bëjnë presion, por të ulen në bisedime. “Ministrja e Arsimit drejtoi gishtin te pedagogët, duke i bërë me faj për gjendjen e universiteteve. Jo! Nuk është faji im. Hajde ministre e bëje ti atë që bëra unë, hoqa dorë nga paga 1800 euro që kam pasur rrogën në Itali si moshatarë të mi që janë me dy-tri shtëpi dhe të punosh me 50 mijë lekë dhe të përballesh me problematikat që ka shoqëria shqiptare. Nuk ecet me presione”.

Kushi: Keni mundësi të tjera për të ardhura shtesë

Presioni i pedagogëve dha rezultat, ndonëse jo të duhurin. Ndonëse nuk e kishte në plan një rritje të tillë, qeveria u mblodh dje për të vendosur një rritje në masën e vetëm 7%. Sakaq, ajo që proklamoi ishte një tjetër shifër, 15%, e cila është veçse një leje që iu jepet vetë universiteteve për t’ua rritur pagat punonjësve të tyre. Pra, e ndan peshën e vendimmarrjes dhe barrës financiare me institucionet e arsimit të lartë. Përveç kësaj, sjellim në vëmendje që i vetmi universitet që ka autonomi të plotë dhe mund të vendosë vetë për menaxhimin e të ardhurave është ai i Tiranës, që ka shumicën në Bordin e Administrimit.

Të gjitha të tjerat praktikisht varen nga qeveria. “Kemi vendosur që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15%, ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër do të paguhet nga universitetet në varësi të të ardhurave të tyre, me autonominë që gëzojnë me vendimmarrjen e tyre në senatet akademike dhe bordet e administrimit që mund të miratojnë edhe përtej këtij niveli minimal. Është një vendim i rëndësishëm që në fakt nxit edhe rritjen e vetë performancës nga ana e universiteteve. Sepse duke rritur më shumë të ardhurat e tyre, natyrisht rrisim edhe më shumë mundësinë për të rritur pagat e pedagogëve”, deklaroi ministrja e Arsimit në deklaratën për mediat pas mbledhjes së qeverisë.

Përpos kësaj, Kushi iu kujtoi “ajkës së arsimit” se pagat nuk janë i vetmi burim të ardhurash për ta, ndryshe nga profesione të tjera që kanë kthyer sytë nga qeveria. “Duhet të kuptojmë edhe një specifikë, që shpesh ma bëjnë pyetje në lidhje me mësuesit, policët, punonjësit që u është rritur paga edhe më parë. Duhet të kuptojmë që pedagogët, komunitet të cilit kam nderin t’i përkas. Të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë, por kanë edhe shumë mundësi të tjera, ndryshe nga mësuesit apo policët që kanë vetëm pagat mujore”, deklaroi ministrja, duke premtuar gjithsesi se do të ketë rishikim të kufirit maksimal të pagës, por jo asaj çka qeveria është e gatshme të heqë mënjanë për pedagogët. Ministrja rendit disa shifra marramendëse për universitetet, për të cilat pedagogët ngrenë supet, pasi nuk kanë dëgjuar asnjëherë për to e aq më pak mënyrën e menaxhimit.

Rama ua rrit pagën 7%: Po kërkoni qiqra në hell!

Kryeministri Edi Rama nuk e mori në konsideratë kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagës me 50%. Nga Universiteti Bujqësor, kreu i qeverisë njoftoi se nga 1 tetori pagat do të rriten deri në 15%, por buxheti i shtetit do të mbulojë vetëm 7%, kurse pjesa tjetër nga universitet. Kreu i qeverisë lajmëroi vetëm 7% rritje, ndryshim i cili u konsiderua qesharak nga komuniteti i pedagogëve. Megjithatë, protestës së tyre dhe paralajmërimit se nëse deri në 17 tetor nuk plotësohen kërkesat e tyre do të bojkotojnë fillimin e vitit të ri akademik, qeveria iu përgjigj me një vendimmarrje të menjëhershme. I pari që bëri me dije rritjen e pagave të pedagogëve ishte Kryeministri gjatë një aktiviteti në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Rama iu kujtoi atyre autonominë e universiteteve për rritje page. “Pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme, midis mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ia bën rrogën vetës, edhe dyfish e deri në pesëfish, me fondet e tjera. Ne do të bëjmë një rritje pagash prej 7 për qind, por ama do t’i njohim të drejtën e një tavani universitetit për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vet”, u shpreh Rama. Lajmi i dhënë nga Edi Rama u materializua në mbledhjen e qeverisë. Por Kryeministri i cilësoi qiqra në hell kërkesat e bëra nga pedagogët për rritje page, duke theksuar se ata janë një sektor që ka autonomi në vendimmarrje dhe pjesërisht në financim. Ai u shpreh se nuk mund të bëhen këto kërkesa kur shërbimi që jepet nuk është njësoj në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, pasi sipas tij nuk do kishte gjithnjë e më pak studentë në auditorë.

Rama e quajti të gabuar lëvizjen e studentëve për të aspiruar të jenë juristë të ardhshëm duke shtuar se shumë shpejt universiteti më i kërkuar do të jetë ai Bujqësor. “Po të mos ishte autonomia, Bardhin nuk e zgjidhja unë se është demokrat. Por ne bashkëpunojmë shkëlqyeshëm se partitë i lëmë të dera. Ju vetëqeveriseni. Të jesh një komunitet që vetëqeverisesh dhe të thuash që unë nuk jap llogari, por të gjitha të tjerat i dua nga qeveria kjo nuk bën asnjë sens. Kërkohen qiqra në hell në raport me kohën që jetojmë. Aq më tepër shërbimi që jep universiteti nuk e kemi kudo aq të mirë. Sepse nuk do kishim universitete që kanë gjithmonë e më pak studentë. Ky nuk është rasti i UBT-së. Ka një budallëk që qarkullon që po të studiosh në UBT, nuk ke perspektivë.

Sa më shumë të kalojnë vitet, aq më shumë do të vlerësohen njerëzit që kanë dije për ushqimin, burimet. Në këtë territor do të vijë dita që kërkesat do të jenë të papërballueshme. Sepse nuk do të zgjidhen problemet e ushqimit dhe klimës me juristë. Do të vijë momenti që kushdo e kuptojë që është e humbur rruga duke u turrur të gjithë te juridiku”, deklaroi Edi Rama. 7 përqindëshi nga qeveria është refuzuar nga pedagogët protestues. Ata kërkojnë një rritje 50 për qind, e ndarë në dy pjesë, 30 për ketë vit dhe 20 në vazhdim. Por kjo kërkesë u cilësua nga Evis Kushi si jo realiste dhe ftoi në dialog stafet akademike me premtimin se rritja e pagës së pedagogëve do të vijojë. Kurse nga Universiteti Bujqësor, Rama tha se pedagogët e kanë vetë në dorë ta marrin pagën sa të duan, ndërsa nga qeveria do të kenë vetëm 7% rritje, duke shpërfillur kërkesën për 50% në 2 vite.

Berisha: Rritja 7% e pagës për pedagogët, vendim arrogant i Ramës

Vendimin e qeverisë për të rritur me 7% pagat e pedagogëve Sali Berisha e cilësoi dje urrejtje përçmuese të Kryeministrit ndaj arsimit të lartë. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, kreu i demokratëve ftoi qytetarët të mbështesin protestat e pedagogëve. “Parashikon zero rritje buxhetore për rrogat. Dje e kishte 10, sot e ka 7 që ta çojë nesër 10, është nën inflacion, është më ulët sepse inflacioni i vërtetë është 12%. Pra, nuk përbën as indeksim, përbën cinizëm.

Dhe ajo që është më e rëndë është se premton 30% tjetër rritje rroge nga tarifat e studentëve, u thotë studentëve, familjeve të tyre, paguani ju tani për pedagogët”, deklaroi Berisha. Kreu i PD-së shprehu mbështetje për kërkesat e pedagogëve që kërkojnë rritje page. Duke komentuar vendimin e qeverise për rritje 7% të pagave te tyre, Berisha tha se ky është një qëndrim cinik dhe arrogant. “I garantoj se PD qëndron në mbështetje të çdo kërkese që ata sot i drejtuan një qeverie arrogante, mashtruese dhe hajdute. Kërkesat e pedagogëve, punonjësve e studentëve janë klithma të vërteta për të shpëtuar arsimin universitar që është në rrokullisje të madhe.

Edi Rama është përgjigjur me një qëndrim cinik, urrejtës e përçmues sindikatave të arsimit të lartë dhe kërkesave të tyre. Edi Rama ka hartuar një vendim, me të cilin ai shpreh arrogancën, cinizmin dhe përçmimin ndaj universiteteve. Kërkon të përçajë trupën akademike nga kolektivi studentor. Në vendimin e tij parashikon zero rritje buxhetore për rrogat. 10% që deklaron se do rriten nga buxhetet, dje e kishte 10 sot e ka bërë 7 është nën inflacionin, është më i ulet se inflacioni i vërtetë është 12%, pra nuk përbën as indeksim. Cinizëm.

Ajo që është më e rëndë është se premton 30% tjetër rritje rroge nga tarifat e studentëve. Domethënë u thotë studentëve e familjeve të tyre paguani ju tani për pedagogët e studentëve. Nëse mbetet që pedagogët të paguhen me tarifat e studentëve ato janë thjesht iluzion sepse kancelarë, bordet që përfaqësojnë qeverinë në universitete kanë zhdukur lirinë në jetën akademike. Kanë vendosur kontroll të plotë totalitar. I bëj thirrje çdo pedagogu në universitetet e vendit të mos përkulen para këtij qëndrimi arrogant, cinik, mashtrues të një njeriu që po çdo universitetet tona drejt shkatërrimit.

U bëj thirrje qytetarëve të mbështesin këtë protestë me një kusht për të ruajtur universitetet si institucionet e formimit të inteligjencës sonë kombëtare. Duke përgëzuar sindikatën e punonjësve të universiteteve dhe të gjithë ata që morën pjesë në atë protestë masive dhe duke dënuar deklaratat cinike që Rama bëri në UBT, bëj thirrje të vazhdojë kjo betejë. PD do të jetë në mbështetje të kërkesave të drejta dhe shpëtimtare”, theksoi Berisha.

Protesta, Meta: Kërkesa për rritjen e pagës, e realizueshme

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, doli dje në mbështetje të protestës së profesorëve dhe pedagogëve, të cilët dolën sot në tubim për të kërkuar nga qeveria rritje të pagave. Meta shkruan se kërkesat e pedagogëve janë tërësisht legjitime dhe sipas tij kjo shtesë mund të realizohet nga qeveria.

“Solidaritet të plotë me protestën e pedagogëve dhe profesorëve të Shqipërisë. Kërkesat e tyre për rritjen e pagave janë tërësisht legjitime dhe plotësisht të realizueshme”, shprehet kreu i PL-së. Pedagogët kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre për rritjen e pagave me 50 %. Në të kundërt u shprehën se nuk do të hyjnë në auditorë. Pedagogët kërkojnë që arsimi i lartë të shihet si prioritet në Shqipëri. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, duke qenë pjesë e komunitetit të pedagogëve, kërkoi mirëkuptimin e tyre dhe i nxiti ata që të mos bazohen vetëm te paga, por që të bëhen pjesë edhe e projekteve ndërkombëtare për kërkimin shkencor. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular