Nga: Albina Roshi

E ashtuquajtur, si simbolikë e vatrës së besës dhe bujarisë. Dibranët, si popull karakterizohen për qëndresë dhe trimëri të trashëguar ndër breza. Frymën e atdhetarizmit e kanë tejçuar përtej kufijve.  Në oda  thurreshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku festohej e gëzohej, ku kumbonte kënga apo niste gjëma, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik. Odën e mbante gjallë fjala. Fjala ishte besa e dhënë, që kurrsesi nuk duhej prishur.

Shumë prej studiuesve e kanë cilësuar ‘’Odën Dibrane’’, një universitet më vete’’, ‘’një fjalor që nuk i humbet vlera me ecjen e kohës’’.

Në këtë “Odë”, fjala kishte peshë shumë të rëndë. Jo më kot thuhej se: kur të shkosh në “Odën e Dibrës” duhet të marrësh me vete “një metër, një kandar dhe një thikë me dy presa”.

Pra, të mendohesh mirë para se të flasësh, se tërë sy e veshë të vëzhgojnë.

Gojë më gojë trashëguan tradita të motshme, që i mbartnin vetëm ‘’nëntë malet e Dibrës’’. Në mes këtyre maleve jehon vlera e kulturës shqiptare.

Kjo traditë shekullore rimorri jetë, duke u formësuar në një festival të përvitshëm. Festivali ‘’Oda Dibrane’’ ka nisur jetën e tij që në vitin 1994, në Peshkopi. Që prej asaj kohe është kthyer në një takim tradite, për të rizgjuar vlerat e papërsëritshme kulturore.

Menjëherë pas vjeljes së vjeshtës, hap dyert festivali i‘’Odës Dibrane’’, i cili zgjat tre ditë.

Përtej kufizimeve pandemike, edhe këtë vit festivali zhvillohet në datat 7, 8, 9 Tetor 2021.

Janë këto data që bëjnë bashkë dibranët, shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve.Nisi më datë 7 Tetor në Dibër të Madhe për të marrë udhën drejt Peshkopisë në datat 8 dhe 9 Tetor.

Në këto ditë marrin pjesë grupe folklorike nga trevat shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi,
Në ditët e Festivalit zhvillohen biseda të ndryshme, ekspozita fotografike me motive folklorike, ekspozitë e arteve figurative të piktorëve dibranë, vizita në monumente të kulturës së zonës. Një larmishmëri aktivitetesh, që triumfon me vallet dibrane në bulevardin ‘’Elez Isufi’’, Peshkopi.

Në këtë odë, ku hareja e gëzimi derdhet lumë, nuk mungon edhe festa e të vjelave. Produktet bio, aroma e vjeshtës kundërmon tërë qorrsokakët e qytetit.

Në ditët e Festivalit zhvillohen, gjithashtu, edhe biseda të ndryshme, ekspozita fotografike me motive folklorike, ekspozite e arteve figurative te piktoreve dibranë, vizita në monumente të kulturës së zonës, etj.

Këto ditë ‘’Qyteti i Blinajve’’ zbukurohet nga ngjyrat e kostumeve popullore, që dëshmojnë historinë e identitetit tonë si popull.

Krahas dëshmive që shpalosen me valle popullore dhe humoristike, ndahen edhe çmime për artistët që kanë kontribuar në art e kulturë.

Në këtë oaz kulture deklarohet jeta e trimave dibranë që hijerëndë kanë qëndruar në konakun e Dibrës. Shumë studiues, historian e autorë shqiptar e të huaj shkruajnë për Dibrën.

Përmendim vargjet e të madhit Fan Noli :

Njerëz të zgjuar me lezet

që i gjen në cdo anë

që të bëjnë muhabet

ata janë mjeshtërit dibranë

Mjeshtëria e dibranëve ka bërë emër. Amanetët e të parëve që të ruajnë gjakun e tyre dibran e trashëgojnë në mënyrë të fisme i madh e i vogël.

Dibra mbetet djepi, ku kanë lindur dhe janë rritur bij shqiptar, që kanë skalit emra në fusha të ndryshme.

Nën tingujt e kohërave të njëpasnjëshme do jehojnë rrugicat e Dibrës. Për të përjetuar një kohë të stërgjyshërve tanë duhet prekur nga afër.

Për këtë, eja në Dibër, në oazin e kulturës!