Në negociata pa kushte”, Gazment Bardhi flet pak orë para nisjes së negociatave: Edi Rama nuk mundet me statut, por me bashkimin e çdo zëri opozitar
Dy palët në Partinë Demokrarike kanë ngritur flamurin e bardhë të armëpushimit dhe janë deklaruar publikisht se janë gati të eksplorojnë mundësitë për të garuar së bashku në zgjedhjet lokale. Takimi mes negociatorëve Edi Paloka dhe Gazment Bardhi ende nuk ka ndodhur, por është vetëm çështje orësh pas kthimit të Palokës në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Pa Censurë”, Gazment Bardhi i grupit më të madh parlamentar të PD tregon sesi arrihet suksesi dhe çfarë mund të çojë në dështimin e negociatave.
PJESË NGA INTERVISTA E GAZMENT BARDHIT PËR EMISIONIN “PA CENSURË”
Elona Meço: Zoti Berisha nuk heq dorë nga primaret, ju nuk hiqni dorë nga padia. Çfarë negociatash janë këto?
Gazment Bardhi: E kam thënë më parë, edhe zoti Berisha e tha, që ne hyjmë në këto negociata pa kushte. Nëse do të vendosim kushte dhe do të qendrojmë peng i konflikteve apo debateve, mendimeve të ndryshme që kemi patur gjatë këtij viti, e sigurtë është që nuk do të gjejmë dot një rrugë që na bashkon, një rrugë që na siguron bashkëpunim të sinqertë të demokratëve në njësitë vendore për të qenë konkurues dhe për të fituar zgjedhjet. Zoti Berisha nuk ka vendosur kushte, nuk ka pranuar kushte, mesa ka pohuar publikisht. E njëjtë ka qenë edhe qasja jonë, nuk vendosim dhe nuk pranojmë kushte. E rëndësishme në këtë proces është që bisedimet të jenë të sinqerta, të kenë si qëllim vetëm mundësinë që demokratët të fitojnë zgjedhjet lokale, pa e ngatërruar me çështje të tjera që na ndajnë prej kohësh. Nuk ka ndodhur asgjë që secila palë të ndryshojë qendrim për çështje të caktuara.
Elona Meço: Retorikën tuaj e kuptoj, edhe atë të zotit Berisha, por realiteti është ndryshe. PD e zotit Berisha ka një statut të vetin. Ju keni një statut tuajin. Atëherë a nuk janë të dështuara negociatat ende pa nisur? Ju nuk hiqni dorë nga statutet përkatëse.
Gazment Bardhi: Ne nuk do të negociojmë mbi baza statuti, por mbi mundësinë sesi demokratët në bazë të bëhen bashkë për të mundur Edi Ramën. Ky nuk është një rregull i shkruar në statut.
Elona Meço: Por pala tjetër ka primare në statut.
Gazment Bardhi: Edhe pala tjetër ka Këshill Kombëtar, kryesi. Këto çështje nuk i kemi zgjidhur për një vit. Do të qendrojmë peng i këtij debati apo do t’i japim zgjidhje demokratëve që ata të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën. Mendoj se interesi i PD dhe i demokratëve nuk është se cili është statuti në fuqi. Edi Rama nuk mundet me statut, por me bashkim të çdo zëri opozitar, kudo që të jetë pozicionuar ai dhe cilido qoftë statuti që ai njeh. Nëse ne qendrojmë peng se cili është statuti, cilat janë organet e partisë ne qendër, si zgjidhen, e sigurtë është që këto bisedime do të dështojnë. Unë nuk hyj me këtë paragjykim. Kam kuptuar që edhe kolegët e tjerë nuk hyjnë me paragjykim, por për hallin tonë të përbashkët, si mundet Edi Rama. Pastaj, hallet personale të secilit prej nesh nuk kanë asnjë rëndësi për demokratët që duan të shohin fituese PD në zgjedhjet lokale. Hyj në këto bisedime me këtë qëllim, me këtë mision. Uroj shumë që edhe kolegët të hyjnë me këtë qëllim, me ketë mision.