PS pranon amendamentin e grupit parlamemtar të PD për hapjen e plotë të dosjeve/ Zbardhet amendamenti i dakordësur
Sot Kuvendi do të miratojë ndryshimet për ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku dy grupet parlamentar të PS dhe PD kanë bërë propozimet e tyre. Të hënën në Komisionin e Ligjeve duket se konsensusi midis palëve u prish, për shkak se deputetët socialist pranuan pjesërisht propozimet e Grupit Parlamentar të PD. Pasi u ra dakord me propozimin e PD për deklasifikimin e plotë të dosjeve të ish sigurimit të shtetit, demokratët këmbëngulën tek hapja e plotë e dosjeve dhe aksesi i qytetarëve tek to, por kjo u refuzua nga socialistët.
Mirëpo, PD nuk hoqi dorë dhe e ka paraqitur në seancë plenare amendamentin që nuk u aprovua në Komisionin e Ligjeve. Pas diskutimeve duket që socialistët janë tërhequr nga qëndrimi fillestar dhe kanë pranuar hapjen e plotë të dosjeve. Palët kanë dakordësuar amendamentin që pritet të votohet në seancën plenare të sotme, duke përfshirë të plotë propozimet respektive të palëve.
Amendamenti i dakordësuar për hapjen e plotë të dosjeve është si më poshtë: “Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.”.