Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, bëri mbrëmë një deklaratë të fortë sa i takon Reformës në Drejtësi në vendin tonë
Ajo u shpreh në “Report TV” me moderatorin Sokol Balla, se ka dëgjuar plot histori me njerëz që nuk i zë gjumi duke vrarë mendjen nëse e kanë ata radhën për t’u shpallur non grata apo për të shkuar në burg. Kim shtoi se në rast se je i frikësuar, me shumë gjasë ke shumë arsye të forta për t’u shqetësuar, ndërsa përsëriti apelin për prokurorët dhe gjyqtarët që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre.
Por më lejoni një pyetje të vogël. Kur thatë që do të arrijmë atje, te heqja e vizave. Kur mendoni se do ndodhë?
Dhe një nga gjërat e mëdha që bëmë në 2022 ishte e rritja e vlefshmërisë së vizave nga tre vjet në dhjetë vjet, çka do të thotë se shqiptarët po i ndjekin rregullat gjithnjë e më shumë kur vjen fjala te vizat. Dhe synimi ynë, si Shtetet e Bashkuara, është të arrijmë në një pikë ku mjaftueshëm njerëz ndjekin rregullat, ka mjaftueshëm begati dhe mjaftueshëm shkëmbime midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë sa të mund të mos kemi viza. Pra, ky është synimi i madh dhe mendoj se do arrijmë atje.
Kur mund të ndodhë?
Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por mund të them këtë. Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetëvjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë
E di që ka pasur përparim dhe e di që keni shifra. Nuk do doja t’i mohoja, kështu që po jua lë juve fjalën në fillim të më thoni: A ka qenë SPAK një sukses?
Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por patjetër po shohim rezultate dhe po ndërtohet, mendoj ka një shprehje shqiptare – gur, gur …
…bëhet mur…
Por po ndodh, dakord? Po ndodh. Po lëvizim përpara. Reforma në Drejtësi ka mbështetjen e fortë, absolute të Shteteve të Bashkuara, si dhe të BE-së. Dhe më shumë se kaq, ka mbështetjen e popullit shqiptar. Më lejoni të ndaj me ju disa statistika. Nga krijimi i SPAK janë konfiskuar mbi 70 milionë dollarë asete, ato që dimë deri tani. Shifrat e vitit 2022 po finalizohen. Por nëse sheh periudhën përpara SPAK-ut, nga 2011 në 2019, në atë periudhë prej nëntë vitesh, konfiskuan, gjykatat konfiskuan rreth 20 milionë dollarë. Nga 2020 në 2021, u konfiskuan 70 milionë dollarë. Në vitin 2022 besojmë se shifra përfundimtare do të jetë mbi 100 milionë. Ky është përparim real. Këto janë rezultate reale, shifra reale. Nëse sheh grafikun tjetër, për token e sekuestruar, gjatë 2019-2020, asgjë. Në vitin 2021, 22,300 metra katrorë, vlerësuar afro 2.2 milionë dollarë. Në vitin 2022, u morën 305,175 metra katrorë. Këto janë prona të mbajtura nga ata që u dënuan për korrupsion ose përfshirje në krim të organizuar. Tani keni një drejtues të ri në SPAK. Besojmë se ka aftësitë për të pasur sukses dhe për ta çuar SPAK-un në nivelin tjetër. Por dua të theksoj këtë: reforma në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me SPAK. Është një sistem i tërë që përfshin gjyqtarë, prokurorë e të tjerë, inspektorë, hetues, policia. Të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre. Kam folur me njerëz anekënd vendit. Po bënim një studim në fakt se ku kam qenë në Shqipëri. Dhe nga 61 bashkitë, kam qenë në rreth 70% të tyre; do doja të arrija 100% të tyre. Gjithsesi.
Por në këtë vend, kur vjen fjala te Reforma në Drejtësi dhe tek opinionet, duket sikur ka rëndësi vetëm opinion i së djathtës dhe i së majtës jo, jo i politikanëve, dua të them i njerëzve. Ka njerëz nga e djathta që thonë, e dini, shumë mirë, ka ministra, deputetë, zyrtarë të lartë, ish-zëvendës ministra në burg për korrupsion. Por pastaj, kur sheh nga e djathta dhe sheh se çfarë akuzash ka pasur për këta njerëz nga e djathta në këtë dhjetëvjeçar të fundit, atyre nuk u ndodh asgjë?!
Nuk jam dakord me ty. Mendoj se nëse sheh gamën e përgjithshme të njerëzve që janë detyruar të përballen me drejtësinë, nuk është e vërtetë. Por realiteti është ky, që këto çështje marrin kohë për t’u ndërtuar sepse disa prej tyre janë injoruar në ndër vite dhe duhet kohë për të rindërtuar çështjet, për të grumbulluar faktet. Dhe ajo që theksojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë është se duhet të ndjekin faktet; duhet të ndjekin ligjin; dhe duhet të japin drejtësi.
Nuk i themi ndonjërit nga këto institucione se cilat çështje të ndjekin. Nuk kemi këtë detyrë. Dhe nuk kemi punë me këtë. Puna dhe detyra jonë është të themi se duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; që është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët. Ka disa njerëz që duan që ju të besoni se reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Ndaj injorojnë faktet dhe thonë se asgjë s’ka ndodhur kështu që është okay të thuash se s’do ndodhë gjë. Por faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’u thosha përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve: bëni punën tuaj!
Ju pashë ditën kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë po zgjidhte kreun e ri të SPAK, gjërat lëvizën vetëm kur shkuat ju…
Nuk jam dakord për këtë. E shpjegova ditën kur shkova aty, sepse e di që njerëzit po tirrnin lloj-lloj teorish dhe kishte shumë keqkuptime. Përsëris, pati një përpjekje për ta paraqitur këtë si një person që ishte kundër një tjetri. Është thjesht çmenduri. Arsyeja pse ishim atje ishte arsyeja pse kemi qenë në takime të tjera si ky dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Për të përforcuar dhe demonstruar mbështetjen e fortë të SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Për t’u siguruar që secili e kupton që ne presim nga lojtarët, aktorët këtu që të ndjekin shtetin ligjor, që kur marrin vendime, duhet të marrin vendime të bazuara në ligj dhe rregulla dhe kritere, jo bazuar në frikë apo favore. Është shumë e rëndësishme që kushdo që të zgjidhej kreu i SPAK ose kushdo që zgjidhet gjyqtar apo inspektor, të gjithë këta individë në sistemin e drejtësisë, është e rëndësishme të kuptojnë, të besojnë dhe, në fakt, të vendosen në ato poste bazuar në kualifikimet e tyre, jo si rezultat i kërcënimeve a favoreve. Këtë duam të bëjmë. E di që ka shumë teori sikur Shtetet e Bashkuara favorizojnë një kandidat të caktuar apo kundër këtij apo atij personi. Të gjitha janë të rreme. Janë vërtet lajme të rreme. Synimi ynë i vetëm në çdo gjë që kemi bërë për sa i përket reformës në drejtësi është të sigurojmë zbatimin e saj në përputhje me ligjin dhe për të përforcuar kurajën e atyre që janë në pozita me përgjegjësi për të bërë punën e tyre.
Pati ndonjë frikë a shqetësim se procesi atë ditë po ndikohej politikisht apo nga kërcënime a favore?
Ajo që mund të them është se për Shtetet e Bashkuara, ishte shumë e rëndësishme që vendimi të merrej në përputhje me ligjin, bazuar në kritere transparente, në përputhje me një proces transparent, dhe se kushdo zgjidhej e kupton se prandaj është në atë pozicion. Dhe kjo është e gjithë historia këtu. Kjo është “real story”.
Doja të bëja një pyetje tjetër, nëse kishte shqetësim për ndërhyrje nga qeveria, sepse e dini, opozita pretendon se qeveria në fakt po i fut duart kudo në sistemin e ri të drejtësisë. Por ju thatë më parë që marrëdhëniet mes dy qeverive janë në nivelin më të lartë se ndonjëherë. Si është marrëdhënia juaj personale me kryeministrin?
Marrëdhënia midis dy qeverive është shumë e fortë dhe pjesë e asaj marrëdhënieje është një marrëdhënie midis kreut të qeverisë dhe ambasadores amerikane. Dhe, përsëris, dua t’u kërkoj njerëzve t’i largohen të vështruarit të këtyre marrëdhënieve si personale. Nuk janë marrëdhënie personale. Janë marrëdhënie zyrtare. Dhe ajo që mund t’ju them është se kur kryeministri dhe unë diskutojmë një çështje që është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, i realizojmë gjërat. Nuk mund të kërkonim partner më të mirë, qoftë në Këshillin e Sigurimit, në NATO, për çështje kritike. Për shembull, vendimi i Shqipërisë për të qenë vendi i parë që doli vullnetar për të marrë afganët që po iu iknin talibanëve, për t’iu dhënë një strehë të sigurt për pak muaj rrugës për në Shtetet e Bashkuara për një jetë të re. Është diçka shumë e respektueshme që bëri ky vend. Ajo që është mbresëlënëse është që kryeministri e mori atë vendim si përfaqësim i plotë dhe i vërtetë i vullnetit të popullit shqiptar. Ende nuk kam takuar ndonjë shqiptar që nuk ndihet krenar, madje që nuk e sheh këtë si plotësisht normale nga ana e Shqipërisë. Ky vend nuk merr aq merita sa duhet për faktin që është i mirë, i nderuar, që është një mik që të ndihmon në moment nevoje. Dhe shpresoj që populli shqiptar e kupton se sa shumë bota i admiron dhe se sa mirënjohëse Shtetet e Bashkuara janë për atë ndihmë.
Pati një reagim pak kohë më parë nga Ministria e Jashtme, një informacion, një përgjigje pa një pyetje, që fliste për ju dhe kohën e largimit tuaj nga vendi. Dhe të gjithë komentuesit, analistët, të gjithë, majtas a djathtas, bien dakord që ishte të paktën gabim. Pastaj ishte ministrja e Jashtme. Doli dhe tha se e bëmë për t’u dhënë fund thashethemeve që qarkullonin. Ma merr mendja s’ju ka pyetur njeri në publik për këtë, kështu që më vjen mirë që jam unë i pari. Si ju duk juve ajo? Keni një interpretim a shpjegim? Pati edhe fjalë se shkuat në ministri dhe folët me ministren për këtë.
Shiko, ministrja e Jashtme ka qenë në atë post për ca kohë. E njohim mirë, përfshi nga koha e saj si ministre e Mbrojtjes. Dhe kur Qeveria e Shqipërisë nxjerr një shpjegim, marrim fjalën e tyre.
Që do të thotë?
Dhanë shpjegim. Pranojmë fjalën e tyre.
Pra, shpjegimin pse e thonë…
Pranojmë fjalën e tyre.
Pra, i besoni?
Pranojmë fjalën e tyre.
Po i vij rrotull pyetjes. Kur largoheni?
Do doja ta dija. Shiko, normalisht nëse sheh mandatin e ambasadorëve të ndryshëm amerikanë që kanë qenë këtu, zakonisht jemi këtu për rreth tri vjet. Por në fund varet nga vendimi i Presidentit sepse një ambasador është përfaqësues personal i Presidentit Amerikan. Dhe, varet edhe nga Senati ynë që duhet të konfirmojë atë që emërohet. Kështu që s’kam mënyrë për ta parashikuar. Gjithçka mund të them është se jam këtu për të bërë një detyrë në emër të vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj deri ditën e fundit. Dhe nuk e di se kur është ajo ditë e fundit.
Zonja ambasadore, në 6- 7 muajt e fundit, kam parë se keni mbajtur një rol më të larguar ndaj çështjeve politike të brendshme. Le të themi se 2022 filloi me vizitën e Z. Escobar dhe intervistën që më dha në Ambasadën e SHBA, si dhe paralajmërimet e drejtpërdrejta, nuk do t’i quaja kërcënime, por paralajmërime që dha ndaj zhvillimeve brenda Partisë Demokratike. Shoh që ju dhe ambasada keni pasur një rol më të larguar ndaj këtyre zhvillimeve. Është perceptim i saktë apo?
Jo, e shoh ndryshe. Pozicioni i SHBA për luftën kundër korrupsionit është shumë i qartë. Siç e vutë ju në dukje më herët, Presidenti Biden nxori në qershor 2021 një vendim ku lufta kundër korrupsionit deklarohet si interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur Presidenti Amerikan thotë diçka të tillë, është serioze. Dhe pasohet nga veprime. Pjesë e kësaj janë shpalljet (non-grata) që kanë bërë Shtetet e Bashkuara. Pasi i nxjerrim ato, ne nuk vazhdojmë t’i diskutojmë dhe diskutojmë më. Elementi tjetër i gjithë kësaj është që fokusi ynë dhe besojmë edhe fokusi i popullit shqiptar duhet të jetë tek e ardhmja. Tek e ardhmja. Ku po shkoni? E dimë të gjithë se ku keni qenë. Nuk mendoj se ndokush dëshiron të kthehet pas dhe mendoj se populli shqiptar nuk duhet të lejojë askënd dhe asgjë që ta zvarrisë këtë vend pas në të shkuarën. Duhet të lëvizim përpara. Ka një të ardhme të ndritur përpara, por duhet të lëvizim përpara për ta arritur atë. Ju kam treguar statistikat për reformën në drejtësi. Ju tregova statistikat për tregtinë. Mund t’ju tregoj statistikat edhe për marrëdhënien tonë për fushën e mbrojtjes. Së bashku, po bëjmë histori, apo jo? Por për të lëvizur përpara, duhet t’i lëvizim të dyja këmbët përpara. Nuk mund ta lëmë njërën këmbë të ngecur tek e shkuara. Nuk mund të lëmë askënd dhe asgjë që të na zvarrisë në të shkuarën. Nuk kthehemi pas. Nuk mund të kthehemi pas. Duhet të ecim përpara. Prandaj them gjithnjë se duhet të ecim përpara. Gjithmonë bashkë, gjithmonë përpara.
Po kur ke një nga dy partitë kryesore politike në trazim dhe të qenit në duart e së shkuarës… ?!
Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta. Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre. Ne besojmë, si Shtetet e Bashkuara, që kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me Partinë Demokratike. Kemi qenë aty që nga lindja e saj. E vetmja kohë kur ambasadori amerikan ka “ndërhyrë” në punët e brendshme, në politikën e brendshme ishte në 1990-91, ndjesë, 1992, kur paraardhësi im, Ambasadori Rajerson, në fakt bëri fushatë me Partinë Demokratike, me udhëheqësit e saj.
I keni dhënë emrin e tij rezidencës suaj.
… dhe që iu thoshte njerëzve të votonin për Partinë Demokratike sepse ata përfaqësojnë të ardhmen. Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas.
Kjo është diçka e bukur, në fakt, dhe unë e besoj plotësisht. Por ka disa njerëz që nuk e besojnë. Dhe ironikisht, janë njerëz brenda Partisë Demokratike. Ju përmendët që ndërhyrja e vetme, në kuptimin e parë të fjalës, në politikën e brendshme nga ambasadori amerikan ka qenë në 1991-91 me Z. Rajerson. Sigurisht, të gjithë ambasadorët e SHBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, parësor, në Shqipëri. Dhe kjo ju përfshin edhe ju dhe praninë tuaj këtu. Disa thonë se në fakt ju keni ndërhyrë më shumë se duhet në politikën këtu. Personalisht, më ka pëlqyer. Disa të tjerë, jo. A e pranoni se ndoshta keni thënë ose bërë diçka që kapërceu detyrat tuaja si ambasadore amerikane këtu? Diçka që do ta korrigjoni në fazën tjetër të karrierës tuaj?
Shiko, puna ime është të shërbej si përfaqësuesja personale e Presidentit amerikan dhe, në këtë cilësi, të zbatoj dhe çoj përpara politikën e jashtme të SHBA kur vjen fjala te Shqipëria. Dhe, kur vjen fjala te Shqipëria, fokusi ynë është te forcimi i institucioneve demokratike, tek krijimi i një situate ku më shumë biznese amerikane të mund të investojnë në Shqipëri sepse është diçka e mirë për ne dhe është e mirë për ju. Dhe të zhvillojmë një marrëdhënie që na lejon si partnerë të jemi kontribuues neto në sigurinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe për rajonin, dhe tani, si anëtarë në Këshillin e Sigurimit të OKBsë, për botën. Këtu është fokusi ynë. Tani, ndonjëherë njerëzit bëjnë akuza bazuar në faktin nëse iku pëlqen ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë apo nuk iu pëlqen ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë. Nëse iu pëlqen, është kontribut, nëse nuk iu pëlqen, është ndërhyrje. Por në fund të ditës, për ne, nuk është asnjëra nga këto. Jemi thjesht duke bërë punën. Unë po bëj punën time.