BallinaAktualitetNdërron jetë në Amerikë xhaxhai i zyrtares që u vodh nga pastruesja!...

Ndërron jetë në Amerikë xhaxhai i zyrtares që u vodh nga pastruesja! Alda Klosi dëshmoi në Polici se 120 mijë eurot i përkasin…

Kur policia dhe prokuroria ende nuk i gjejnë dot pronarët e qindra mijëra eurove që u vodhën në shtëpinë e Alda Klosit, kur Prokuroria urdhëroi nisjen e verifikimit të pasurisë së xhaxhait të ish-zyrtares së lartë që ishte vjedhur, nga Amerika vjen lajmi që ai kishte ndërruar jetë

Alda Klosi teksa kishte denoncuar bastisjen e shtëpisë së saj nga pastruesja e saj, kishte dëshmuar në polici se paratë e marra nga Rozeta Dobi i përkisnin xhaxhait të saj, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se po kurohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë që Policia dhe Prokuroria mbeten të “varura” në shumën prej 404 mijë eurove, të cilave nuk po iu dilte i zoti dhe që ishin gjetur në banesën e Rozeta Dobit, deklaratat e dy grave, një kallëzuese tjetra e kallëzuar, nuk përkonin me njëra-tjetrën. Për pasojë, grupi i hetimit ndërmori një veprim procedural për të kryer verifikimin e pasurisë së të gjithë protagonistëve që gjendeshin në historinë e bujshme të vjedhjes së kryer nga ana e gruas, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e një numri të madh zyrtarësh të lartë, kryesisht të ministrive.

Ndër personat që do t’iu verifikohej pasuria, ishte edhe xhaxhai i kallëzueses për shkakun se sipas saj shifra prej 120 mijë eurosh që kishte humbur nga shtëpia e saj i përkiste shtetasit Ylli Çika që rezulton të jetë xhaxhai i saj. 70-vjeçari, sipas mbesës së tij, referuar dëshmisë së dhënë prej saj, ia kishte dhënë paratë mbesës që ajo t’ia mbante dhe t’i rregullonte shtëpinë dhe t’i blinte mobiliet. Ose të paktën, ky është versioni që Prokuroria shpërndau në media pas arrestimit të Rozeta Dobit dhe të birit të saj, Havierit.

NGJARJET

Organi i akuzës së Tiranës nuk ka mbyllur hetimet për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e Alda Klosit, ishdrejtoreshës së Koncesioneve dhe të Kabinetit të ishministrit Ahmetaj. Po ashtu, asgjë nuk dihet as për origjinën e mbi 400 mijë eurove të tjerave të gjetura në shtëpinë e pastrueses së vënë në pranga tashmë bashkë me të birin. Ndërsa ditën e djeshme, është mësuar se familjes Çika i ka mbërritur lajmi i trishtë nga Amerika, që ka ndërruar jetë pas përballjes me një sëmundje të rëndë xhaxhai i Alda Klosit, Ylli Çika, 70 vjeç. Klosi ka pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait për mobilimin e shtëpisë apo dhe për t’i ruajtur ato. Por, burime jo zyrtare thanë se familja e Ylli Çikës, ish-kirurg dentar, nuk ka pasur dijeni lidhur me deklarimet e Alda Klosit në polici dhe prokurori, ndërsa kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë histori

Diçka e tillë vë në vështirësi gjetjen e burimit të parave, ndërsa Prokuroria bën me dije se dosja vijon të jetë në hetim dhe se ende nuk ka dalë në një konkluzion sa u përket deklarimeve të ish-zyrtares.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular