BallinaAktualitetTurqia fut basketbollistin amerikan në listën e të kërkuarve për terrorizëm

Turqia fut basketbollistin amerikan në listën e të kërkuarve për terrorizëm

Turqia ka vendosur basketbollistin Enes Freedom në listën e saj të personave të kërkuar për terrorizëm.

Emri i tij shfaqet në listën që Ministria e Brendshme turke e quan “lista gri”, kategoria më e ulët në sistemin e saj të ndarë me ngjyra, një kategori e cila ofron deri në 500 mijë dollarë shpërblim për personat e përfshirë në të.

Nuk është e qartë se kur e ka shtuar Turqia basketbollistin në listë, por ai i tha kanalit Fox News se mësoi për këtë kur gjendej në Vatikan për një kurs basketbolli, dhe se pasi kontaktoi FBI-në, iu tha se duhet të rikthehet në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është hera e parë realisht që qeveria turke vendos një shpërblim për kokën time, dhe më fut në listën e terroristëve më të kërkuar, vetëm sepse flas për disa nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të të burgosurve politikë që po ndodhin në Turqi”, i tha ai kanalit Fox News. “Dhe nuk jam unë i vetmi. Ka kaq shumë gazetarë, akademikë, profesorë dhe personalitete në atë listë”.

Zoti Freedom ka qenë një kritik i Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe i gjendjes së të drejtave të njeriut në vend, si dhe i ka bërë thirrje administratës së Presidentit Biden dhe udhëheqësve të tjerë perëndimorë dhe të NATO-s, që të marrin masa.

Turqia qarkulloi një urdhër arresti për të në vitin 2019, duke e akuzuar si anëtar i një grupi terrorist, për shkak të lidhjeve me klerikun me banim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen. Turqia fajësoi zotin Gulen për grushtin e dështuar të shtetit në vitin 2016, gjë që zoti Gulen e mohon

Zoti Freedom u rrit në Turqi dhe ndërroi emrin nga Enes Kanter në Enes Freedom, kur u bë shtetas amerikan në vitin 2021. Turqia anulloi pasaportën e tij në vitin 2017.

Ai luajti për 11 sezone në kampionatin NBA, më së fundmi në vitin 2022 me ekipin Boston Celtics.

Krahas së folurës publikisht kundër qeverisë turke, zoti Freedom ka kritikuar edhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë, ndër të tjera edhe për trajtimin atje të popullit të Tibetit dhe të ujgurëve. /VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular