BallinaIntervista14maji/Flet Agron Duka: Duhet armëpushim në PD. Të identifikojmë ata që tejkalojnë...

14maji/Flet Agron Duka: Duhet armëpushim në PD. Të identifikojmë ata që tejkalojnë ‘gardhin’ e partive. Ndryshimet kushtetuese te 2008 fuqizuan Ramen

spot_img
spot_img

Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, Agron Duka u bën thirrje dy grupimeve në PD që të bëjnë “armëpushim” dhe të bashkohen për interesat e demokratëve.
Sipas tij, këto grupime duhet të zgjidhin njëherë hallin e komuniteteve me kandidatura të mira dhe fituese, pastaj të mendojnë për luftën në oborrin e tyre… Aleati i demokratëve thotë për gazetën “Panorama” se opozita duhet të bashkohet të mos heqë dorë nga përballja më 14 maj, të mbrojë votën dhe të luftojë për të thyer monizmin në bashki dhe këshillat bashkiakë.
Kreu i PAA-së shprehet se situata brenda opozitës është e vështirë, por sipas tij as në kampin tjetër gjërat nuk janë më të mira, pasi siç shprehet Duka: “ajo që ne shohim në sipërfaqe nuk përkon me situatën brenda bunkerit sovjetik të rilindjes”. Konsumi i pushtetit sipas tij është shumë i madh, ndaj dhe do të përpiqen të kompensojnë dështimin me armët tradicionale të manipulimeve, blerjeve dhe përdorimin e shtetit në fushatë.
Z. Duka, a po kalon opozita një moment të vështirë krize në prag të zgjedhjeve të 14 majit?
Tashmë nuk bëhet më fjalë për moment, por për një krizë permanente, e cila zgjat prej më shumë se një viti, tashmë gjykoj se kjo krizë ka vënë në pah mbi të gjitha egocentrizmin e udhëheqjes së PD-së, në të dyja grupimet e saj. Një egoizëm që po dëmton demokratët, opozitarët, por edhe qytetarët shqiptarë, të cilët kanë nevojë për një opozitë të fortë për të kundërshtuar një qeveri që është bërë edhe më arrogante për shkak të mungesës së përballjes politike. Lidershipi i PD-së duhet t’i përgjigjet interesave të qytetarëve, jo ambicieve dhe interesave personale, përndryshe për pak muaj do të gjendemi përballë një tjetër disfate dhe nuk mund të ngremë më gishtin ndaj Ramës dhe qeverisë për masakër zgjedhore, sepse përgjegjësia do të jetë ekskluzivisht e drejtuesve politikë miop.
Nisur nga situata në të cilën ndodhet para zgjedhjeve lokale, a rrezikon PD-ja ndarjen në dy forca politike?
Ndarja në dy forca përpara zgjedhjeve lokale do të ishte një hara-kiri, i cili do t’i vendoste fjalën fund historisë 30- vjeçare të PD-së, jo sepse nuk ekziston mundësia e një ndarje apo sepse ndarjet janë të dënueshme, por nëse kjo ndarje ndodh pa pasur asnjë kujdes për t’u përgjigjur kërkesës së qytetarëve për ndryshim në zgjedhjet lokale, do të thotë që nuk kanë në qendër të veprimit të tyre politik interesat e qytetarëve. Ndaj këta muaj që na ndajnë nga zgjedhjet do të ishte e udhës të gjenin një armëpushim, të gjejnë gjuhën e përbashkët për organizimin e fushatës rreth figurave të kandidatëve. Pra, të zgjidhin njëherë hallin e komuniteteve me kandidatura të mira dhe fituese, pastaj të mendojnë për luftën në oborrin e tyre…
Ju si aleat të demokratëve, a tentuat që këto dy grupime të gjejnë pika kontakti dhe për ti bashkuar interesat….?
Jemi përpjekur të gjejmë gjuhën e përbashkët mes palëve, por pa rezultate domethënëse. Në këtë moment ne si aleatë jemi më shumë pranë anëtarësisë dhe drejtuesve lokal të PDsë, sesa lidershipeve të saj. Në një mënyrë apo në një tjetër demokratët e thjeshtë janë paqetuar, për të parë përpara, sepse e dinë se për të fituar kanë nevojë për njëri-tjetrin, këtë klimë kemi përcjellë edhe ne me takimet tona me ta. Ky në fakt, është edhe mentaliteti që duhet të frymëzojë edhe drejtuesit e PD-së në muajt në vijim.
Në këto kushte ku ndodhet opozita a është e gatshme që të përballet me Edi Ramën me 14 maj?
Situata është e vështirë, megjithatë nuk duhet të harrojmë se në kampin tjetër gjërat nuk janë më të mira, ajo që ne shohim në sipërfaqe nuk përkon me situatën brenda bunkerit sovjetik të rilindjes. Konsumi i pushtetit është shumë i madh, ndaj dhe do të përpiqen të kompensojnë dështimin me armët tradicionale të manipulimeve, blerjeve dhe përdorimin e shtetit në fushatë. Ndaj ne duhet të bashkohemi në të gjitha bashkitë rreth kandidatëve konsensual, të ndërtojmë ekipe dhe frymë e të mos harrojmë se zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje politike, por zgjedhje për qytetin, për qytetarët, për shërbimin ndaj tyre. Kjo do të thotë që nuk duhet të biem në grackën e politizimit, as të përplasjeve politike për vula apo për flamuj, por duhet të luftojmë për të thyer monizmin në bashki dhe këshillat bashkiakë.
Si do t’i mobilizojë opozita shqiptarët përballë 750-800 mijë të tjerëve të cilët kanë votuar mazhorancën?
Zgjidhja më e ndershme është nëpërmjet figurave të pastra dhe të pakompromentuara me pushtetin, njerëz që janë pjesë të komuniteteve dhe duan të japin alternativën më të mirë për qytetet e tyre. Dhe, siç thashë më sipër, duke i trajtuar këto zgjedhje jo si një referendum ndaj qeverisjes qendrore, apo si një përballje politike mes partive, por si një garë për të sjellë alternativën më të mirë për problemet e përditshme të komuniteteve të ndryshme në gjithë Shqipërinë.
Ka mjaftueshëm njerëz që nuk shkojnë të votojnë ose që nuk besojnë te politika. Por në këtë rast a ka shumë hapësirë për opozitën…?
Edhe pse koha nuk premton, ne duhet të krijojmë një klimë bashkëpunuese që të përcillet në të gjitha bashkitë e vendit, me ide, alternativa dhe njerëz të shkëlqyer. Kjo do të krijojë një frymë që do të nxisë angazhimin e qytetarëve. Ndaj është e rëndësishme të mos e politizojmë përballjen, si një “luftë” ndaj Ramës, apo si një “luftë” për vulën, por ta kthejmë në një fushatë model për të ardhmen e qyteteve.
Paradosksalisht, kushtet në të cilat ndodhemi, kriza brenda PD-së, krijon premisat për të rindërtuar angazhimin politik, në bazë të interesave të qytetarëve, duke vendosur ata në vend të parë, jo partitë as krerët e tyre, por njerëzi e thjeshtë dhe hallet e tyre. Nëse do të dimë t’i dëgjojmë, t’u krijojmë hapësirë dhe t’u japim alternativë, ata do t’i kthehen politikës. Prandaj, ishte e rëndësishme lënia mënjanë e primareve, për të identifikuar kandidatë që tejkalojnë gardhin e partive dhe anëtarësinë partiake.
Si mund të bashkohen dy grupimet në PD?
Mendoj se rol parësor e kanë kandidatët. Duke qenë se në zgjedhje lokale votohet për të parin e bashkisë, le të jenë kandidatët të parët e fushatave, dhe ne, gjithë opozita, të tubohemi rreth tyre. Do të ishte një zgjidhje e mirë për të lënë mënjanë konfliktin dhe për të maksimizuar votat e secilit prej nesh.
Ju nuk garuat në primaret e Partisë Demokratike, për të dalë kandidat për Bashkinë e Durrësit, por shprehët mbështetjen tuaj ndaj kandidaturës së Igli Carës çka do të thotë se ju përkrahni PD-në e drejtuar nga z. Berisha. Si e shikoni rezultatin në Durrës?
Unë nuk përkrah as Enkelejd Alibeajn as Sali Berishën, por kandidatin e Durrësit Igli Carën. Zëri im në mbështetje të Carës, është në fakt zëri i shumë njerëzve si unë, që kërkojnë tejkalimin e ngërçit në opozitë duke u bashkuar rreth kandidatëve më të mirë. Cara në fakt nuk është thjesht kandidati i Berishës, as i primareve, por i koagulimit të grupeve të ndryshme të interesit rreth një personazhi pozitiv, të papërfolur, që ka mundësi të thyej monopolin 20 vjeçar të PS-së në Durrës, duke I dhënë një frymëmarrje lirie qytetarëve dhe sipërmarrjes ekonomike të qytetit. Jam besimplotë që në frymën e mirëkuptimit të krijuar, fitorja nuk duket e pamundur.
Cili do të jetë qëndrimi i PAA-së nëse opozita del me dy kandidatë? Do të qëndroni indiferent apo do të mbështesni kandidatin e pëlqyer, siç jeni pozicionuar pro Igli Carës?
E konsideroj të mbyllur procesin e seleksionimit, në Durrës fushata ka nisur, madje edhe mazhoranca ndodhet në vështirësi përballë kandidaturës së Carës. Ndaj, do ta mbështes deri në fitoren e pritshme Igli Carën, si alternativën më të mirë për Durrësin. Çdo gjë tjetër do të jetë një eksperiment, i vlefshëm për aventura apo turizëm politik, por jo në shërbim të qytetarëve që presin ndryshimin.
Kreu i PD-së Sali Berisha ka denoncuar përpjekjet e qeverisë për të vjedhur votën e shqiptarëve. Nëse vërtet ndodh kështu, a duhet që opozita të hyjë në zgjedhje ku përballë saj ka makinerinë e shtetit…?
Nuk mund të biem në kurthin e akuzave tona, duke krijuar angazhime të cilave nuk u qëndrojmë dot, as të përsërisim gabimet e të shkuarës. Jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje, po ashtu jemi të detyruar t’i dalim zot votës duke kundërshtuar me forcë çdo shkelje të ligjit, duke denoncuar çdo abuzim në prag të zgjedhjeve, por në asnjë mënyrë nuk mund të heqim dorë nga përballja.
Është e vërtetë që jemi përballë një kundërshtari që nuk ka respekt për votën dhe kërkon të marr çdo pushtet për të treguar se gëzon mbështetje popullore, e për pasojë që nuk mund të preket nga drejtësia dhe nga skandalet e shumta që e kanë delegjitimuar politikisht. Sidoqoftë, ne kemi detyrën të jemi gati dhe të frymëzojmë qytetarët, janë njerëzit që do të luftojnë bashkë me ne nëse u preket vota, por si fillim duhet të bindim njerëzit që jemi më të mirët dhe do të qeverisim më mirë se Rama. Të mos e ndjejnë përballjen si një përleshje partish për interesat e tyre, por si një përplasje mes të shkuarës dhe të ardhmes, nga e cila do të fitojnë të parët qytetarët. Në këto kushte askush nuk do të ketë guxim të prekë votën, dhe nëse e bën, duhet të jetë gati për pasojat.
Çfarë e bën Edi Ramën kaq të pushtetshëm?
Sigurisht nuk ka një arsye, por nëse do ta thjeshtoja do të nisja me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, ato krijuan një sistem në të cilin fituesi merr çdo gjë, një sistem që ngjason me një kartel, ku partia në pushtet kontrollon gjithë administratën dhe e shpërdoron atë në fushatat zgjedhore. Është një rreth vicioz sipas të cilit për të fituar përdoren të gjitha mjetet dhe gjatë qeverisjes përdoren të gjitha mjetet për të manipuluar zgjedhjet e radhës.
Për të mos harruar këtu kombinimin me të fortët dhe faktorët ekonomik që shpërblehen për manipulimin e zgjedhjeve me taksat dhe pronat e shqiptarëve, provë për këtë janë dosjet e “Bild 184” dhe “339”. Megjithatë, jo pa faj është edhe opozita, gabimet tona i kanë dhënë avantazhe të padiskutueshme, ndalimi i përsëritjes së këtyre gabimeve është edhe rruga me e shpejt për rrëzimin e kësaj qeverie. Valentina Madami/Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular