BallinaKronikeKritika për antikorrupsionin/ Kreu i SPAK, Dumani: Do shtoj prokurorët dhe përgjimet

Kritika për antikorrupsionin/ Kreu i SPAK, Dumani: Do shtoj prokurorët dhe përgjimet

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Altin Dumani, paraqiti të enjten, më 16 mars, para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, bilancin e veprimtarisë së vitit 2022, ku mes rezultateve që i quajti si tregues të rritjes së efektivitetit të kësaj strukture, evidentoi edhe situatat që i cilësoi si problematike – numrin e madh të çështjeve të mbartura dhe ato në kufijtë e parashkrimit.

Ai u ankua për mungesën e ambienteve dhe zyrave për ruajtjen e provave dhe akomodimin e prokurorëve dhe hetuesve. Dumani u paraqit në raportimin vjetor në KLP së bashku me drejtoren e Byrosë së Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, ish-drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, dhe dy zëvendësdrejtuesit, prokurorët Adnnad Xholi dhe Edvin Kondili.

“Ka një numër të konsiderueshëm të çështjeve të mbartura nga vitet e mëparshme. Nevojitet të përballemi dhe t’i zgjidhim sa më shpejt, por gjithmonë pa cenuar efektivitetin në hetimin e tyre”, pohoi Dumani dhe shtoi se e kishte adresuar këtë problem dhe më parë duke kryer takime informuese.

Pyetjes së anëtares së KLPsë, Ledina Riza, lidhur me atë çfarë është kryer dhe çfarë duhet bërë për të përmirësuar situatën e krijuar nga çështjet e mbartura dhe ato që rrezikohet të parashkruhen, Dumani iu përgjigj se kishte krijuar grup hetuesish për të trajtuar fillimisht ato që janë në kufijtë e parashkrimit.

Sipas Dumanit, deri në këto momente fokusi i punës së prokurorëve ka qenë në ato çështje që janë konsideruar prioritare dhe për pasojë një pjesë kanë ngelur pas dore, pa vendimmarrje. Ai solli në vëmendje se për një periudhë kohe nuk ka pasur hetues dhe prokurorët nuk dinin se kujt t’ia delegonin kryerjen e veprimeve hetimore.

“Tani ka filluar të lëvizë”, pohoi drejtuesi i SPAK duke shtuar se me plotësimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka pasur avancim në hetimin e të gjitha çështjeve. Në vijim, Dumani e cilësoi si alarmante mungesën e zyrave për prokurorët dhe hetuesit dhe të ambienteve për mbajtjen e provave.

Ai konstatoi se për shkak të mungesës së zyrave, hetuesit janë të akomoduar nga tre deri në gjashtë vetë në një zyrë. Sipas tij, kjo situatë pengon edhe kryerjen e veprimeve hetimore.

Po ashtu, Dumani vërejti se megjithëse disponojnë një laborator digjital shumë të mirë, nuk kanë ambient dhe rrezikohen provat. Interesimit të anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi, lidhur mbi efektivitetin e BKH-së, Dumani iu përgjigj se deri në këto momente kjo pjesë e strukturës është bërë funksionale, ku hetuesit janë ndarë në dy seksione, për hetimin e krimit financiar dhe atij të organizuar. Sipas drejtuesit të SPAK, ka ende hetues që nuk janë në nivelin e pritur.

Ai solli në vëmendje legjislacioni për funksionimin e BKH-së që përcakton kontroll mbi veprimtarinë e hetuesve çdo dy vjet. Dumani u shpreh se ata që nuk do të kalonin “testin” duhet t’u lënë vendin të tjerëve.

“Hetuesit në maj bëjnë dy vjet dhe është periudhë më se e mjaftueshme për të arritur një standard për atë vend, për të qenë një hetues model. Për dy vjet ose bëhesh ose nuk bëhesh”, deklaroi Dumani dhe theksoi se procesi i rivlerësimit të hetuesve do të kryhej sipas proceseve ligjore dhe do të ishte objektiv. Dumani sqaron se, sa i takon rekomandimit për çështjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë nënvizojmë se, me kërkesë të Prokurorisë, GJKKO ka dhënë 4 vendime dënimi për ish-zyrtarë të nivelit të lartë.

“Ndërkohë, në periudhën 2020-2022 rezulton se, nga SPAK janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim ndaj ish-zyrtarëve të nivelit të lartë.

Nga këto janë dërguar në gjykatë 8 procedime penale me 8 të pandehur ishgjyqtarë, 3 procedime penale me 3 të pandehur ishprokurorë, 1 procedim penal me 2 të pandehur ish-deputetë, 1 procedim penal me 1 të pandehur ish zv/ministër, 1 procedim penal me ish-anëtar të KPK, 4 procedime penale me 4 të pandehur ish-kryetarë bashkie. Këto arritje janë vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian”, tha ai. Në lidhje me sekuestrimin e pasurive të paligjshme, Dumani tha se, është arritur të sekuestrohen një portofol i diversifikuar asetesh si pasuri të paluajtshme, vlera monetare, kuota tregtare si dhe portofole kriptovalutash.

Prokurori Altin Dumani pohoi se i konsideron prioritare çështjet me natyrë korruptive. Në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të KLP-së, ai deklaroi se gjatë vitit të kaluar janë konfiskuar pasuri të paligjshme me vlerë afro 45 milionë euro.

“Janë dhënë nga gjykata 5 vendime për sekuestrim pasurie, si 12 pasuri të luajtshme, 34 pasuri të paluajtshme, 13 subjekte tregtare, nga të cilët 11 subjekte të konfiskuara plotësisht. Po ashtu, janë paraqitur në gjykatë 10 kërkesa për konfiskim të pasurisë dhe janë dhënë 2 vendime konfiskimi për 4 pasuri të luajtshme, 13 pasuri të paluajtshme, 11 subjekte tregtare”, tha Dumani.

KËSHILLI I INTEGRIMIT

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ishte i pranishëm edhe në takimin e Këshillit të Integrimit Europian. Ardhja në Tiranë e dy zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrell dhe komisioneri europian Oliver Varhelyi, ka nxjerrë në hap edhe një herë domosdoshmërinë e vijimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Altin Dumani ka folur dje edhe në Këshillin e Integrimit Evropian ku u shpreh se SPAK është i përkushtuar, por është vetëm 1 institucion, dhe për këtë kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve.

“Prokurorët e SPAK ushtrojnë të gjithë detyrën e tyre sa u takon goditjeve të veprave penale. Jemi të përkushtuar të përmbushim në përputhje me kushtetutën dhe ligjin detyrimet tona ligjore. SPAK është vetëm një institucion ka nevojë edhe me të tjerët. Bashkëpunimi i tyre është i rëndësishëm për të pasur rezultate sa më të mira. Në Prokurorinë e Posaçme kemi një sanksion që merremi vetëm me korrupsionin. Çdo subjekt publik është i mirëpritur për kallëzime. Kemi në kompetencën tonë dy dispozita”, tha Dumani.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, u themelua më 23 dhjetor 2019 dhe një numër i shumtë kallëzimesh penale për abuzime me fondet publike dhe shpërdorim detyre mbërriti që në ditët e para pranë këtij institucioni të ri të drejtësisë – i krijuar me qëllim hetimin e korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar, për të forcuar sundimin e ligjit në vend, si dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular