CHIN Radio/TV International, media audiovizive e krijuar qysh në vitin 1966 konsiderohet si zëri i multikulturalizmit kanadez dhe pjesërisht financohet edhe nga qeveria federale kanadeze. Emisonet radiofonike të CHIN, transmetohen në 26 gjuhë të ndryshme. Aty, prej vitesh, një herë në javë, te dielave në orën 21:30 të mbrëmjës, në valët 1540 AM, transmetohet edhe një emision në gjuhën shqip. Emisioni është pagëzuar me emrin “Radio e Diel”, i njohur dhe i ndjekur tashmë nga shqiptarët e GTA (Greater Toronto Area), ka krijuar tashmë një profil të konsoliduar. Në fillimet e tij programi është menaxhuar nga Drejtori i Emisionit Televiziv “Pasqyra Shqiptare”, z. Ilir Lena, që më pas ia la stafetën zonjës Remka Huruglica, e cila në datën 17 mars 2023 mbushi plot dhjetë vjet aktivitet në mikrofonin e të vetmes radio shqip në metropolin e Kanadasë, Toronto.
Remka Huruglica, më origjinë nga Kosova dhe e vendosur në Kanada së bashku me bashkëshortin e saj Sinan Huruglica dhe vajzat prej gati 30 vjetësh, thotë për Flasshqip.ca se përmes kësaj eksperience fantastike ka plotësuar një ëndërr, një pasion të sajin, sepse para se të imigronte drejt Kanadasë nuk e ka patur profesion gazetarinë. Ajo ka realizuar deri tani 520 emisione, synimi i të cilëve është përcjellja e sa më shumë ngjarjeve nga bota kanadeze tek dëgjuesit në gjuhën shqip, por edhe pasqyrimi i aktiviteteve të komunitetit shqiptaro-kanadez, pjesa dërrmuese e të cilit është e përqëndruar në Toronto dhe rrethina. Nga këto 10 vite në mikrofonin e “Radio e Diel” ajo veçon si ngjarjen më mbrësëlënëse intervistën me Ambasadorin William Walker, mikun e madh të shqiptarëve, falë të cilit u bë e njohur botërisht masakra e Reçakut e kryer ndaj shqiptarëve nga kriminelët e regjimit të Sllobodan Millosheviçit
CHIN Radio/TV International është një kompani kanadeze e transmetimi radiotelevizive, e cila zotëron dhe operon katër stacione radioje dhe një njësi të prodhimit të programeve televizive, të gjitha të fokusuara tek komunitetet e ndryshme kulturore, që formojnë mozaikun multikulturor të Torontos. Kompania organizon gjithashtu piknikun vjetor CHIN. Studiot e CHIN janë të vendosura në College Street, në lagjen Palmerston-Little Italy të Torontos.
CHIN Radio/TV International e themeluar nga italo-kanadezi Johny Lombardi, filloi transmetimet e para radiofonike në pranverën vitit 1966. Një vit më parë, në vitin 1965, Lombardi, së bashku më avokatin dhe politikanin lokal, James Ditson Service, patën blerë nga Rogers Brodcasting, Radion 1540 Limited. Kur Lombardi vdiq në 2002, pronësia e CHIN Radio/TV International i kaloi djalit të tij Lenny dhe vajzës Theresa. Nga vitin 2017, kompania prodhon dhe transmeton programe në mbi 50 gjuhë të ndryshme.
Në këtë 10 vjetor të aktivitetit të saj në mikrofonin e “Radio e Diel”, duke nënvizuar dhe vlerësuar kontributin e saj të vyer në ruajtjen e traditës identitare dhe kulturore të komunitetit tonë në Kanada, Flasshqip.ca i uron përzemërsisht zonjës Remka Huruglica sukses të mëtejshme.
© Flasshqip.ca