Një 23-vjeçar i identifikuar si Klesti Qordja, është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi ka dhunuar drejtorin e Europol Tirana, Artan Bajraktarin.
Ngjarja është regjistruar në fillim të muajit shkurt. Prokuroria e Tiranës sqaron se Bajraktari po lëvizte me makinë në zonën e Laprakës, kur 23-vjeçari, i acaruar se ishte parakaluar, i ka kërkuar të ndalojë.
Pas këtij momenti ata kanë zbritur nga mjeti dhe Klesti Qordja e ka goditur atë me grushte, edhe pse ishte paralajmëruar nga Bajraktari se ai ishte pjesë e Policisë së Shtetit. I riu është ndaluar më vonë nga policia dhe ka pranuar autorësinë e ngjarjes.
Ai ka thënë se donte ta pyeste se cila ishte arsyeja që e kishte parakaluar. Ndërsa për dhunën e ushtruar, pretendon se ishte për vetëmbrojtje pasi shefi i Europol i kishte vënë dorën në qafë.
Prokurorja Mirela Zavalani ka ngritur ndaj të riut akuzën e plagosjes së lehtë me dashje.