Në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit, ambasada amerikane ka dalë me një mesazh për partitë politike të cilave u kërkon që t’i zhvillojnë aktivitetet zgjedhore në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada e SHBA bën thirrje që të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR në mënyrë që të mos përsëriten raportimet e bëra gjatë zgjedhjeve të viti 2021 për blerje votash, presion mbi votuesit apo keqpërdorim i burimeve shtetërore dhe të dhënave personale.
“Ashtu siç ambasadorja Kim diskutoi kohët e fundit me drejtuesit e partive, partitë politike duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente. Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare. Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të fortë. Ne nxisim të gjithë drejtuesit dhe institucionet që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe të sigurojnë që Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj demokratike”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e ambasadës së SHBA.