Analisti Enton Abilekaj, e konsideron të nevojshëm rrotacionin në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës dhe largimin e Erion Veliajt nga drejtimi i saj, por thotë se Këlliçi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, nuk ka treguar se është i kundërti i Veliajt.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Abilekaj tha se Këlliçi nuk ka treguar në fushatë se denoncon shkatërrimin e Tiranës nga lidhja e pushtetit me krimin, pastrimin e parave në ndërtim, etj.
“A është Këlliçi e kundërta e Veliajt? Në një Tiranë që po shkatërrohet për shkak të flirtit të parave të pista me pushtetin, a është Këlliçi e kundërta? A e ka bërë Këlliçi premtimin që nuk do ta lejojë më këtë flirt? Belindi nuk është e kundërta e Veliajt.
Kjo mund të jetë një mangësi e Belindit. Por, nëse e abstragojmë kandidatin përballë, themi ore ky ka qeverisur keq, e ka shkatërruar kryeqytetin, a duhet ta pushojmë nga puna?
Rrotacioni është përgjigje 20 herë më e mirë se kandidati. Ne mund të bëjmë edhe premtime si Veliaj, për zero ndërtime dhe pastaj bëri tetë milionë metër katrorë. Rrotacioni vlen më shumë dhe nuk gabon kurrë.
A është Belindi njeriu? Mund të jetë Arlind Qori.
A është Belindi? Them se nuk ka arritur sepse nuk ka bërë premtimin për të qenë e kundërta e Veliajt”, deklaroi Abilekaj.