BallinaKultureNjë gërshetim letrar-stilistik te romani “Gurë mbi Kala” i autorit Ismail Arsllani

Një gërshetim letrar-stilistik te romani “Gurë mbi Kala” i autorit Ismail Arsllani

spot_img
spot_img

Nga MERXHAN JAKUPI

Gazetari dhe publicisti tetovar, Ismail Arsllani, erdhi këtyre ditëve me romanin e tij të dytë brenda dy vjetësh, të titulluar “Gurë mbi Kala”, që është libri i tij i nëntë brenda opusit 15 vjeçar të botimeve prej vitit 2008, atëherë kur filloi të shkruajë intensivisht, duke botuar librin e tij të parë publicistik “Distinktivi tetovar”, pasuar me disa libra publicistikë, një përmbledhje tregimesh “Rrëfime nga kthina”, si dhe romanin e parë (historik) “Misionari i Kasabasë” (2021) etj. Brenda romanit “Gurë mbi Kala” që ka 280 faqe, botuar në Shkup, kemi një narrativ rrëfyes prej triptiku, me kolorit historik, që ka të bëjë me gërshetim ngjarjesh dramatike të miletit, siç i quan autori popujt, shqiptarë, turq, vllahë, cincarë, gjiptë e të tjerë, me një emër të përbashkët, të cilët gjallëronin në një kasaba të Rumelisë, në shekullin e 19-të.

Gjuha dhe stili i shkrimtarit është gërshetuar përgjatë gjithë mbarështimit të romanit, me një formë të butë letrare dhe të kuptueshme për gjithsecilin lexues. Si e tillë ajo të tërheq e të bën për vete, në çdo moment, me një qartësi që e lehtëson mënyrën e të kuptuarit të ngjarjes; andaj nuk është aspak e vështirë edhe në rastet kur autori i romanit përdor edhe orientalizma të shumtë, për ta bërë më interesante ngjarjen e të folmes së asaj kohe, por edhe për t’i përdorur, aty ku ka nevojë, metaforat dhe sintagmat e shumta që me aq mjeshtri stilistikore i vë në funksion, si një mjeshtër i mirë, thotë recensenti i librit, prof. dr. Zeqir Kadriu.

Në këtë kontest të njohjes së rrethanave dhe fisnikërisë së njerëzve, autori i romanit, Ismail Arsllani shpalon vlerat dhe angazhimet e qytetarisë, të relikteve autoktone, ose dukurive të tjera tipike shoqërore që kanë mbetur si organizëm i fuqishëm dhe i trashëguar nga e kaluara historike. Kështu, duke vizatuar karakteret e personazheve, qoftë ato pozitive apo negative, autori kërkon me zgjuarsi të vendos fakte historike të një etnie ekzistuese, në përputhje me njohuritë e tij artistike e estetike të kursyera dhe të grumbulluara me vëmendje, kryesisht për një të kaluar ndikuese kulturore, me tradita e zakone të bartura edhe në kohën tonë. Duke shfaqur vazhdimisht ngjarje dhe karaktere egosh të theksuara, me mjeshtëri narrative, autori, Ismail Arsllani, harmonizon lirinë shpirtërore të tij me mentalitetin e trashëguar nëpër rrjedhat e historisë së kësaj ane, konsideron kritiku letrar, Remzi Salihu. Ai shton se autori Arsllani, bën për lexuesin kodimin e ndodhive të shumta historike, të cilat kanë ndodhur në këto anë. Nëse Umberto Eko dekodonte shenjat e ikonave, Arsllani dekodon artistikisht gurnajat e kalave, doket dhe zakonet vepruese të popullit, bashkë me ngjarjet e shumta që kanë ndodhur rreth kësaj kështjelle të kasabasë, për ta sublimuar, më në fund, idenë dhe ngjarjen në një rrjedhshmëri atraktive dhe interesante, vlerëson, ndër të tjera, kritiku Salihu.

Ngjarjet kanë tension rrëfimi artistik, ku dalin në skenë shumë motive shoqërore të kohës së atëhershme dhe të kohës sonë. Duke rrëfyer një ngjarje të së kaluarës, autori me stilin e tij gjuhësor paraqet diskursin e përshtatshmërisë së gjuhës dhe mendimit konvencional, ku ndërlidhet mjeshtëria e spontanitetit dhe objektivitetit, kryesisht nga ana stilistikore për të krijuar subjektivitetin kreativ të të rrëfyerit të rrjedhshëm. Fryma e kësaj vepre letrare, bashkë me personazhet e vendosura në rrëfim, ndërlidhet në një metonimi, kryesisht duke u mbështetur në dukuritë ekzistuese, në hapësirë dhe kohë, që shëmbëllen botën përreth nesh.

Romani më i ri “Gurë mbi kala” i Ismail Arsllanit, ka në brendi një lëmsh ngjarjesh të ndërlidhura njëra me tjetrën, të cilat ndërtojnë kompozicion formal të tërësisë, në strukturën e të rrëfyerit. Kemi të bëjmë me një model merceologjik, mal njohurish me informacion të duhur dijesh, kryesisht duke i lidhur ngjarjet e shumta me tërësinë, vëren kritiku Remzi Salihu.

Në shumë segmente zënë vend edhe fjalët dhe shprehjet e bukura, orientale, nga Kazaja e Tetovës si: çartaqejf, lëbyrje, kërlesh, metelik, akçe, tepetaklla, taraba, nigjah, çakshir, mereqep, mëllezë, drizë, qarrucë, hynqar, përkresë, dritësore, pazarllëk, jelek, kambrik, jelpeze, yzengji, hamashtër etj., të cilat aty-këtu edhe sot i dëgjojmë në të folmet popullore të rajonit të Pollogut e më gjerë. Togfjalësha të shumtë frazeologjikë që e karakterizojnë prozën e Ismail Arsllanit, për të cilën shpresoj se do të lë mbresa çdo lexuesi që di të bëjë dallimin në mes shkrimit prozaik të tij dhe autorëve të tjerë, të cilët krijojnë në Maqedoninë e Veriut. Mesazhi i autorit, në fund fare, është shumë i qartë – jeta dhe vdekja ecin në një binarë, konstaton recensenti Zeqir Kadriu.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular