Presidenti Joe Biden emëroi për detyrën e Shefit te Shefave të Shtabit të Bashkuar, gjeneralin me katër yje Charles Quinton Brown Jr.
Shtabi i Bashkuar përbëhet nga shefat e gjashtë degëve të ushtrisë: forcat tokësore, forcat detare, forcat ajrore, marinsat, garda kombëtare dhe operacionet hapësinore. Gjenerali Brown, aktualisht është Shef i Shtabit të Forcave Ajrore.
Piloti i avionëve luftarakë e ka marrë nofkën ‘Krijesa e Moçalit’, nga një ngjarje e vitit 1991, kur ai u hodh me katapultë nga një avion luftarak F-16, që po digjej, mbi një park kombëtar në shtetin e Floridës.
Ishte janar dhe kapiteni CQ Brown Jr. duhej të merrte një vendim brenda disa sekondash. Shtyp butonin dhe hidhet me parashutë mbi ligatinat e mbushura me krokodilë.
“Shpresoj të mos ketë asgjë aty poshtë”, ishte ajo ç’ka mendoi ndërsa ulej me parashutë, siç e rrëfeu vetë vite më pas, në një intervistë gjatë Forumit të Sigurisë që u mbajt në Aspen, vitin e kaluar.
Ai u zhyt në baltë, e cila i mbuloi trupin. Që nga ajo ngjarje, ai do të njihej mes kolegësh pilotë, si “Krijesa e Moçalit”.
Zoti Brown, tashmë një gjeneral me katër yje dhe shef i Forcave Ajrore, u emërua të enjten nga Presidenti Biden. Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë gjeneralin Mark Milley, mandati i të cilit përfundon në tetor.
Zoti Brown, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si një nga aviatorët kryesorë të Forcave Ajrore. Ai ishte një nga pilotët e paktë me ngjyrë dhe shpesh një nga të vetmit afrikano-amerikanë në skuadriljen e tij.
Gjatë një konference të shoqatës së Forcave Ajrore që u mbajt në Kolorado këtë muaj, zoti Brown tha se parimet që e udhëheqin atë në zbatimin e detyrës së tij janë “përmbushja e detyrave me një standard të lartë, personal e profesional”.
“Unë nuk garoj për vendin e dytë. Nëse jam në garë e marr atë seriozisht. Futem për të fituar, jo për të humbur”, tha ai.
Zoti Brown ka bërë shpesh histori gjatë karrierës së tij. Ai ka qenë komandanti i parë me ngjyrë i Forcave Ajrore të Paqësorit dhe së fundmi shefi i parë me ngjyrë i shtabit të Forcave Ajrore, duke e bërë atë afrikano-amerikanin e parë, që drejton një nga degët e ushtrisë.
Nëse konfirmohet, ky zhvillim do të shënonte sërish histori, pasi do të ishte hera e parë, që të dy postet kryesore të Pentagonit, do të mbaheshin nga afrikano-amerikanë. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, një afrikano-amerikan, udhëheq postin më të lartë civil.
Por zoti Brown nuk do të ishte afrikano-amerikani i parë që do të merrte detyrën e Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar, posti kryesor ushtarak i Pentagonit. Ishte gjenerali i ndjerë Colin Powell, i cili bëri histori, duke marrë këtë detyrë.
Gjashtëdhjetë vjeçari Brown, ka komanduar forcat ajrore të vendit në të gjitha nivelet. I lindur në San Antonio ai rrjedh nga një familje ushtarakësh. Gjyshi i tij, drejtonte një njësi ushtarake me afrikano-amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, të cilët mbaheshin të ndarë nga pjesa tjetër e ushtrisë. Ndërsa babai i tij ka shërbyer si oficer artilerie dhe ka qenë veteran i Luftës së Vietnamit. Zoti Brown u rrit në disa baza ushtarake në shtete të ndryshme të vendit, të cilat rrënjosën tek ai një ndjenjë misioni.
Emërimi i tij vjen pas një karriere ushtarake prej katër dekadash, që nis me diplomimin me rezultate të larta nga Universiteti Teknik i Teksasit në 1984, për të mbërritur tek emërimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Ai shihej gjerësisht brenda qarqeve ushtarake si kandidat kryesor për këtë detyrë, me autoritetin e duhur dhe një historik për rolin e tij udhëheqës në ndryshime institucionale. Atribute këto që shihen si të nevojshme për ta vendosur Pentagonin në themele më moderne, për t’u përballuar me një Kinë që po forcohet.
Gjatë dy viteve të fundit zoti Brown ka nxitur brenda Forcave Ajrore një fushatë me sloganin “Përshpejto, ndrysho, ose humb”. Fushata duket se përqëndrohet kryesisht tek Kina. Ajo synon ta shtyjë këtë degë të ushtrisë që të heqë dorë nga avionët luftarakë të vjetër e të shpejtojë përpjekjet për t’u përballuar me avionë hipersonikë, dronë e armë hapësinore, me të cilat inventari i ushtrisë amerikane, i epokës së Luftës së Ftohtë, nuk përputhet.
Personalisht, zoti Brown njihet si një person i rezervuar, që mendohet shumë dhe i matur. Në ndryshim, gjenerali Milley njihet për të folurin e tij pa doreza, që shpesh ka qenë si kundërpërgjigje ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe ligjvënësve republikanë.
“Ai (Brown) nuk është i prirur të thotë diçka pa e menduar atë seriozisht, dukë bërë një peshim të të gjitha mundësive”, thotë shefi i Shtabit të Forcave Ajrore në pension, gjenerali Michael Moseley, i cili e njeh zotin Brown, që nga koha kur ai ishte një nga drejtuesit e kësaj force.
Zoti Brown ka mbi 3 mijë orë fluturimi në historikun e tij dhe ka shërbyer disa herë në Shkollën mbi armatimet e Forcave Ajrore, një shkollë kjo elitë, e ngjashme me shkollën TOPGUN të Marinës. Në këtë shkollë pranohen vetëm rreth 1% e pilotëve të Forcave Ajrore, thotë Gjeneral Moseley.
Gjate forumit të Aspenit zoti Brown tha se ngjarja e vitit 1991 ishte një moment shumë delikat.
“Isha disa i irrituar pasi ndodhi pikërisht përpara se të bëheshin përzgjedhjet për në shkollën e armatimeve”, tha ai në forumin e Aspenit. Ai tha se iu desh të aplikonte tre herë përpara se ta pranonin, duke vënë në dukje se “ka konkurencë të lartë”.
Por ai arriti të dalë në krye edhe në këtë shkollë dhe u bë instruktor, “gjë që arrihet nga vetëm 1% e 1%-shit”, tha Gjenerali Moseley.
Zoti Brown u rikthye më vonë në këtë shkollë si komandant i saj. Shkolla ishte shndëruar në atë kohë nga një institucion për mësimdhënien e operacioneve luftarake të ajrit, në mësimdhënie për operacione të kombinuara me tanke, avionë bombardues dhe transportues.
Zoti Brown kuptoi se shkollës “i duhej një përqasje tjetër”, tha Gjenerali në pension i Forcave Ajrore Bill Rew. Komandantët e mëparshëm ishin përpjekur më parë të zbatonin një moto të re: “të përulur, të afrueshëm, të besueshëm”, por ajo nuk kishte zënë vend.
Nën drejtimin e zotit Brown, ndryshimi kulturor zuri vend dhe vazhdon edhe sot, tha zoti Rew, që kishte qenë ndër instruktorët e zotit Brown në shkollën e armatimeve dhe komandant skuadriljeje gjatë periudhës në detyrë të zotit Brown si komandant.
“Kjo kërkonte një lloj aftësie drejtuese që nuk e bën të detyrueshëm ndryshimin kulturor për njerëzit, por që e shpjegon atë dhe i motivon ata për arsyet përse ky ndryshim është i rëndësishëm”, tha zoti Rew.
Në qershor 2020, zoti Brown gjendej vetëm një javë pranë konfirmimit nga Senati për t’u bërë shef shtabi i Forcave Ajrore, kur ai ndjeu nevojën për të folur për vrasjen e George Floyd-it.
Ishte e rrezikshme dhe një moment jo i përshtatshëm që gjenerali të tërhiqte vëmendje publike dhe të shprehte publikisht mendimet e tij personale. Por sidoqoftë ai e bëri këtë, pasi diskutoi me bashkëshorten dhe djemtë e tij për vrasjen dhe krijoi bindjen se duhej të thoshte diçka.
Në një mesazh me video të drejtuar ushtarakëve në qershor 2020, të titulluar “Ja çfarë unë mendoj”, zoti Brown përshkroi se si e kishte shtrënguar veten “për të vepruar pa asnjë gabim” si pilot dhe si oficer gjatë gjithë jetës së tij, por se prapë ishte përballur me paragjykime. Ai tha se kishin vënë në dyshim aftësitë e tij, edhe kur kishte qenë i veshur me të njëjtën uniformë piloti si kolegët e tjerë.
Kanë kaluar 30 vjet që kur zoti Powell u bë shefi i parë afrikano-amerikan i shefave të shtabit të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, detyrë në të cilën shërbeu gjatë periudhës 1989-1993. Por ndërsa afrikano-amerikanët janë 17.2% e totalit prej 1.3 milionë ushtarakësh në shërbim aktiv, vetëm 9% e oficerëve janë afrikano-amerikanë, thuhet në një raport të vitit 2021 të Departamentit të Mbrojtjes.
“Mendoja për ata që më kanë këshilluar dhe se sa rrallë ndeshja në një të tillë, që dukej si unë”, tha zoti Brown në videon e tij.
“Emërimi im ofron një farë shprese, por se gjithashtu vjen me një barrë të rëndë – unë nuk mundem të ndreq shekuj racizmi në vendin tonë, dhe as nuk mundem të ndreq dekada diskriminimi që mund të ketë ndikuar tek anëtarët e Forcave tona Ajrore. Mendohem se si mundem të bëj përmirësime, personalisht, profesionalisht dhe institucionalisht”, në mënyrë që të shkëlqejnë të gjithë anëtarët e Forcave Ajrore, tha ai.
Vendimi për të folur haptazi nuk i solli pasoja. Votimi në Senat për konfirmimin e tij ishte 98 me 0.
Por ashtu sikurse ai moment i shkurtër në Aspen, mesazhi personal me video ishte diçka e rrallë. Pas konfirmimit, ai uli sërish profilin e tij publik dhe iu fut punës./VOA/