Sot po sjellim nje tjeter cikel me poezi te Tomor Kotares nga libri “Stuhi Yjesh”.
Nga Tomor Kotarja
LETRA MREKULLIE!
Magjia e saj përçudnuse
Me përmbajtje balte
Me forcë demaskuese
Përcaktokërka, rrugë e fate.
Ka kohë që mundohemi
Ta shohim si nuk është
E pagëzojmë minë
E quajmë gjeraqinë.
E stolisim nuse
E trukojmë nga jashtë
Humbet mrekullia
Thellë deri në ashtë.
Brendinë s`ia mësuam
E pamë veç nga jashtë
Vështirë se gjëndet
Gjilpëra në kashtë.
Trondiste dikur
Një letër nga Anadaolli
Sot, forcë mitike
Shpëtim i k`tij trolli!
DASHURI E GABUAR !
Tërmetin e yjeve
Shkarkove mbi mua
Mbuluar në zjarr
Pa asnjë më fal.E errët si nata
E ftohtë si varrr.
Mish edhe shpirt
Mi poqe në hell
Kafshon si kuçedër
M`shkele në sedër!
Kristale luaneshe
Më hodhe përbri
Si darka e fundit
Isha për ty.
Ligjet e Fizikës
Nuk i sfidoj dot
Rrugët e burimit
I laj edhe sot.
Malet e saj
Mbuluar me shqotë
Dashuria jote
Gotë e paplotë.
Botë tradhëtare
Botë lajkatare
Largohu të them
S`ke lidhje me mua
Në kërkon ta dishë
Ja ku po ta them,
As unë s`të dua!
LUTJE PËR NJË LETËR
Lutet në gjunjë ajka e vendit
Ajo që merret me politikë
Të sigurojë një letër
Përtej Atlantikë.
Përgjërohet për dy gisht letër
Nga gjirize Europe
Letër tradhëtare
Kurvëri e kësaj bote!
Letër magjia
Letër mavria
Hartuar nga hajna
Firmosur nga lukunia
Letra bulevardesh
Si ferra gardhesh
Sfilon padituria
DALLKAUKËT!
Dallgët e nëndheshme
Shkulmojnë mbi anije
Jetën e njerëzimin
Vendosin në fije.
Ortekët e kazanëve
Melodi e vrarë
Këmbana shurdhuese
Si shekuj më parë.
Askushi dhe Demonët
Nuk gjetën karar
Nga qiejtë zbritën
Tamam si Polumbarë.
Rendi njerëzor
Çdo ditë po bie
Dallkaukët e botës
Pa pikë njerëzie!!!
FORCË PREJ LETRE
Forca e saj,
Sot s`qëndron tek fjalët
S`qëndron as tek balta
Që hedh mbi të gjallët.
Forca e saj,
S`tund më universin
Progresion gjeometrik
Për makthin e stresin.
Shkresa e dikurshme,
Ditë në rrugëtim
Sot kjo e pavlerë
Niset me skanim.
Doni origjinalin?
Mos u lodhni kot!
Brendi e tjetërsuar
Endet nëpër botë.
Letër
Me peshë letre,
Me thelb
Të paplotë…
IDENTITET I AKTRUAR
Në rrugën e sfilatave
Pjekur nga balta e hedhur
Si një modë e shitur me stil vrastar,
Forma dhe brendia
Ndërgjegje e vrarë.
Profile modelësh
Pisllik i gatuar
Njerzilliku humbi
Askushi i fituar!
Shtiren e aktrojnë
Hiqen sikur vuajnë
Kazanët e botëve
S`kanë më ç`të gatuajnë.
Një tym pa flakë
Tiganin për darkë.
VETËM ATA
Një botë
Të përmbysur,
Munden ta shohin
Vetëm ata
Që kanë humbur shpresën.
Vetëm ata,
Që
Besim
Nuk njohin.
LETËR KËNGËTARE!
Dikur, këngë shpirti
I ke kënduar dashurisë.
Pushtetit,
Muzikë të kontrolluar.
I ke kënduar malit,
Lëndinës së praruar,
Gurgullimës së Drinit,
Luftëtarit të dashuruar.
A s`më thua këngëtare
Ç`dorë të ka pas shkruar?
Fol një fjalë, mos ma plas buzën
Fol një fjalë moj e uruar.
Po tani, ç`të ka gjetur?
Të shoh zverdhur në fytyrë
Zëri yt më vjen i mekur
Shikimi i ftohtë akull
Si dëborë e patretur.
S`të ndjej më si dikur
Sot më sjell makth e mërzi
S`të lexoj si dikur
Muzikë e sajuar,
Tekst i manipuluar,
S`të njoh më, s`je më ti!
STUHI DIELLI
Stuhitë e diellit
Në çastin e shpërthimit
Godasin pa mëshirë
Poemën e mjerimit!
LETËR E PËRDHUNUAR
Letër
E rrudhosur,
E zhubrosur,
Si virgjëreshë e përdhunuar.
Mashtrojnë të tjerët
Me mantelin lëkurë djalli
Letra e tyre u duket fanar
Ajo mban turpin në krahë
Abuzimet me pash janë shkruar
Djersën e të varfërit kanë përvetësuar
Grabisin të ardhmen
Ëndrrat grabisin
Çirren megafonësh
Ulërasin tribunash
Premtime të përdhunuara
Tundin e shkundin projekte
Si mace të rjepura
Mjaullisin!
E NESËRMJA…
Dallgë të egra
Re të zeza
Det i trazuar
Netë të errëta
E nesërmja
Ç`ngjyrë ka?
Valë të buta
Re të bardha
Netë të yllta
E nesërmja,
E ndritur!
LETËR SHPRESE
Letër e vjetër pikonte shpresë
Dikur,
Gjak e djersë!
Për lirinë,
Lajm,
Kushtrim,
Jetën zëvendësonte
E bëhej himn.
Sot,
Promovon baltën e vjedhjen
Rracën e llojn më të keq
S`tingëllon më si dikur
Katandisur si dreq!
Vulë humbur në raftet e kohës përfundon,
Njerëzinë e sotme,
Lëndon e poshtëron!
Në shekuj, jeta e saj datonte
Me shekuj rronte!
Sot pa u lexuar, fshihet nga kujtesa,
Se pasqyron veç dredha e kthesa.
Thotë e ç`nuk thotë,
Asgjë nga e vërteta.
E prangosur letra në arkën e Noes
I prangosur fati në dollapin e kohës
E murosur fjala si në qivur
Të murosura gërmat në shtatëqind kala
Sot moj magjistare,
Je kthyer në bela!