BallinaEkonomiSportelet fizike të Kadastrës mbyllen në 3 korrik, shërbimet online; Do të...

Sportelet fizike të Kadastrës mbyllen në 3 korrik, shërbimet online; Do të mbeten punonjësit që dinë punën, rritje pagash e konsiderueshme

Nga e hëna, më 3 korrik, sportelet fizike të Kadastrës do të mbyllen. Të gjitha shërbimet do të kalojnë online, deklaroi kryeministri Edi Rama.

“Ditën e hënë, në datën 3 korrik, Kadastra nuk është më e aksesueshme për publikun dhe për askënd tjetër. Nga e hëna në 3 korrik, askush nga ju nuk mund të bëjë asgjë në Kadastër. Dhe do t’ju ftoja ta provonit dhe të shikoni që nuk do arrini të bëni dot gjë.

Pse? Sepse askush brenda në Kadastër nuk do mundet dot t’ju përgjigjet, edhe sikur të dojë. Asnjë nga kushërinjtë që keni futur në Kadastër. Asnjë nga miqtë e miqve që keni futur në Kadastër.

Asnjë nga ata që janë futur në Kadastër se me demek kanë dhënë jetën për PS, nuk do t’ju përgjigjet dot. Pse? Sepse s’do kenë gjë në dorë. Nga e hëna, 3 korrik, Kadastra do të jetë një makineri digjitale dhe punonjësit aty brenda të cilët një pjesë e them me shumë kënaqësi kanë filluar të kërkojnë të largohen se nuk kanë më asnjë mundësi të bëjnë asgjë tjetër përveçse të bëjnë punën e tyre përpara një kompjuteri. Nuk e devijojnë dot në asnjë drejtim sipas dëshirës.

Nga e hëna, 3 korrik në Kadastër nuk mund të ketë më  “zgjidh ti se kujt do t’i shërbesh’. Nuk e përzgjedh dot. Nga e hëna, 3 korrik punonjësi i Kadastrës në Shkodër do të ketë përpara në kompjuter si t’ia nxjerrë algoritmi, raste për të trajtuar për një pronë në Delvinë.

Punonjësi i Kadastrës në Gjirokastër do t’i dalë në kompjuter për të trajtuar rastin e një prone në Tropojë dhe askush nuk do të gjejë dot fillin sesi trajtohet prona, përveç makinerisë digjitale që do t’i përgjigjet përmes një sistemi elektronik kërkesave të qytetarëve. Qytetarëve u bëj thirrje të mos shkojnë më në Kadastër se nuk i pret më askush! Njësoj siç nuk shkojnë në Bankën e Shtetit se nuk i pret njeri, edhe në Kadastrën e shtetit nuk ka për t’i pritur më njeri.

Kadastra është një dritare përmes e-abania-s. Kaq! Aty bëhen aplikimet. Aty merren përgjigjet. Aty vjen dokumenti me vulën elektronike, me nënshkrimin  elektronik i pandryshueshëm, i pa manipulueshëm, i patjetërsueshëm. Dhe jo vetëm kaq, por sistemi do të jetë i tillë që çdo njeri i interesuar për të marrë përgjigje, do të shohë se ku është ecuria e procesit”.

Nga ky revolucion dixhitalë do të ketë shumë dorëheqje nga puna, deklaroi kryeministri Rama, ndërsa shtoi se ata që do të mbeten do të trajnohen. Gjithashtu ai paralajmëroi rritje të konsiderueshme pagash.

“Është një revolucion i jashtëzakonshëm që na çliron të gjithëve. Pres dorëheqje masive nga Kadastra dhe nga ana tjetër, drejtorja e ka shumë të qartë.

E para, punonjësit e kësaj banke duhet të jenë bankierë, jo banakiere, prandaj do t’ju lutesha shumë mos të bëni më asnjë ndërhyrje për askënd, “se ky na ka sjellë kaq vota, se ky na ka dhënë fitoren, se ai na ka dhënë triumfin, se pa këtë nuk fitonim dot, se duhej dhe ai se është një faktor, por janë dhe dy faktorë të tjerë që duhen ndihmuar, se ata tre të tjerët…”, sepse nuk funksionon.

E dyta, pagat. Rritja e pagave të Kadastrës do të jetë shumë e konsiderueshme sepse punonjësit e kadastrës duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarët dhe për këtë kemi diskutuar, kështu që unë përfitoj nga rasti që t’i bëj apel të gjithë atyre që janë profesionistë në ato profesione që Kadastra kërkon, që të aplikojnë sepse realisht janë të domosdoshëm.

Ndërkohë që natyrisht brenda Kadastrës ka plot njerëz që e dinë punën. Shpresoj që një pjesë e tyre të mbeten. Kush do të iki do të jetë më shumë se sa i falënderuar që po shpëtojmë prej tij, por kush do të qëndrojë do të vazhdojë trajnimet, do të vazhdoje kualifikimet sepse drejtorja tha një gjë, certifikimi i kadastrës. Kadastra duhet të certifikohet si institucion i standardeve europiane e duhet të marrë të gjitha ISO-t e nevojshme”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular