“Mbrëmja e çasteve prej zjarri”
Ishte fundi i Qershorit. Një mbëmje e freskët kishte kapluar Gardinën e vitit 1977. Nata sa vinte e dendej duke hedhur supeve mantelin e qëndisur me yje. Çuçuritjet e fundit të zërave dhe hapat e nxituar përziheshin me bisedat e nënzëshme. Në atë ishull të vogël zërash dhe pëshpëritjesh të zhurmshme, nata binte më vonë se kudo. Dritat gjithnjë shuheshin të fundit. Madje kishte abazhure që feksnin dritëza të mekura përgjatë gjithë natës. Atje përtej atyre mureve, atyre dritareve, jeta ishte më e gjallë se çdo gjallëri që shkulmonte gjithandej. Të rinj e të reja, vërshime dhe vrulle, aty hoveshin e aty zinin e paqëtoheshin.
Godina dykatëshe e konviktit ishte nga ngrehinat më të bukura që shfaqeshin në panoramën e pamjes. Ndoshta nuk ishte tamam ashtu por fakti se ajo ishte shtëpia jonë e përbashkët, strehëza e ngrohte dhe paqtuesja e gjithë atyre hoveve dhe vrudheve, domosdo që nuk kishte më të hishme ndërtesë se atë. Çdo gjë në të ajo na mbushte mallin për shtëpitë tona, i e tillë ajo ishte ajo e dëshirueshmja. Megjithëse ishte një dëshmi e së shkuarës, ndërtuar nga ushtarët italianë në kohën e vasilizimit të vendit tonë, ajo gjithsesi reflektonte diçka të afërt.
Dy katet e para ishin populluar me djem. Katet e sipërme ishin për vajzat e teknikumit. Valbona jetonte në katin e tretë të kësaj ndërtese.
Ishte bërë zakon që në këto ditë pranverore të mbidheshim në qoshe të fushës së sportit dhe grupe-grupe të diskutonin për shkollën, për artin, për rininë, e pse jo edhe për dashurinë.
Fundjava pritej me padurim dhe gëzim nga të gjithë studentët. Ndoshta një dëshirë hareje kishte nevojë të shpërthente nga shermenët e rinjt të trupave rinor. Një arratisje nga rutinorja e jetës studentore ishte një nevojë dhe një gazmim që gufonte në kraharorin e çdo të riu që popullonte këtë kënd të qytetit.
Fusha mbrapa shkollës dhe përballë konviktit ishte mbushur me djem që luanin futboll dhe të tjerë që i ndiqnin me ovacione duke ndjekur çdo moment emocionues të ndeshjes. Në anën jugore të konviktit ishte fusha e basketbollit, ngjitur saj ishte ajo e volejbollit, ndëras pak më tej ishte një tjeter fushë, ajo e hembollit.
Të folura dhe gumëzhima nxënësish, nga të gjitha anët. Bëhej zhurmë. Ambjentet ishin zënë heret dhe në ato momente atmosfera dhe ambjenti gëlonin nga hareja, megjithse dita po kaplonte. Të gjithë e dëgjonin këtë moment hyjnorë që përshkonte këtë amfitetatër të vërtetë.
Ishte mbasdite vonë.
Nga momenti në moment, dita ngadalë po i linte vendin natës.
Atë ditë ajo u vonua pak më shumë se herët e tjera. Ai e priste gjithmonë në të njejtin kthinë. Jo rastësisht gjithnjë ai do të gjindej i pari në vendin e takimit. Minutat e pritjes gjithnjë janë të makthshme. Një ndjesi paniku dhe vetmie të mbërthen si vetë heshtja që i bën roje këtij çasti. Pritja atë natë atij po i dukej më e gjatë së gjithë pritjet e tjera të marra së bashku. Ndoshta ishte thjeshtë një ndjesi pasigurie dhe paniku që zakonisht shndërrohet në ndjesi nxituar nga faktorë emocional. Por jo. Ajo pritje ishte vërtetë një pritje e gjatë. Diçka mund ti ketë ndodhur asaj, diçka shqetësues pëshpëriti Shpendi me vete, ndërkohë që vërtitej në çast e vendtakimit. Në këtë vetmi ai mund të dëgjonte vetëm heshtjen e pritjes së rënduar dhe trokthin e zemrës që gati sa s’po i dilte nga kraharori.
Frymarrja filloi ti përshpejtohet dhe gjoksi të ngrihet pupth, zëri të shteroi e buza filloi të kofshoj buzën. Por në këto rrapëllima nuk vonoi shumë dhe ajo u duk në anën e majtë të bujtinës. Ktheu kokën dhe pasi e pikasi filloi të lëvizte me hap të nxituar për ta ngushtuar këtë hendek të gjatë pritjeje. Dukej shumë e bukur, ndoshta më e bukur se herët e tjera. Flokë të gjata ngjyrëgështenjë që i derdheshin mbi supe, të krehura me kujdes i valviteshin herë majtas e herë djathtas shpatullave të saj të njoma veshur në gri.
Trupi i saj i hollë dhe i gjatë, portreti aq i bukur sikur kishte behur tek ajo nga frymëzimet poetike. Një adhurim që po e mrekullonte e kredhi këtë çast. Sytë dhe dëshirimi i tij nuk kishin dhuratë më të çmuar të bukurisë se sa atë. Ishte më e bukura, më e magjishmja se të gjitha shoqet e saj. Por këtë mbrëmje sikur pikonte mbi të një hënë magjike.
Ndërsa ajo po afrohej me hapin e lehtë, ai me buzën në gaz rrekte të lëmonte këtë magji takimi. Thellë në zemër kishte filluar të vërshonin flakatar gjaku të stolisur me dritëza yjesh. Në kraharor përgjonte zemrën që i druhet syve që e ledhin. Në buzë ndjente gjëmimin e buzëve të flakta që preknin. Ah, kjo zemër që ndalon kur afshi i derdhet si një curril vese mbi kurm. Kjo zemër që ngjizet dhe lind dhjetëra përfytyrime që i ngjajnë më shumë një engjëlli që shpërthen në prekjen e ndrojtur të zotërimit.
Ishte një çast që i bëri ata të mrekulluar prej të magjishmes, ai çast që zgjon prej thellë nesh atë të panjohur ngasëse që shprehet përmes fjalësh të ëmbëlsuara me polenin e luleve, përmes penelatave me ngjyra në harqet e ylbereve, melodive që të magjepsin si shkumëzimi i ujëvarave.
Ato u ndien të prekur prej asaj dashurie që shfaqet dhe merr krah përjetimit dhe jetësimi nëpër çaste pritje dhe takimi. Një dëshirë zjarri u bë urë në këtë mbrëmje nën yje, urë që i lidh këto dy trupa me dritën e përshkënditur yje në sytë e tyre. Ata belbëzojnë fjalë që kanë vetëm kuptimin e mrekullisë së dëashurisë në prekjen e duarve, në këtë ndeshje e shikimesh ku përkunden në shkulmin e një drite që shpërthen brenda tyre, në çdo ëndje që zgjon pasioni.
Të vetmet fjalë që u shquan në këtë takim ishin ata që tha ajo.
– Ja më në fund erdha. Dhe një heshtje disi e gjatë peshoi mbi këtë fjalë lakonike të saj dhe shikimin gjarpërues që e pickonte atë.
– Mendova se diçka jo e këndëshme të kishte ndodhur, tha ai, ndërsa dorën ai kaloi mes ujvarës së flokëve që nën dritën e hënës vezëllinin një dritë metali.
– Kisha lajmëthirrje me motrën në Tiranë, u mundu të shpjegohej ajo. Dhe teksa u afrua e perqafoi duke i vjedhur një puthje të lehtë në këndin e buzëve që i zhuriteshin.
Ai hapi krahët si në ftesë për fluturim, dhe ajo gjithashtu u lëshua tek ai, u këput si një lule. Qëndroi mbi majekëmbët e tija si mbi një fron duke e zgjatur për ta pushtuar të gjithin. Një frymëmarrje e thellë që i gufoi nga gjoksi u ndesh me kodërzat e gjysmëhënave të gjoksit të saj. Ai shfryu një psheretim të thellë në gjoksin e saj, duke shijuar skena të mrekullushme që i sjell fresku pranverore veçanarisht në Gardine.
Ata ishin ndodhur shpesh ne ketë kënd të botës së tyre dëshiruese, por kurre nuk ishin ndjerë si në këtë prag nate, në këtë cak mahnitësh afrije. Qielli ato ditë kishte pamje e një manteli të qëndisur me yje. Një sinfoni e koloviste ajrin që i vishte. Një hënë e plotë lante në flori gjithçka shihte në këtë përgjim mbrëmësor. Pemët rreth e qark importonin lëvizje si ajo e vajzave të reja që mezi presin sa të filloi muzika e vallëzimit.
Lundruan të dy në këtë vërshim magjepsës mbrëmjë si gjethet mbi syprinën e paqt të liqenit. Ajo ngriti sytë dhe shikonte Shpendin që në fytyrë i bulonte një buzëqeshje, një buzëqeshje që nën dritën e hënë i dukej se shkëlqente një ëmbëlsi melankolike. Ai u pëkul në këtë çast përprijesh të syve dhe eshkjes së buzëve, e afroi pranë vetes shtatin e saj që derdhej nën siluetën gjysëm të ndriçuar nga hëna dhe gjithë të pushtuar nga dëshirimi dhe zjarri i pasionit. E rrëmbëu pranë vets, si një petk kur kërkon ta veshësh mbi shtat dhe buzët e saj i ndeshi me të tijat.
Po përjetonin një moment vërtetë të mahnitshëm, i cili gjithnjë në përsëritje kishte diçka ndryshe për tu ofruar atyre, gjithnjë një zjarr më përvëlak për t’i pushtuar trupat e tyre.
Nuk kishte të mbaruar ky çast. Nuk kishte të mbarur kjo dëshirë për të qëndruar ashtu të rrëmbyer nga ky përqafim të dy. Kishian kaq shumë dëshirë. Donin të ndjenin kaq shumë dhe kaq gjatë njëri-tjetrin të dy. Donin që ky çast, kjo mbrëmjë, ky takim të ishte i përgjithmonshëm, i përjetshëm vetë gjithësia.
Shpendi u afrua përsëri, me një gjest shumë delikat dhe mjaft të afërt i vendosi dorën në ballë sipër syrit të saj, ndërsa ajo u afrua si fëmijë dhe u mbështet tek ai. U struk në përqafimin e tij si një zog në pendët e ëmës së vet, si një gonxhe në petalet e pahapura. Ishte një çast statuje, një moment i derdhur në shtatore, një e prekshme që mrekullon edhe vetë dritën kureshtare të hënës dhe valëzimit të reve.
Ajo foli me një zë të pakët si zë psherëtime, me një timbër të imët, ishte aq i butë sa askush veç atijë, as vetë heshtja e asaj mbrëmje nuk arriti ta dëgjonte veç ai. Ai zë, ajo zemër, ato buzë… që prehen në paqen e një ëndërrimi që formëzohet si një bimë në prehrin e një dëshire të hyjshme për gjallërim, e harbon në krahët e frymës, shpërthen në çdo qelizë e shumon në çdo embëlsi që rrapëllen, në gjak e në limfë.
Dëshira ishtë të rrinin bashkë ndoshta të flinin bashkë në të njejtin krevat. Koha kishte kaluar pa kuptuar, ndoshta ishte momenti që roja i bujtinës ti vendoste kyçin derës dhe të mbeteshin jashtë.
Përsëri e afroi rreth vetes dhe filloi ta puthte pa mbarim, sikur dontë që të mbushte çdo copëz të vetvetes me këtë ëmbëlsi, me këtë lëndë shndritëse. Në këtë ngulm rrëmbimit të vetveteve prej zjarri ata gjetën brenda vetes një nevojë për t’iu dhënë një hareje qeshje, një qeshje ngazëllyese që do të thyentë heshtjen e natës.
Më shumë se të qeshnin filluan të psherëtinin,
– Të dua, i tha ai.
– Edhe unë të dua, i’a kthjeu ajo.
Ai e puthi përsëri.
Fjalë dhe fjalë zemre u shqiptuan atë çast. Aq shumë thanë, e aq shumë u duskutuan, por, asgjë nuk mbahej mend.
Asnjëri nuk mundi ti rezistoi kësaj situate që zbret nga fletët e një romani, siç zbret vesa nga gjuhëza e një fije bari, dhe… që lëshohet hareshëm me taftin e pafundësisë; e platitet në buzët që i eshk puthja, në kurmin që e tendos prekja, në syrin që e shkëndin dita.
Ishin zemrat e tyre, që përkuleshin e përgjëroheshin në këmbët e një dëshirimi, që rrënjëzon në një lule e në një lis, çukit si një hënë e pëshpërit si një heshtje, dhe… vjen tek ata, të skuqur prej ndrojtjes, të stepur prej hutimit, të heshtur prej shtrëngatës së prarimit që e zë përfund.
Ai e ngriti në duar dhe së bashku morë rrugën drejt bujtunës…
@halilteodori..
New York 09/19/2016