Shoqatat e eksportuesve i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku kërkojnë marrjen e masave për të zbutur pasojat e rënda që po përjetojnë kompanitë prodhuese për eksport nga mbiçmimi i lartë i monedhës kombëtare.
Pas shqetësimit tonë të ngritur prej disa vitesh radhazi dhe që kohët e fundit kemi arritur në kufijtë e mbijetesës, ne u organizuam së bashku me disa ekspertë të ekonomisë për t’ju paraqitur disa gjetje dhe rekomandime.
Vlerësojmë se së bashku me shoqatat e eksportuesve, duhet të krijohet një grup nderinstitucional për të identifikuar dhe për të zbatuar politika adekuate monetare e fiskale dhe reforma strukturore që nuk cenojnë stabilitetin makroekonomik, por që zbusin goditjet e rënda nga mbiçmimi i monedhës kombëtare.
Masat mbështetëse të bazuara në eksperiencat e vendeve të tjera, nuk dëmtojnë objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë për arritjen dhe ruajtjen e inflacionit në nivelin 3% dhe nuk dëmtojnë sado pak stabilitetin e financave publike, thuhet në letër.
Pas një pune të thellë profesionale së bashku me ekspertë të politikës monetare dhe fiskale, ju lutemi gjeni bashkëngjitur gjetjet dhe rekomandimet përkatëse:
Politikat monetare:
1. Rienergjizimi i luftës kundër informalitetit dhe pagesave cash dhe reduktimi i parave jashtë bankave. BSH dhe institucionet e tjera shtetërore, të vlerësojnë mundësinë e ofrimit të stimujve dhe lehtësirave të ndryshme (fiskale, financiare etj.) personave dhe subjekteve ekonomike për pagesat me kartë.
2. Deeuroizimi i ekonomisë-redukton goditjet e pamenaxhueshme të kursit të këmbimit. Përdorimi i valutës së huaj në transaksionet brenda vendit, duhet të dekurajohet, për shembull një politikë e tillë është dekurajimi i marrjes së huasë në një monedhë të ndryshme nga të ardhurat e huamarrësit.
3. Përcaktimi i kufijve tavan të një shume maksimale që këmbimoret lejohen të kryejnë. Këto zyra janë rreptësisht të kufizuara, për sa i përket kryerjes së transaksioneve në vlera të mëdha, duke ndaluar kategorikisht ato mbi një vlerë të caktuar.
4. Kontroll dhe mbikëqyrje e rreptë nga institucionet përkatëse, mbi të gjitha transaksionet në valutë të huaj përtej një shume.
5. Përpunimi i të dhënave në kohë reale për flukset hyrëse dhe dalëse te euros dhe disa statistika vjetore për periudhën kritike qershor-shtator.
6. Emetimi i instrumenteve financiare në valutë nga institucionet shtetërore, si p.sh pjesë e rëndësishme e kontrollit të ofertës së tepërt në valutë. Në gjendjen në të cilën ndodhet, nuk ka asnjë arsye madhore që qeveria të marrë kredi në tregjet ndërkombëtare, kur BSH fare mirë mund t’ia merrte.
7. Ndarja me shoqatat eksportuese të raporteve të BSH-së, në lidhje me detyrimet ligjore për të informuar dhe raportuar në qeveri dhe Kuvendin e Shqipërisë, për luhatjet e kursit të këmbimit dhe tendencat e tyre dhe rekomandimet për mbrojtjen e bizneseve eksportuese kur ka dinamika serioze.
8. Harmonizimi MFE me BSH i levizjeve ditore dhe mujore të Fluksit të Parasë, për të ulur rritjen e ofertës për euro gjatë periudhave të prurjeve të mëdha, të ardhura nga turizmi, remitancat dhe Investimet e Huaja Direkte.
Banka e Shqipërisë mund të marrë masa monetare, për të reduktuar ndikimin/pasojat negative në ekonomi të mbiçmimit të lekut dhe luhatjeve të pakufizuara të kursit të këmbimit.
Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mund të marrë disa masa për të mbështetur eksportuesit që janë në vështirësi, duke synuar rritjen e konkurueshmërisë së eksporteve, përmirësimin e mundësive financiare te eksportuesve dhe përgjigjen ndaj sfidave me të cilat përballen eksportuesit.
Këto masa janë shumë më efektive, kur zbatohen në koordinim me politikat e gjera ekonomike dhe tregtare nga qeveria. Bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm si qeveria, BSH dhe shoqatat e eksportuesve, është thelbësor për të siguruar suksesin e strategjive kombëtare dhe masave të marra.
Në këtë kuadër, disa veprime që BSH mund të ndërmarrë janë:
1. Politika e kursit të këmbimit dhe rezervave valutore: BSH mund të zbatojë një politikë të përshtatshme të kursit të këmbimit, për të ruajtur një vlerë konkuruese të monedhës. Kjo do t’i bënte eksportet shqiptare më konkuruese, duke rritur kërkesën për mallra dhe shërbime të vendit. Rezervat valutore mund të përdoren në mënyrë strategjike për të stabilizuar dhe ruajtur kursin e këmbimit të eksportuesve gjatë periudhave të luhatshmërisë së monedhave.
2. Kursi i këmbimit me euron, të jetë një gjysëm i lirë. Duke pasur parasysh dominancën e lartë të euros në ekonominë shqiptare, gjë që e bën politikën monetare gjysëm-autonome, duhet konsideruar opsioni që kursi i këmbimit me euron, të jetë një gjysëm i lirë. Fasha brenda të cilës leku do të lejohej të luhatej lirisht, duhet të studiohet me shumë përgjegjësi profesionale;
3. Trajnim ritrajnim dhe bashkëpunim në njohjen e sfidave të eksporteve dhe reduktimin e risqeve të kursve të këmbimit. BSH-ja mbështet programin e trajnimit për eksportuesit për të mirën e njohurive të tyre për tregjet, rregulloret tregtare dhe praktikat e eksportit. BSH mund ti japë eksportuesve akses në inteligjencën e qartë lidhur me tendencën e eksportit, mundësitë dhe konkurencën.
II. Politikat fiskale:
1. Ngrirja e tatim fititmit të vitit 2023, që shoqëritë e biznesit eksportues e paguajnë si paradhënie sipas ligjit për procedurat tatimore.
2. Rimbursimi i I përshpejtuar i TVSH-së brenda një afati 10-15 ditor.
3. Të miratohet buxhet suplementar në forme subvencioni, duke bërë levizje të fondeve nga të ardhurat që krijohen nga fitimet e shoqërive importuese, si rrjedhojë e zhvlerësimit te Euros si nga Tatim Fititmi dhe nga TVSH-ja.
4. Hartimi i një strategjie kombëtare për nxitjen e eksporteve.
5. Krijimi i Agjencisë Kombëtare dhe Nxitjes së Eksportit përvojë e disa vendeve.
6. Aplikimi i stimujve lehtësues dhe mbështetës për eksportin. Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), mund të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse për rritjen e eksporteve, duke hartuar zbatimin e strategjive të kombinuara të bizneseve që eksportojnë dhe zbatojnë skemën e nxitjes së cksportit, të tilla si subvencionet për eksportuesit, apo stimuj të ndryshëm tatimorë.
7. Financimi i eksportit dhe sigurimi i kredisë së eksportit: MFE dhe BSH mund të angazhojnë bankat e nivelit të dytë, të përfshihen në programet e financimit të eksportit.
8. Fondet e zhvillimit të eksportit: MFE mund të identifikojë sektorë të dedikuar dhe sipas peshës në % të eksporteve dhe ndikimeve sociale, të ofrojë mbështetje për kërkimin dhe zhvillimin (R&D) për rritjen e produktivitetit dhe aplikimin e teknologjive me vlerë të shtuar, bazuar në sfidat e ekonomisë së dijes. (STEM) dhe ekonomisë së gjelbër (Agrotech);
9. Subvencionimi i përkohshëm i pagave dhe sigurimeve shoqërore e shendetësore. Kjo masë do të ulë rritjen e ofertës për euron, duke lehtësuar goditjet ndaj curos nga mbiçmimi i lartë i monedhës kombëtare dhe zbutjen e demit tashmë të shkaktuar tek bizneset eksportuese.
10. Ndihmë të përkohshme shtetërore gjatë periudhave kritike, me detyrimin për ti kthyer brenda vitit buxhetor.
11. Trajtimi i stafeve të bizneseve eksportuese, lidhur me risqet e luhatjes së kurseve të këmbimit. BSH të përmirësojë dhe thjeshtojë rregulloren e tregtisë së jashtme, duke reduktuar kostot e burokracisë, duke e bërë më të lehtë për eksportuesit të lundrojnë në tregjet e huaja. BSH dhe MFE mund të punojnë me institucione të tjera të tjera për të lehtësuar koston e ulët të tregtisë, që përfshin procedurat e kostos së eksportit dhe të rritjes së konkurencës.
12. Incentiva për aplikim e teknologjive te reja, duke përshpejtuar normat e amortizimit të teknologjive nga 20% në 40%, duke lehtësuar përkohësisht barrën e taksave dhe duke i krijuar mundësinë kompanive, që të kenë më shumë likujditet. Premtim ky edhe në programin e qeverisë Rama të vitit 2021.
13. Ristrukturimi i pagesës së taksave. Një nga parimet e arta të taksimit të Adam Smithit, është që biznesi duhet të paguajë detyrime tatimore, vetëm kur është koha më e përshtashme për biznesin. Kjo nënkupton që detyrimet tatimore të periudhës kur monedha kombëtare mbivlerësohet lart dhe euro de-vlerësohet, të spostohen për një periudhë të mëvonshme, por brenda vitit buxhetor.
Zyra e Unifikuar e Bizneseve të Eksportit (ZUBE), është e gatshme për të diskutuar me ekspertët e qeverisë dhe BSH-së, për një paketë të harmonizuar të politikave monetare me ato fiskale si dhe për reformat mbështetëse. Përvojat ndërkombëtare qartësojnë se as politikat monetare dhe as politikat fiskale nuk mund të reduktojnë kostot rënduese të mbiçmimit të monedhës kombëtare, pa u harmonizuar midis tyre dhe eksportuesve. “EKSPORTET MADE IN ALBANIA” kanë kontribute të konsiderueshme në punësim dhe në vlerën vjetore të eksporteve. Gjetjet dhe rekomandimet duhet të jenë një shtysë dhe zgjim për të gjithë aktorët, që sfida të tilla dhe problematika të ngjashme të mund të evitohen, por edhe të shërbejnë si një mundësi konkrete, që pas çdo krize duhet të ketë një ringritje për ekonominë dhe rritjen e eksporteve shqiptare.
Në pritje të bashkëpunimit ndërinstitucional, Me mirënjohje,
Përfaqësuesit e Zyrës së Unifikuar të Bizneseve Eksportuese.