BallinaAktualitetTransferimi i gardistëve te strukturat e tjera, zbardhen procedurat! Rastet kur kandidatura...

Transferimi i gardistëve te strukturat e tjera, zbardhen procedurat! Rastet kur kandidatura e përzgjedhur mban gradën “Drejtues i lartë”

Këshilli i Ministrave përcaktoi rregullat dhe procedurat për transferimin e punonjësve të Gardës së Republikës në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.

Në vendimin e qeverisë thuhet se, punonjësit e Gardës së Republikës mund të transferohen, për arsye shërbimi, në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me kërkesën e këtyre të fundit. Punonjësit, të cilët transferohen në struktura të tjera me gradë, emërohen në funksion në nivel ekuivalent me gradën që kanë.

Titullarët e institucioneve kërkuese, të cilët shprehin interes për emërimin e punonjësve të Gardës së Republikës, në strukturat e tyre, paraqesin kërkesën me shkrim pranë drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, duke specifikuar kriteret dhe kualifikimin që duhet për të kryer detyrën. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, për çdo funksion të kërkuar nga institucionet kërkuese, përzgjedh kandidaturën që plotëson kriteret e kërkuara dhe e përcjell atë tek institucioni kërkues, së bashku me dokumentacionin që vërteton kualifikimin e tij për pozicionin e propozuar. Kur kandidatura e përzgjedhur mban gradën “Drejtues i lartë”, transferimi bëhet me urdhër të ministrit, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

Institucioni kërkues, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e kandidaturës së propozuar, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij vendimi, shprehet me shkrim për pranimin ose jo të tij. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, pas marrjes së dakordësisë, nxjerr urdhrin e transferimit të punonjësit dhe ia përcjell atë institucionit kërkues, së bashku me dosjen personale. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka të drejtë që për nevoja pune të kërkojë rikthimin e punonjësit në Gardën e Republikës, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se 6 (gjashtë) muaj nga transferimi. Punonjësi i transferuar pranë strukturave/institucioneve të tjera me gradë, në varësi të ministrisë, sipas këtij vendimi, në përfundim të periudhës së qëndrimit në detyrë, ka të drejtë të rikthehet në strukturat e Gardës në një funksion, në përputhje me gradën që mban aktualisht.

STREHIMI

Këshilli i Ministrave përcaktoi masën ditore të përfitimit dhe procedurën e kompensimit për strehim për punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët emërohen ose transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm dhe nuk u sigurohet nga Garda mjedisi për akomodim. Në vendim thuhet se, kur punonjësi nuk ka në ngarkim persona të tjerë familjarë, me të cilët zhvendoset jashtë vendbanimit të përhershëm, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 30 m² neto.

Për çdo person familjar shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10 m2. Sipas vendimit, numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Gardës së Republikës vërtetohet nëpërmjet certifikatës familjare, në momentin e emërimit ose transferimit. Garda e Republikës bën kompensimin e qirasë së banesës së punonjësit përkundrejt paraqitjes së kontratës së noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Në kontratë përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja në metër katror dhe vlera mujore e qirasë së objektit.

Masa ditore e përfitimit të kompensimit për strehim do të jetë sa 1/30 e vlerës minimale të qirasë mujore, sipas përcaktimeve në vendimin nr.469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”. Punonjësi i Gardës së Republikës, që përfiton kompensim për qira banese, paraqet pranë sektorit të burimeve njerëzore; Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë së banesës; Fotokopjen e kartës së identitetit; Certifikatën personale dhe certifikatën familjare; Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është transferuar; Vërtetimin nga Drejtoria Vendore e ASHK-së se ai ose pjesëtarët e familjes, që ka në certifikatën e gjendjes familjare, nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin ku është emëruar ose transferuar. Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi dhe përllogaritja e shumës së përfitimit të kompensimit të qirasë së banesës bëhet nga komisioni, i cili përbëhet nga Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse; Shefi i sektorit të burimeve njerëzore; Shefi i sektorit të buxhet-financës; Specialisti i infrastrukturës; Specialisti jurist.

Sektori i burimeve njerëzore njofton komisionin për paraqitjen e dokumentacionit nga punonjësi. Komisioni brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e dokumentacionit bën vlerësimin e tij dhe në rast të pranimit të kërkesës bën përllogaritjen e shumës së përfitimit të kompensimit të qirasë së banesës. Komisioni merr vendim me shumicë, në prani të të gjithë anëtarëve të tij. Në bazë të vendimit të komisionit, drejtori i Përgjithshëm nxjerr urdhrin për kompensimin e qirasë së banesës për punonjësin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular