Në pritje të dialogut Kosovë-Serbi më 14 shtator në Bruksel/ Lajçak: Të gjitha marrëveshjet e dialogut duhen zbatuar pa vonesa

0
231

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se po përgatiten për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 14 shtator në Bruksel.

Me anë të një postimi në Facebook ai ka treguar se çfarë ka biseduar me Kurtin e Vuçiçin gjatë kësaj jave.

Me Kurtin ai është takuar në Bled të Sllovenisë këtë javë, ndërsa me Vuçiçin është takuar në Beograd.

Lajçak ka thënë se me Kurtin ka ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës.

“Në Bled, unë kisha takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne biseduam për përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, me përqendrim te normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së BE-së të 3 qershorit. Po ashtu kam ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak ka thënë se dy liderëve ua ka kujtuar se te gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa.

“Nga Bledi, udhëtova në Beograd, ku u takova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kemi biseduar në detaje për përpjekjet për ulje të tensioneve dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ua kam kujtuar të dy liderëve se gjitha marrëveshjet e dialogut mbesin valide dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet zbatuar plotësisht dhe pa kushte apo vonesa. Diskutimet tona do të vazhdojnë dhe po bëhemi gati për takimin e liderëve në Bruksel më 14 shtator për një rund të ri të dialogut të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.