Zbardhet udhëzimi/ Licensim i menjëhershëm dhe punësim pa konkurs, zbërthehet “trajtimi i veçantë” që do t’u bëhet mjekëve të rinj! Diploma direkt në sirtarët e MSH

0
288

BESARTA BASHA/ Ndryshe nga studentët e tjerë, të sapodiplomuarit në mjekësi, duke filluar nga viti i ardhshëm, në fund të mbrëmjes së diplomimit do të mund të hedhin kapelet e studentit, por pa mbajtur në duar diplomën e Mjekësisë së Përgjithshme.

Me t’u miratuar ligji, ministritë e Arsimit e Shëndetësisë nuk kanë vonuar të miratojnë udhëzimet përkatëse, në ndihmë të zbatimit të ligjit të miratuar në fund të korrikut, vetëm pak ditë para se maturantët të bëjnë zgjedhjet e tyre. Udhëzimi i fundit përcakton procedurat, nga “pengmarrja” ose kalimi i diplomës direkt nga fakulteti në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë, deri te veshja po ashtu e menjëhershme e bluzës së bardhë të mjekut.

Nuk do të ketë as njohje diplome pranë Urdhrit e as konkurs për mjekët e rinj, por punësim jashtë radhe nga një komision i posaçëm bazuar vetëm në rezultatet e tyre. Dokumenti nuk përcakton kohën që do i duhet MSH t’i gjejë punës mjekut të ri e as strukturën në të cilën ai do të angazhohet, private apo publike. Me të përmbushur kushtin e kohëzgjatjes së punësimit, nga 2 deri në 5 vjet për ata që shkelin sivjet për herë të parë në auditor, diploma do të merret nga i zoti.

“TRAJTIMI I VEÇANTË”

Në udhëzimin nr. 20 të firmosur në 1 shtator, dy ministritë përgjegjëse, ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë kanë përcaktuar rolin e tyre në të ashtuquajturin “trajtim të veçantë” që do iu bëjnë mjekëve të rinj, një detyrim ky që rrjedh nga ligji me të njëjtin emër. Në pikën e parë dhe më kryesorja është sigurimi i vendqëndrimit të diplomës së mjekut të ri.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për të mundësuar kalimin zyrtarisht Ministrisë përgjegjëse për Shëndetësinë, të diplomës dhe suplementit të saj të studentit të sapodip[lomuar në programin e ciklit të dytë të studimeve ‘Mjekësi e Përgjithshme’, që ka nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe Ministrinë përgjegjëse për Shëndetësinë”, citohet në udhëzimin, i cili vijon më tej se kjo diplomë i kalon më tej Urdhrit të Mjekëve kopjen e njehësuar të diplomës me qëllim për ta pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të mjekut.

Pra, si profesion i rregulluar me ligj, mjeku i ri pajiset direkt me licencë. Pas Arsimit, numrin më të madh të përgjegjësive e ka Ministria e Shëndetësisë, të cilat lidhen me gjetjen e vendit të punës për ata që ua ka mbajtur diplomat në sirtar. Pas vlerësimit të nevojave për mjekë në institucione, MSH-ja duhet të organizojë punën në mënyrë të atillë që në vendet vakante ku krijohen, bazuar edhe në vendbanimet e të diplomuarve, të dërgojë ata që i ka në listë. Pavarësisht dëshirës apo preferencës së mjekut. Procedura është e qartë, rezultatet janë të parat, vendlindja dhe pozicionet vakante që përcaktojnë rendin e punësimeve.

“Pranë Ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë ngrihet Komisioni ad-hoc, i cili organizon dhe ndjek procedurën e punësimti të mjekëve të sapodiplomuar bazuar në rezultatet e studimeve të tyre universitare, vendlindjen/vendbanimin dhe pozicionet vakante në institucionet shëndetësore në vend”, përcaktohet në dokument.

Ministria e Shëndetësisë dërgon çdo vit pranë Urdhrit të Mjekëve listën e studentëve që kanë nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë, ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë, sipas afateve të parashikuara në marrëveshje, e cila hyn në fuqi pas licencimit të tyyre si mjekë dhe fillimit të punësimit me institucionin shëndetësor. Rekrutimi, nënvizohet në udhëzim, bazohet në nevojat e sistemit shëndetësor si dhe listën e mjekëve të punësuar sipas marëveshjeve që ministria bën.

Gjatë gjithë kësaj kohe, që kur e deklaroi Kryeministri Rama e deri në botimin në Fletoren Zyrtare, studentët e Mjekësisë e kanë kundërshtuar me forcë këtë ligj e madhe kanë lajmëruar se do e çojnë në Gjykatë Kushtetuese. Sakaq, në këtë vit akademik, studentët, janë para dy alternativave: Të paguajnë koston e plotë të studimeve që më pas të kenë “lirinë e përzgjedhjes” ose të firmosin marrëveshjen që do u lehtësonte xhepat e studentit, por në këmbim do të ishin “peng” për disa vjet i spitalit privat apo shtetëror në Shqipëri ku do të punësoheshin.