BallinaTe tjeraBomba që do hidhte në erë Elbasanin, si u rrezikua shpërthimi i...

Bomba që do hidhte në erë Elbasanin, si u rrezikua shpërthimi i 300 ton Egzotol! Ish-kryeinxhinieri: Çfarë i thanë ekspertët suedezë djalit të Enver Hoxhës

NGA AFRIM IMAJ

“Ta dinin në qytetin e Elbasanit rrezikun që i kanoste depozitimi pa kriter i treqind tonëve egxotol në Mjeks do t’i pllakoste paniku. Një bombë bërthamore do ta bënte shkrumb e hi qytetin sa hap e mbyll sytë”.

Përtej përshkrimit të historisë për ngritjen e gjigandit të eksploziveve shqiptare dhe suksesit në eksportimin e tyre deri në SHBA, inxhinier Granit Leka ish-kryeinxhinieri i Kombinatit Ushtarak të Mjeksit, ndalet në një aspekt tjetër të panjohur e të patreguar më parë që i përket kohës kur shteti shqiptar i ka dëbuar të padëshirueshëm korifenjtë e teknologjisë moderne të Nobelit të famshëm.

“Puna e pakujdesshme pas largimit të specialistëve suedezë, rrezikoi një katastrofë të jashtëzakonshme, tregon Leka. Një keqmenaxhim në depozitimin e eksplozivit më të fuqishëm në botë, mund të hidhte në erë gjithë qytetin e Elbasanit. Ndërhyrja në çastet e fundit shmangu një tragjedi të paimagjinueshme”.

Ajo çfarë ka ndodhur ato ditë në kombinatin sekret ka qenë vërtet një ngjarje tronditëse, për të cilën ish-kryeinxhinieri thotë se falë zotit dhe rastësisë shpëtuam nga një tragjedi njerëzore disa herë më e madhe se ajo e Gërdecit. Në vijim të rrëfimit për gazetën “panorama”, ai tregon historitë paradoksale me gjurmimin që iu bënte sigurimi i fshehtë teknologëve të huaj, te të cilët nuk shikonte krerët e shkencës, por agjentët dhe armiqtë potencialë; që rrezikonin pushtetin e Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. Njëra ndër to ka të bëjë me ndërhyrjen e agjentëve sekret deri në jetën private të specialistëve.

“Njëri nga ekspertët suedez, vë në dukje ai, punonte në laborator me një nuse të re nga Elbasani. Zëri i “vigjilentit” shkoi në skutat e shërbimit të fshehtë dhe afërsinë në procesin e punës e raportoi si afërsi intime ndërmjet tyre. Pas kësaj ndodhi një demaskimi brutal në laborator. Ajo nusja e re u kryqëzua publikisht jo vetëm për tradhti bashkëshortore, çfarë ishte një intrigë e shpifur, por dhe për raporte agjenturore me teknologun që urrente regjimin e Enver Hoxhës. Dhe fjala mori dhenë, e mori vesh i gjithë Elbasani. Kaq mjaftoi që bashkëshorti i laborantes së talentuar ti jepte “duart” e ta braktiste përgjithmonë. Një dramë e tmerrshme kjo që solli pasoja të pariparueshme në jetën e një familje të ndershme…

Zoti Granit! Ju keni qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të specialistëve suedezë që ngiten Kombinatin e Mjeksit. E ndjenit si i ndiqte ata sigurimi i shtetit?

Unë kam qenë njëri nga bashkëpunëtorët, nuk mund të them se kam qenë bashkëpunëtori më i afërt i inxhinierëve dhe teknologëve suedezë dhe që konstruktuan Mjeksin. Profesioni, gjuha, por sidomos njohja me një pjesë të tyre gjatë kohës kur u trajnuam në Suedi, më krijuan mundësinë të qëndroj gjatë e të konsultohem hap pas hap me ta. Me plot gojën mund të them se u krijua një shoqëri e sinqertë, ku përveç çështjeve të punës bisedonim dhe për shumëçka tjetër, kuptohet brenda kufizimeve të një ballafaqimi me të huaj që vinin nga Perëndimi. E vërteta është se ata e ndjenin që i gjurmonte policia e fshehtë, por nuk merakoseshin. Ndërkohë ne të tjerët që punonim me ta e përjetonim si diçka delikate, për të cilën rezervoheshim të flisnim…

Gjurmimi që u bënte Policia e fshehtë lidhej me rrezikshmërinë e teknologjisë që montonin në Mjeks, apo me diçka tjetër?

Ata që gjurmonin dhe raportonin fshehtas për inxhinierët suedezë që ngrinin gjigandin e Mjeksit, nuk ia kishin idenë teknologjisë që montonin aty. As operativi i Mjeksit dhe shefat e tij në Elbasan dhe Tiranë nuk kishin dijeni për proceset që zhvilloheshin në Kombinatin e eksplozivëve.

Shkurt, e gjithë përkujdesja e tyre nuk kishte për synim pasojat që mund të vinin nga një shpërthim i mundshëm i atij arsenali shkatërrues, por te qasja politike e “mysafirëve” të ardhur nga një botë tjetër, tek rreziku që mbartin ata për përmbysjen e pushtetit të Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. E për këtë nuk u duheshin të dhëna e informata nga ne grupi i inxhinierëve e teknologëve që punonim me ta. Kontingjenti i tyre ishte një grusht njerëzish pa profesion, madje dhe pa personalitetet, që gjurmonin në fshehtësi deri dhe jetën private të tyre…

Pra, shërbimi nuk vigjilonte sigurinë e objektit dhe teknologjisë, por marrëdhëniet intime të specialistëve suedezë…

Ky ishte dhe paradoksi më i madh në atë kohë paradoksesh. Njerëz pa identitet raportonin deri në majën e shërbimit të fshehtë me kë ata bisedonin, çfarë lexonin e me kë shoqëroheshin, çfarë raporte kishin me femrat e çfarë preferonin në kohën e lire. Mbaj mend një skandal të atyre ditëve kur një ndërhyrje vulgare e zyrtarëve të sigurimit shkatërroi jetën e një familje të mrekullueshme…

Për çfarë arsye ndërhyri sigurimi që shkatërroi jetën e një familje?

Një nga ekspertët suedez punonte në laborator me një nuse të re nga Elbasani. Zëri i “vigjilentit” shkoi në skutat e shërbimit të fshehtë dhe afërsinë në procesin e punës e raportoi si afërsi intime ndërmjet tyre. Pas kësaj ndodhi një demaskimi brutal në laborator. Ajo nusja e re u kryqëzua publikisht jo vetëm për tradhti bashkëshortore, çfarë ishte një intrigë e shpifur, por dhe për raporte agjenturore me teknologun që urrente regjimin e Enver Hoxhës. Dhe fjala mori dhenë, e mori vesh i gjithë Elbasani. Kaq mjaftoi që bashkëshorti i laborantes së talentuar ti jepte “duart” e ta braktiste përgjithmonë. Një dramë e tmerrshme kjo që solli pasoja të pariparueshme në jetën e një familje të ndershme…

Në raportet e sigurimit artikulohen dhe marrëdhëniet e teknologëve suedez me studentet kongoleze që ishin në atë kohë në Shqipëri…

Një marrëzi tjetër kjo. Në atë kohë në vendin tonë ishte një grup studentesh nga Kongo që i kishte sjellë regjimi qysh pas grushtit të shtetit në mesin e viteve ‘60. Ato ishin rritur e shkolluar në vendin tonë dhe vitet e fundit kishin vendosur kontaktet me familjarët që ishin në shtete të tjera. Dinin gjuhë të huaj e frekuentonin lokalet e disponueshëm vetëm për të huajt. Këtu me sa më kujtohet u vendosën dhe lidhjet e tyre me inxhinierët suedezë. Një shoqëri pa komplekse midis tyre, nuk mund të mos binte në sy të sigurimsave. Që këtej pastaj niste gjuetia e shtrigave…

Me një fjalë shoqërimi i tyre në hotelet e destinuara për të huajt u bë shkak të stigmatizoheshin si huliganë e imoralë…

Të tilla të dhëna vinin sa herë ata frekuentonin hotel ‘Dajtin’ në Tiranë dhe hotel ‘Adriatikun’ në Durrës. Në Adriatikun e Durrësit ku shkonin gati çdo ditë, thoshin se u ishte bërë tmerr Ccufe Mullaji, asokohe nëndrejtor i hotelit, që kryente detyrën e detektivit të sigurimit. Dhe nuk ishte një sigurims i zakonshëm, por një nga agjentët më të famshëm që kishte shërbyer shumë vite në Perëndim. Ai i ndalonte rreptësisht të futeshin të shoqëruar dhe i ndiqte hap pas hapi me kë takoheshin e çfarë bisedonin. Kështu nuk ruante vetëm ndershmërinë e hotelit, por gjurmonte fijet e lidhjeve që mund të rrezikonin regjimin…

Dhe erdhi një ditë që regjimi ua numëroi në sy të gjitha këto dhe i largoi si të padëshirueshëm…

Prapsi më të madhe nga kjo nuk kisha dëgjuar deri atëherë, por nuk dija si të veproja se reagimi më i parë më çonte direkt në Burrel a Spaç. Ata më të mirët në botë për teknologjinë e eksplozivëve që ngritën një gjigant në tërë në Shqipëri, duhej të iknin si sabotatorë dhe agjent…

Kishte mbaruar konstruktimi i Mjeksit kur u larguan specialistët suedezë, më saktë kishte filluar nga prodhimi i eksploziveve…

Ata i larguan kur punimet në kombinat ishin drejt fundit, për të mos thënë se kishin mbaruar. Bile nga impiante të caktuara kishte filluar dhe prodhimi. Megjithatë, ekspertiza e tyre duhej dhe në vijim se kishim të bënim me procese shumë të rrezikshme e delikate. Pra, sipas nesh, kontributi i tyre ishte i domosdoshëm edhe për disa kohë, por kush na pyeti. Në atë valë pështjellimi dilnin dita-ditës të panjohura e procese që nuk shkonin sipas instruksioneve dhe të dhënave shkencore të katalogëve.

Të paktën sa isha unë aty me grupin e specialistëve bëmë çfarë është e mundur për të shmangur rreziqet që përball hap pas hapi kjo teknologji. Dhe deri diku ia dolëm. Kombinati filloi prodhimin e eksplozivëve që ishin shumë të kërkuara në tregun ndërkombëtar. Filluam ndërkaq dhe eksportet…

Pra, largimi i suedezëve nuk krijoi ndonjë shqetësim për funksionimin e Kombinatit…

Fakti se kombinati filloi nga prodhimi nuk do të thoshte se gjithçka ishte OK. Ekspertiza e teknologëve suedezë ishte e domosdoshme për ecurinë e proceseve komplekse të Kombinatit. Ata që urdhëruan largimin e tyre nuk kishin dijeni fare rreth teknologjisë që u montua aty dhe veçorinë e produkteve që dilnin nga Mjeksi. E vërteta është se largimi i tyre përdhunshëm solli probleme jo vetëm në funksionimin normal të proceseve teknologjike në kombinat, por dhe premisa për ngjarje të jashtëzakonshme…

Kur thoni premisa për ngjarje të jashtëzakonshme, çfarë keni parasysh?

Në fakt, teknologji të tilla kur nuk funksionojnë sipas rregullave shkencore sjellin pështjellime, madje dhe shpërthime vrastare, siç ka pasur raste në portin e Libisë dhe në një qytetet të Spanjës, ku janë shfarosur me dhjetëra e qindra objekte e pallate dhe kanë vdekur me qindra njerëz. Diçka e tillë desh na ndodhi dhe ne me një sasi të madhe ekzotoli, një lloj eksplozivi ky i cilësive shumë të larta. Një pakujdesi në menaxhim e prodhimit të tij, mund të hidhte në erë gjithë qytetin e Elbasanit. Ndërhyrja në çastet e fundit shmangu një tragjedi të paimagjinueshme…

Pra, një moment Elbasani ka qenë i rrezikuar nga një shpërthimin që do shfaroste tërë qytetin…

Në çastet e fundit është bërë ndërhyrja me urdhër të Kryeministrit që shmangu tragjedinë dhe shpëtoi Elbasanin…

Çfarë ndodhi konkretisht?

Nga mungesa e kontrollit dhe mosndjekja e përpiktë e instruksioneve përkatëse, kishte ndodhur që në një depozitë të vetme të përqendrohej një sasi prej 300 tonë ekzotol. Pra, një mal eksploziv që mund të shpërthente nga çasti në çast. Ishte kjo periudha kur unë kisha ikur nga Mjeksi dhe punoja në Institutin gjashtë të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fakt, rikthehesha herë pas here dhe në Mjeks.

Një ditë të bukur më kërkoi një tregtar çek që kishte ardhur për të importuar një sasi ekzotoli. Ai u bë shkak që unë të shkoja në Kombinat. Aty konstatova çmendurinë me mënyrën si ishte magazinuar gjithë ajo sasi ekzotoli në kundërshtim flagrant me kërkesat teknologjike. Dhe aty për aty me duart në kokë dhashë alarmin. Mbaj mend që ato çaste kam takuar në rrugë gazetarin Fahri Balliu dhe i kam thënë për rrezikun që paraqet për Elbasanin.

Çfarë thua, ia bëri ai, mos je çmendur. Jo, jo, i thashë po më ndihmo të kontaktoj sa më parë me Kryeministrin për të shmangur këtë rrezik të madh. I tronditur Fahriu më pyeti dhe një herë se cila pjesë e qytetit ishte më e rrezikuar. I tërë qyteti, i thashë, ka mbi krye një bombë bërthamore. Obobo, ia bëri, duke kujtuar që kishte dhe shtëpinë në Elbasan. Ashtu siç ishte i tronditur Fahriu e transmetoi lajmin te Kryeministri që operoi menjëherë duke shmangur një tragjedi të padëgjuar…

Kur e krahasoni sasinë treqind tonë ekzogjen me një bombë bërthamore, çfarë keni parasysh?

Një tërmet disa herë të më fuqishëm se ai i 20 nëntorit. Egzotoli është nga eksplozivet më të fuqishme, për të mos thënë më i fuqishmi. Zakonisht përdoret te kapsollat që shpërthejnë predhat, minat e bombat. Ka një shpejtësi detonimi tetë mijë metra në sekondë. Që do të thotë një shpërthim të jashtëzakonshëm, që hedh përdhe të gjitha pallatet dhe çfarë gjënë parura. Deshi zoti dhe me atë ndërhyrje energjetike të Kryeministrit Elbasani shpëtoi…

E gjitha kjo nga fakti se në depozitë nuk duhej të qëndronte një sasi kaq e madhe..

Patjetër nga kjo, por jo vetëm. Edhe mënyra si ishte ruajtur jashtë kushteve teknike në atë depozitë ishte tejet e rrezikshme…

Pastaj si e bëtë çaktivizimin e sasisë së ekzotolit?

Zakonisht sasia e tij ruhet në qese plasmani. Duke shtuar ujë në çdo njërën prej tyre e duke e shpërndarë krejt sasinë në arë mundëm t’i shmangemi rrezikut. Gjëja më e mirë ishte që banorët e Elbasanit nuk e morën vesh kurrë këtë rrezik të jashtëzakonshëm. Bile as Fahriu si njeri publik nuk e konsumoi me njeri. Ndryshe do kishte rënë një qytet i tërë në panik…

A keni pasur raste t’i takoni më vonë inxhinierët suedezë që bënë kombinatin e Mjeksit?

Pas asaj rrëmuje që ndodhi me largimin e tyre, nuk kam pasur raste të takohem me ta, me përjashtim të ndonjërit që e kam takuar rastësisht. Dhe kam folur me të gjëra e gjatë, edhe për ato që kufizohesha atëherë për arsye që dihen. I kam treguar dhe për ngjarjen me sasinë e ekzotolit që rrezikonte Elbasanin. Ai sa më dëgjoi vuri duart në kohë dhe aty për aty shqiptoi vetëm dy fjalë: U ka ruajtur zoti! Çudia e tij ishte e madhe, aq sa harroi të më fliste për përjetimet pas atij largimi brutal e të dhunshëm…

Me një fjalë pas asaj që ndodhi me largimin e tyre nuk keni pasur më kontakte..

Kam pasur një kontakt me njërin prej tyre në zyrën e Ilir Hoxhës, djalit të Enverit që ishte drejtor i Institutit numër 6. Bugberker e quanin, ishte një nga ekspertët me pozicionin më të rëndësishëm në hierarkinë e stafit të teknologjisë së eksploziveve të Suedisë. Ai erdhi aty kur unë po bisedoja për diçka me Ilirin. Përshëndetje zoti Granit, mu drejtua pa u përshëndetur akoma me drejtorin që rrinte në krye të tavolinës. Kjo i bëri përshtypje Ilirit dhe i tha mysafirit që ndjehej mirë që njihej me mua, një nga ekspertët më të njohur të fushës. Aty pastaj qëndruam gjatë duke folur për projektin më të ri që kishte nisur për ngritjen e një uzine për predha në zonën e Pëllumbasit në Tiranë…

Uzinë përshash në Pëllumbnas…

Po, po, bile me sa më kujtohet kishte përfunduar dhe projekti. Ishte koha kur bënim Donkishotin me maninë për t’u shquar si një superfuqi e vogël në Ballkan. Po filluan ato proceset e fundviteve ‘80 dhe uzina e famshme mbeti në letër…

Dhe një pyetje të fundit zoti Granit, cili ishte interesi i ekonomisë nga eksporti i produkteve të Mjeksit?

Nuk bëhet fjalë për një fitim të madh para atij investimi disa miliona dollarësh. Eksportet i bënim gati në kosto. Mbaj mend që kur u fut dollari në tregun shqiptar, unë bërë një përllogaritje të çmimeve kundrejt valutës. Aty konstatova se “Makina-Eksport” i kishte shitur gjatë tërë kohës eksplozivet TNT 800 dollarë për ton, ndërkohë që Suedia eksportonte këto lloj produktesh me 1200 dollarë për ton. Mungesa e leverdisë u bë shkas ta mbyllim prodhimin dhe eksportin e tyre. Prej andej filluam eksportet me të baruteve me Kroacinë me çmimin 1200 dollarë për ton.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular