‘Gërdeci’/Mediu: Të pyeten zyrtarë të SHBA e NATO-s, të dëshmojnë ish-ministrat e Gjermanisë, Italisë dhe Maqedonisë së Veriut

0
228

Ish-ministri Fatmir Mediu, ndaj të cilit rëndojnë akuzat “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” për tragjedinë e Gërdecit, ka pasur sot seancën e radhës gjyqësore.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Mediu kërkoi në Gjykatën e Posaçme pyetjen e 90 dëshmitarëve për llogari të procesit ndaj tij në këtë gjykatë. Mes tyre zyrtarë të lartë të mbrojtjes së DASH dhe qeverive, gjeneralë të NATO dhe ish-ministrat e Mbrojtjes së qeverisë shqiptare.

Këta zyrtarë të lartë kanë qenë në pozicione kyçe kur ka ndodhur tragjedia e Gërdecit. Mediu, në tentativa për të provuar pafajësinë e tij, parashtroi përmes mbrojtjes, kërkesën e tij.

Por përveç emrave të zyrtarëve të huaj, Mediu ka kërkuar që të dëshmojmë edhe ish-ministrave shqiptarë, mes tyre Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Besnik Mustafajit, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Besnik Bare, si gjeneralë dhe ekspertë të Forcave të Armatosura apo dhe ish-drejtorin e SHIK.

Ndërkohë, gazetarja Lala zbardhi detaje nga seanca gjyqësore, ndërsa theksoi se pas kërkesës së parashtruar nga mbrojtja e Mediut, pati debate të forta. Prokurori i çështjes pohoi se ishte e pamundur që të silleshin në seancë këta ish-zyrtarë të huaj.

 

 

Kujtojmë se në seancën e fundit avokatët e ish-ministrit kërkuan heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar, por gjykata u shpreh se këtë kërkesë ka të drejtë ta bëjë vetëm i pandehuri.