“Krimi në partneritet me pushtetin”- Lehtësimin i akuzave për Rrajat, sociologu Mërtiri: Pse nuk shkon Rama të denoncojë rastin në SPAK? Ata mbrohen nga lidhja me shtetin

0
214

Sociologu Ergys Mërtiri ka komentuar zbutjen e akuzave nga ana e Prokurorisë për anëtarët e fisit Rraja, të arrestuar pas dhunës së ushtruar në Fushë-Krujë për 2 kushërinjtë e fisit Maja.

Komentet Mërtiri i bëri në emisionin “Open” në News24, ku tha se anëtarët e fisit Rraja mbrohen nga lidhjet me shtetin.

Ai shtoi se në Shqipëri kemi një partneritet mes krimit dhe pushtetit dhe e quajti dhunën në Fushë-Krujë një krim shtetëror.

Sipas tij, nëse kryeministri Edi Rama nuk e mbështet krimin, atëherë përse nuk shkon vetë në SPAK që të dënoncojë rastin në fjalë?

“Duke parë se si këtu hyjnë dhe dalin nga burgu ose dënohen shumë pak, shihet se gjithçka është kopsitur në këtë mënyrë. Çfarë u zbulua këto 4 muaj, ekspertiza u bë në moment. Prokuroria duhet të hetojë nëse kanë patur pistoleta apo jo. Kjo mund të hetohet.

Edhe nëse plagosja është e lehtë, nëse ajo ndodh në mënyrë të organizuar nga një grup i tillë me histori kriminale, pse nuk trajtohet si vepër e një grupi të organizuar kriminal. Përse u filmua vepra, ishte për terror. Filmimi i veprës është një akt që e rëndon rastin më tej.

Kryeministri që thotë se nuk e mbështet krimin, pse nuk shkon vetë të denoncojë rastin në SPAK? Kjo ka lidhje me krimin shtetëror. Këta mbrohen nga lidhja me shtetin. Implikim i drejtpërdrejtë me kapjen e shtetit. Fakti që nuk e zbardh tregon që shteti është i përlyer.

Problemi qëndron tek fakti se sa krimi sundon në jetën tonë? Këtu krimi është i qetë i lirë dhe në partneritet me pushtetin”, u shpreh ai.