Pasditja e djeshme rezultoi të ishte e fundit për 34-vjeçaren Matilda Salla, e cila u përplas për vdekje nga një autoblind i kompanisë “Pelikani Security” Aksidenti i rëndë me pasoja fatale ndodhi në rrugën dytësore në kilomentrin e 5 të autostradës Tiranë-Durrës, tek mbikalimi.
Kanë qenë dëshmitarët ata që kanë raportuar ngjarjen e rëndë, duke u shprehur se e reja u përplas rreth orës 17:30 nga autoblindi i “Pelikani Security”, shoferi i së cilit u largua nga vendngjarja.
Sipas dëshmitarëve okularë, aksidenti është lehtësisht i vërtetueshëm, pasi në zonë ka shumë kamera sigurie të kompanive rrotull.
Ambulancës iu desh 25 minuta për të shkuar në vendngjarje, por 34-vjeçarja Salla nuk mundi të mbijetonte. Familjarët kanë shprehur dhimbjen e thellë për vajzën e tyre e cila kishte vetëm pak ditë që kishte mbushur 34 vjeç.
Një koment prekës duket i shkruar në llogarinë e Facebook edhe nga një familjare e Matildës, Enkeleda e cila shkruan: “Matilda Salla, shpirt, si do të tresi dheri ty, na helmove, mallkuar qoftë ai që të mori jetën”.