BallinaTe tjera“Klika e kalbur staliniste me terror, gjak dhe…”- Zbulohet trakti që alarmoi...

“Klika e kalbur staliniste me terror, gjak dhe…”- Zbulohet trakti që alarmoi Tiranën zyrtare në 1977: Hoxha dhe Shehu i kanë ditët e numëruara! Ka ardhur koha të këpusim prangat mizore të tiranisë

spot_img
spot_img

Nga Veli Haklaj

 -Veprimtaria e emigracionit politik shqiptar, kundër regjimit komunist të Tiranës-

Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, përveç të tjerave, solli dhe një rritje të emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar, në Jugosllavi, Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, Francë, SHBA, Kanada, Australi, etj. Grupimet kryesore në të cilat vepronte ky emigracion, ishin: Komiteti “Shqipëria e Lirë”, “Balli Agrar”, “Grupi i Legalitetit”, “Balli” i Ali Këlcyrës, Grupi i “Bllokut Indipendent”, “Shoqëria Letrare Shqiptaro-Amerikane”, organizata “Vatra”, organizata “Shqipëria e Lirë”, organizata “Heroizma Shqiptare”, organizata “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, organizata Vorio-Epiriote, organizata A.A.N.O., shoqata “Vëllazërimi turko-shqiptar” etj.

Në gjysmën e dytë të viteve ’70-të, të shekullit të kaluar, konstatohet një radikalizim i qëndrimeve të emigracionit politik shqiptar, e reflektuar kjo dhe në përmbajtjen e periodikut të organizatave të tyre (“Atdheu”, “Dielli”, “Flamuri”, “Lidhja e Prizrenit”, “Shejzat”, “Shqiptari i Lirë” etj.), veçanërisht të trakteve dhe fletushkave që hidheshin në Shqipëri, me anë të të cilave synohej ndërgjegjësimi i popullit shqiptar, për një veprim të armatosur për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nëpërmjet disa prej tyre, përcillet informacion dhe për format gjakatare të veprimit të strukturave të shtetit diktatorial në Shqipëri, nën drejtimin e nomenklaturës së kuqe, veçanërisht të dyshes; Hoxha – Shehu.

Duke u bazuar në përmbajtjen e tyre e, në të dhënat që dispononin, organet e specializuara në Shqipëri, arritën në përfundimin që këto materiale, ishin përgatitur jashtë shtetit, nga organizata antikomuniste e “Legalitetit”, me në krye Leka Zogun, nën drejtimin e zbulimit amerikan. Faktikisht, në fillim të viteve ’70-të, të shekullit të kaluar, emigracioni politik jashtë shtetit, filloi të riorganizohet për të intensifikuar veprimtarinë e tij, kundër regjimit komunist në Shqipëri, regjim që identifikohej me dyshen Hoxha – Shehu: organizata e “Legalitetit” në vitin 1972, zgjodhi “Këshillin Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike”, nën drejtimin e Leka Zogut; organizata “Heroizma Shqiptare” me në krye Ndue Gjonmarkaj, e krijuar në vitin 1965, nga zbulimi italian e Vatikani, në vitin 1975, mbajti kongresin e saj; ndërsa në vitin 1974, krerët e “Komitetit Shqipëria e Lirë”, nën drejtimin e zbulimit amerikan, krijuan në mënyre sekrete, organizatën “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, me në krye Rexhep Krasniqin.

“Legaliteti”, “Heroizma shqiptare” dhe “Fronti i Rezistencës”, duke patur të njëjtën platformë kundër-komuniste, përveç dërgimit të grupeve luftarake, për të kryer akte të mprehta dhe veprimtarisë kundër përfaqësive shqiptare jashtë shtetit, etj., në bashkëpunim me njëra-tjetrën, vunë në programin e tyre edhe shpërndarjen e materialeve propagandistike në Shqipëri.

Në një nga thirrjet e “Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike”, mbasi tregohej domosdoshmëria e krijimit të këtij këshilli, midis të tjerave theksohej: “Shqiptarë, përgatituni, dita e çlirimit po afrohet, regjimi gjakatar do të zhduket, Kosova e Çamëria janë tonat, shqiptarët e mërgimit janë vënë në lëvizje, mjaft me jetë mjerimi nën komunizëm, luftë qeverisë ateiste”.

Organet e specializuara të regjimit komunist, morën masa dhe orientuan detyra të posaçme në drejtim të të arratisurve që ishin aktivizuar e pritej të dërgoheshin në formën e grupeve të armatosura në Shqipëri, veçanërisht për ata që ishin aktivizuar nga Leka Zogu dhe “Fronti i Rezistencës”, që drejtohej nga Rexhep Krasniqi.

Profil i Rexhep Krasniqit

Rexhep Krasniqi, me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropojë), lindi në Gjakovë më 1906. Në qytetin e lindjes mbaroi katër vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Kreu liceun “Theresianum” të Vjenës (Austri) e cila ishte dhe gjithnjë është, një ndër shkollat më të njohura të Europës Qendrore. Më 1934, mbrojti doktoratën me temën; “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipnisë”.

Mbas përfundimit të studimeve, Dr. Krasniqi kthehet në Atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe gjeografisë, në shkollën qytetëse të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Më 1938, u transferua në Tiranë, ku emërohet Drejtor i Arsimit dhe më vonë Inspektor Epror, pranë po asaj ministrie. Në fund të vitit 1941, ai emërohet Komisar i Naltë i Shkollave Shqipe për Tokat e Lirueme dhe drejtor i Shkollës Normale “Sami Frashëri”, në Prishtinë, ku njëkohësisht dha mësimin e gjuhës gjermane. Më 1943 (12 shkurt – 28 prill), merr pjesë në qeverinë e Maliq Bushatit, si ministër sekretar shteti i Arsimit.

Në vitin 1943, zgjidhet nënkryetar i Asamblesë Kombëtare (Parlamentit) ku për të parën here, morën pjesë përfaqësuesit e zgjedhun me vota të lira (demokratikisht) ndër vise të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë (trevat e verilindjes shqiptare). Në këtë kuvend, shpallet bashkimi i tokave të zaptueme me shtetin shqiptar, si dhe pavarësia dhe neutraliteti i Shqipërisë, përkundrejt fuqive luftuese.

Dr. Krasniqi, u zgjodh dy herë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kur ajo drejtohej prej z. Musa Shehu e Xhafer Deva.

Me ardhjen e komunizmit në fuqi, i tha lamtumirën atdheut e, së bashku me “grupin kosovar” të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e mërgimit. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe prej andej, emigroi në Australi. Aty kah viti 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane, me marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qendër në New York dhe rizgjidhet Kryetar i Komitetit, të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht, deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Dr. Krasniqi është autor i një numri të madh studimesh të botueme shqip, anglisht dhe gjermanisht. Konferencat e tija akademike në universitete të ndryshme t’Amerikës e t’Europës, si dhe shkrimet e botueme në shtypin e mërgimit, sidomos në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, gazetën “Shqiptari i Lirë”, mund të përbëjshin disa blej (vëllime).

Lidhur me shërbimet e tij ndër shkollat shqipe, në Shqipërinë Verilindore, jashtë kufijve politikë të Shtetit Shqiptar, më 1994, prof. Krasniqi u dekorua prej Presidentit të Shqipërisë Demokratike Dr. Prof. Sali Berisha, me urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë. Prof. Rexhep Krasniqi, vdiq në New York, SHBA, më 13 shkurt të vitit 2000, duke i dhuruar Federatës “Vatra” me qendër në SHBA-ës gjithë bibliotekën e tij të pasur, si dhe mijëra faqe studime të klasit të parë, kryesisht në fushën e historisë dhe albanologjisë, të cilat presin për t’u botuar.

Thirrje popullit shqiptar nga “Luftëtari i Lirisë”, për rrëzimin e regjimit komunist

Fletushka me përmbajtjen më radikale në atë periudhe, ishte “Luftëtari i Lirisë”, organ i “Frontit të Rezistencës për Liri”, e cila botohej diku në gjirin e popullit të robëruar shqiptar, dhe në kopertinën e fundit, me siglën “Shumë Sekret”, kishte porosinë: “Lexoje, studioje, shpërndaje”. Në vijim, lexuesi do të njihet me pjesë të këtij dokumenti, përmbajtja e të cilit, alarmoi përfaqësuesit më të lartë të regjimit diktatorial në Shqipëri, në vitin 1977. Theksojmë se një popull që nuk nxjerr mësimet e duhura nga gabimet e të kaluarës, është i destinuar të vuajë në të tashmen, por dhe në të ardhmen.

 VDEKJE STALINIZMIT

  LIRI POPULLIT

                                                     LUFTËTARI I LIRISË

THIRRJE E FRONTIT TË REZISTENCËS ANTI-STALINISTE SHQIPTARE, PËR LIRI, DEMOKRACI DHE SOCIALIZËM

                      DREJTUAR POPULLIT TË ROBËRUAR SHQIPTAR PA DALLIM

                                                   POPULL SHQIPTAR!

Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, eklipsi i tiranisë staliniste, errësoi tokën e bukur dhe të shenjtë shqiptare. Një grusht aventurierësh – stalinistë, të kryesuar prej kriminelëve Hoxha – Shehu, të armatosur prej padronëve të tyre të parë, anglo-amerikanë, pa asnjë ide të qartë dhe filozofi politike, ata morën fuqinë në dorë, duke mbjellë terror, vdekje, uri dhe tirani të papame, në historinë shumë të vjetër të popullit shqiptar.

Me ardhjen e klikës staliniste në fuqi në vendin tonë, asgjë nuk ndryshoi në vendin tonë për përmirësimin e jetës së popullit shqiptar në përgjithësi: u larguan bejlerët e vjetër dhe vendin e tyre e zunë bejlerët e rinj, Enver Hoxha – Nexhmije Hoxha, Mehmet Shehu – Fiqirete Shehu, Hysni Kapo – Vito Kapo, etj., shumë ma terroristë dhe skllavëronjës se ata të parët.

Popull shqiptar!

Atje ku juve jetoni të grumbulluar në kooperativa, me imponim kundra vullnetit tuaj, përfund sistemit skllavëronjës stalinist e kryesuar prej klikës aventuriero-kriminale Hoxha-Shehu, “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare” për liri, demokraci dhe socializëm, i bën thirrje të gjithë popullit të robëruar shqiptar, pa dallim ideje dhe mendimi politik: koha ka ardhur për me forcue zemrat tuaja, të lodhura prej tiranisë Staliniste 30 vjet në vendin tonë, për me ngritë zërin tuaj të fuqishëm, kundra forcave të kalbura të errësirës staliniste në vendin tonë, për liri, demokraci dhe socializëm.

Klika staliniste e Tiranës, për me sigurue kolltukët e tyre të zhytur në gjak dhe djersë të popullit, transformuan Shqipërinë në një kamp përqendrimi vdekjeprurës, ku për 30 vjet sundon sistemi stalinist i tiranisë, uria, terrori dhe vdekja në qelitë e errëta të burgjeve, në kampet e punës së detyruar dhe në ato të internimit, ku 120.000 patriotë shqiptarë, burra, gra, fëmijë, pleq dhe plaka, u torturuan me metoda staliniste të terrorit; 19.000 prej tyre nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre, që i dashuronin aq shumë. Ata u mbytën me tortura kanibaleske, të konsumuara në trupin e tyre të pafajshëm. Këto krime janë kryer mbrapa perdes së gjakosur të klikës kriminale Hoxha-Shehu, pa dijeninë e popullit shqiptar.

Sundonjësit e Tiranës izoluan popullin shqiptar, prej gjithë botës, ata janë duke e mbajtur popullin të rrethuar me roje me tela me gjemba dhe dinamit, për mos me ditë se ç’ndodh jashtë kufijve të Shqipërisë së izoluar, 30 vjet me radhë. Ajo klikë mundohet me mbajt popullin përfund errësirës dhe injorancës me metodat e tyre staliniste: shtyp, terrorizo dhe sundo pa frikë.

Ideali i përjetshëm i klikës së Tiranës ka qenë, është dhe ka me qenë; mbrojtja e kolltukëve të tyre të gjakosur, sado gjak që kishte me i kostue popullit shqiptar. Përleshja e vitit 1959, ndërmjet N.S. Hrushov dhe klikës sundonjëse të Tiranës, nuk ishte asgjë tjetër, vetëm se përpjekje për mbrojtje kolltukësh.

Hrushovi (u bëri) një propozim klikës staliniste të Tiranës, për me ndryshua taktikat e tyre kundra popullit shqiptar dhe njëkohësisht ai bëri një tjetër propozim: – Klika Hoxha-Shehu, me u dhënë rast komunistëve të tjerë shqiptarë, për me udhëheqë partin dhe qeverinë. Një propozim i tillë, nuk u pëlqeu aspak Hoxha-Shehut, sepse një veprim i tillë, rrezikonte kolltukët e klikës së Tiranës. Për me shpëtue kolltukët e tyre prej rrezikut që paraqiste Hrushovi, klika Hoxha-Shehu, pa humbur aspak kohë, u detyrua për me u bë “Marko Polo” i dytë, këtë radhë shkuan dhe ju gjunjëzuan Mao Ce Dunit të Kinës staliniste të asaj kohe, master i tiranisë së 750.000.000 popull kinez.

Kur sundonjësit stalinistë të Tiranës, u siguruan prej kryetarit Mao, ata u kthyen në Tiranë, dhe pa humbur kohë deklaruan prishjen e tyre me N.S. Hrushovin dhe njëkohësisht miqësinë e re me Maon. Ajo klikë, për me justifikue aventurat e tyre të zakonshme para popullit shqiptar, arrestuan një grup oficerësh të ndershëm dhe të pafajshëm, të kryesuar prej admiral Teme Sejko, etj., të cilët u nxorën para gjyqit me dyer të mbyllura, pa ditë asgjë populli shqiptar dhe u pushkatuan prej klikës staliniste Hoxha-Shehu.

Të rinj dhe të reja shqiptarë!

“Fronti i Rezistencës Anti-staliniste” për liri, drejtësi dhe socializëm, i bën thirrje rinisë shqiptare për me ngritë zërin e saj të fuqishëm kundra klikës së kalbur terroriste staliniste, e kryesuar prej aventurierëve Hoxha-Shehu, armiq të betuar të popullit shqiptar. Rinisë shqiptare, i takon roli kryesor për organizimin e Frontit të Rezistencës Anti-staliniste në vendin tonë dhe me ndërtue një sistem demokrato-socialist të vërtetë, në vendin tonë, sistem i cili me gëzue të gjithë shqiptarët, pa dallim ideje dhe mendimi politik.

Për me jetue të lirë, të lumtur, të bashkuar dhe vëllazëruar, ashtu si jetonin të parët tonë. Mos u presjononi prej klikës së kalbur staliniste, qëndroni kryelartë me kurajo të fortë prej shqiptari, kundra klikës Hoxha-Shehu, e cila i ka ditët të numëruara. Mos u ekspozoni para agjentave të Sigurimit, mbroni dhe ndihmoni çdo shqiptar me tendenca demokrato-socialiste, anti Hoxha-Shehu. Klika staliniste e Tiranës, me terror, gjak dhe eshtra të popullit, ndërtoi kështjellën staliniste të tiranisë; me terror, gjak dhe turp, ka me përfundue para syve dhe zemrave të popullit shqiptar dhe historisë së tij.

Çdo shqiptar duhet me ditë se: – Koha ka ardhur për me u përgatitë, për me bë sakrificat e fundit supreme për liri, demokraci dhe socializëm, për me këputë pranga mizore të tiranisë staliniste, prej duarve të popullit të robëruar shqiptar dhe të familjeve tona. Për me ia mbërrijtë atij qëllimi të shenjtë, ne duhet për me u bashkue të gjithë bashkë, pa dallim mendimi politik dhe ideje, si një trup i vetëm, për me eliminua plotësisht nga faqja e dheut, klikën uzurpatore staliniste, e kryesuar prej kriminelëve të popullit shqiptar; Hoxha-Shehu. Veprimet armiqësore të asaj klike, janë veprime ilegale të një klike ilegale, klikë e cila erdhi në fuqi, me anë të pushkës kundra vullnetit të popullit shqiptar. Dhe si të tillë, ajo klikë duhet me u eliminua për jetë, me forcë të pushkës.

Populli shqiptar në përgjithësi, punëtori, fshatari, nëpunësi, rinia, studenti, ushtari dhe intelektuali, janë duke jetuar 30 vjet me radhë, të rrethuar me roje, dinamit dhe tel me gjemba, përfund errësirës staliniste, me dijenira shumë të pakta në të gjitha fushat, kulturore, shkencore, ekonomike, ideo-politike etj., populli shqiptar, nuk duhet me harrue shiun e terrorit stalinist në vendin tonë. Ai duhet me qëndrue ma i fortë se kurrë, sepse klikës së kalbur të Tiranës, është duke i shkarë dheu përfund këmbëve të tyre. Fitorja e luftës së popullit shqiptar për liri, bëhet e mundshme prej vetë shumicës së popullit, i cili lufton me heroizëm për liri kundra forcave të kalbura të errësirës staliniste në vendin tonë.

Populli shqiptar, në të ardhmen e tij duhet me ndërtue një sistem shoqëror demokrato-socialist, me zgjedhje te lira, populli me u bë udhëheqësi i fatit të vet, ne duhet me ndërtue sistemin e dy partive politike legale në vendin tonë. Organizata e jonë anti-staliniste, ka marrë përgjegjësira për çdo përfundim – rezultat që mundet me pasë si përfundim. Klika staliniste Hoxha-Shehu, deri tani kanë jetuar në sajë të mëshirës së fuqive të huaja. Ne mendojmë se asnjë shtet, qoftë i madh ose i vogël, nuk mundet me qenë i sigurt e i qetë, kur ai jeton në mëshirën e dikujt tjetër.

Popull shqiptar!

Zëri shqiptar që ra në fushën e nderit për liri, demokraci dhe socializëm, po ju thërret për me çue idealet e tyre në vend, për të cilat ideale ata ranë fli. Ideale të cilat u shkelën dhe u tradhtuan prej klikës tradhtare në fuqi, e kryesuar prej dyshes Hoxha – Shehu. Gjaku i bijve të popullit, u shkel. Shqipëria, populli dhe pasuria e tij, u bënë top futbolli duke kaluar në duart e shumë fuqive të huaja, 30 vjet me radhë, si pasojë e asaj politike të çmendur dhe aventuriere të klikës Hoxha-Shehu. Zgjedha e rëndë dhe mizerja, është duke rëndue dita-ditës edhe më shumë, në kurrizin e popullit të shumë vuajtur shqiptar.

Kështjella staliniste e tiranisë u ndërtue në vendin tonë me eshtra, gjak, djersë dhe ngashërime të popullit shqiptar pa dallim. Ajo kështjellë tiranie, nuk është kurgjë tjetër vetëm se një kala e ndërtuar prej letre, ku një erë e lehtë me e përshkue, ajo rrëzohet për tokë me turp dhe urrejtje, para syve dhe zemrave të popullit shqiptar dhe historisë së tij, për jetë. “Fronti i Rezistencës Antistaliniste”, për liri, demokraci dhe socializmë, në vendin tonë, i bën thirrje të gjithë popullit shqiptar pa dallim, për me qenë të gatshëm në alarm kurdoherë për sakrifica supreme, për sulmin vendimtar, kundra forcave të kalbura të errësirës staliniste në vendin tonë, të kryesuar prej klikës aventuriere kriminale, armiq të betuar të lirisë së popullit shqiptar, Hoxha-Shehu.

Bashkimi i popullit shqiptar rreth “Frontit të Rezistencës Anti-staliniste”, kishte me sjellë vdekjen e sigurt të asaj klike uzurpatore dhe fitoren e plotë të lirisë, demokracisë dhe socializmit për popullin shqiptar, që të ndërtojë të ardhmen e jetës së vet, të shkatërruar prej sistemit famëkeq kooperativist në vendin tonë, për 30 vjet të robëruar. Sistemi i një partie politike në shtet, e cila me udhëheqë dhe drejtue fatet e popullit, një sistem i tillë është ilegalo-kriminal, i një partie ilegalo-kriminale, i papajtuem me interesat e përgjithshme të popullit shqiptar dhe atdheut.

Klikës skllavëronjëse Hoxha-Shehu, është duke i shkarë dheu për fund këmbëve të tyre. Bashkë me atë klikë gjakpirëse të popullit shqiptar, ne duhet për me varrosë edhe sistemin skllavëronjës stalinist në vendin tonë, i cili ishte dhe vazhdon për me qenë i huaj, në mendje dhe zemër të çdo shqiptari. Injoranca dhe mos-studimi i mirë i dogmës staliniste, prej masave popullore në vendin tonë, u bë objekti kryesor për ardhjen në fuqi të klikës staliniste në vendin tonë. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular