Të panjohurat për tunelin nëntokësor të gërmuar nën Gjykatën e Lartë të Podgoricës, si u zbulua dhe kush janë 6 personat që e hapën! Në depo janë zhdukur…

0
151

E vetmja gjetje konkrete e hetimeve për tunelin nëntokësor që u hap në gusht mes bodrumit të një ndërtese banimi dhe Gjykatës së Lartë në qendër të Podgoricës, është se nga depoja e gjykatës janë zhdukur 19 armë.

Identiteti i gjashtë personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në gërmimin e tunelit ende është duke u hetuar dhe mësohet se është gjetur furgoni që ata përdorën.

Zyrtarisht ende nuk ka asnjë të dyshuar.

Ekzistenca e tunelit u zbulua më 11 shtator dhe tri ditë më vonë, Prokuroria Themelore filloi seancat dëgjimore të personave që mund të kishin informacione për bastisjen e depos, e cila u arrit përmes tunelit të gërmuar.

Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë shkelje serioze të sigurisë.

Në afërsi të tunelit ndodhet selia e Qeverisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi.

Karakteristikat e tunelit

Tuneli nëntokësor është rreth 30 metra i gjatë dhe rreth një metër i gjerë dhe po aq i lartë. Ai lidh bodrumin e ndërtesës së banimit – në rrugën “Njegosheva” në qendër të Podgoricës – me depon e Gjykatës së Lartë, midis së cilës ndodhet një rrugë.

Muret e tunelit janë të veshura me dërrasa, për të parandaluar shembjen e dheut dhe gurit. Lidhur me dheun, Velko Vasileviç, ekspert gjyqësor në fushën e ndërtimit, tha se ai ishte i butë, gjë që e bëri më të lehtë gërmimin.

Fundi i tunelit çon në depon e bodrumit të Gjykatës së Lartë, muri i së cilës është thyer në vendin ku ndodhen raftet me dosje. Hapja është, gjithashtu, pranë dhomës ku sillen dhe ndalohen të pandehurit para se të hyjnë në sallën e gjyqit.

Çfarë thonë pronarët e apartamentit?

Apartamenti është dhënë me qira në fund të korrikut dhe tuneli është zbuluar më 11 shtator. Supozohet se ai është groposur për një muaj e gjysmë, me shumë gjasa gjatë muajit gusht, ndërkohë që pjesa më e madhe e punonjësve të Gjykatës së Lartë ishin në pushime.

Pronarët u morën në pyetje nga Policia e Podgoricës. Pronarja tha se nuk i njihte personat që e morën me qira banesën. Është konstatuar se ata kanë përdorur dokumente false.

Aktualisht, policia nuk dyshon se pronari është i lidhur me këtë rast.

Si u zbulua tuneli?

Të hënën, më 11 shtator, zyrtarët e gjykatës zbuluan se dikush qëndronte në depo në bazë të rasteve të kontrolluara.

U njoftua policia, e cila ka nisur hetimet. Pas largimit të policisë, oficerët filluan inventarizimin e gjësendeve, gjatë të cilit u gjet një hapje pas raftit me lidhëse.

Çfarë ka në depon e Gjykatës?

Depoja përmban 100.000 sende, materiale provuese nga procese të shumta penale, lëndë gjyqësore, nëntë tonë drogë, 400 armë, municione, eksploziv…

Menjëherë pas hapjes së tunelit, kryetari i këtij institucioni, Boris Saviç, tha se “pothuajse asgjë nuk mungon”.

Kryeministri Dritan Abazoviç tha se janë zhdukur disa gjëra, përfshirë armët, gjë që ende nuk është konfirmuar nga gjykata.

Pas hetimeve, Prokuroria Themelore bëri të ditur se ende nuk dihet se çfarë ka humbur.

Zhvendosja e përgjegjësisë

Abazoviç bëri të ditur se hapja e tunelit nuk mund të bëhej pa ndihmës brenda Gjykatës së Lartë, gjë që ata e hodhën poshtë.

Gjykata njoftoi se punonjësit nuk janë të trajnuar për t’u marrë me sigurinë e ndërtesave dhe nuk është në përshkrimin e tyre të punës.

Disa palë akuzuan Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Drejtorinë e Policisë se janë përgjegjëse kryesore për dështimet e tyre, e që rezultuan me hapjen e tunelit.

Policia tha se nuk ka qasje në depo dhe as nuk i siguron ambientet e Gjykatës së Lartë.

Përgjegjësia për sigurimin e objekteve i takon departamentit të sigurisë personale në kuadër të Administratës së Policisë.

Kush është përgjegjës?

Përgjegjësia specifike i takon MPB-së dhe udhëheqjes së Gjykatës së Lartë, tha avokati nga Podgorica, Vesellin Radulloviç.

“Nëse shërbimet e sigurisë do të kishin bërë punën e tyre, do ta kishte të vështirë që dikush në qendër të qytetit, pranë institucioneve më të rëndësishme, të hapte një tunel 30 metra, pa informacion për vendndodhjen e depos. Atë informacion mund ta kishte dhënë dikush nga Gjykata e Lartë ose një person që e ka atë informacion”.

Radulloviç thekson se refuzimi i përgjegjësisë është praktikë në Mal të Zi.

“Përveç shkallës së lartë të papërgjegjshmërisë në këtë rast, kemi edhe pengim të hetimeve”, thotë avokati Radulloviç.

Vizita e kryeministrit rrezikoi rrjedhën e hetimeve?

Gjatë hetimeve nga ekspertët mjeko-ligjorë, Abazoviç, së bashku me ministrin e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme, vizituan vendin e gërmimit të tunelit dhe më pas depon e Gjykatës së Lartë.

Në një moment në depo ndodheshin të paktën dhjetë persona dhe nga videot shihet se edhe të pranishmit preknin objekte.

Prokuroria Themelore ka paralajmëruar hetim mbi bazën e të cilit është bërë vizita, pasi nuk është miratuar nga ai institucion.

Pyetja është nëse gjatë vizitës ata mund të kontaminojnë vendin e hetimit dhe potencialisht të rrezikojnë gjurmët.

Sipas rregullores, ndalohet qëndrimi në atë zonë gjatë hetimeve dhe ka një procedurë të qartë për asgjësimin e celularëve.

Abazoviq ka folur për vizitën në depo, duke thënë se miratimin për vizitën e ka marrë nga kryetari i gjykatës, Boris Saviç./REL