BallinaEkonomiINTERVISTA/Flet Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Shqiptare të Hotelierëve: Të hiqet dorë...

INTERVISTA/Flet Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Shqiptare të Hotelierëve: Të hiqet dorë nga vilat rezidenciale, turizmi të jetë i kombinuar

Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Hotelierëve

Një model i kombinuar mes turizmit me kosto të ulët dhe atij luksoz mund të ofrojë përfitim për vendin.

Për Zak Topuzin, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, strategjia e re e turizmit, që është duke u hartuar, duhet të përcaktojë në cilin drejtim do të shkojmë dhe fatmirësisht edhe një pjesë e mirë e vijës bregdetare mbetet e paprekur.

Modeli i vilave i zbatuar në një sërë projektesh, sipas tij, nuk është forma e duhur për të arritur potencialin turistik të vendit.

Nëse kjo qasje ndryshon në këtë moment të rëndësishëm për vendin, jemi në kohë për të marrë maksimumin.

Kombinimi i resorteve në bregdet me rivitalizimin e qendrave të banuara dhe shfrytëzimi siç duhet i burimeve natyrore mund ta kthejnë Shqipërinë në një destinacion të preferuar për një turizëm gjithëvjetor.

Ky është viti më i mirë turistik i Shqipërisë ku deri në korrik e kanë vizituar vendin 5.2 milionë të huaj. Cilat janë arsyet që kemi këtë dyndje drejt vendit tonë?

Një arsye është tendenca për të lëvizur pas një mbyllje dyvjeçare nga pandemia. Kjo solli një bum turistik në destinacionet kryesore të Europës.

Rritja e paargumentuar e çmimeve në vendet e BE-së me justifikimin e luftës në Ukrainë, ishte një arsye që solli çorientimin e tregut, duke synuar destinacione më të lira.

Shqipëria përfitoi nga kjo situatë, falë një PR të suksesshëm.

Duke qenë të papërgatitur për këtë lloj fluksi specifikisht në disa rajone të supermediatizuara, ndarjet e përshtypjeve të turistëve kanë qenë ekstreme. Si ndikojnë këto tendenca në të ardhmen tonë turistike në vazhdim?

Më shumë se 72% e të anketuarve lexojnë sistematikisht TripAdvisor përpara se të marrin një vendim për zgjedhjen e akomodimit, ose udhëtimit.

Reklamimi i Shqipërisë në media të rëndësishme ndërkombëtare dhe rrjetet sociale (pjesë e strategjisë për promovimin e turizmit nga AKT për 2023), si një ndër destinacionet që duhet vizituar për nga bukuritë por dhe i lirë, rritën interesin për vendin.

Sigurisht dhe epitete si “Maldivet e Europës” dhanë efektin domino, duke sjellë më shumë lëvizje individuale të të gjithë kategorive të turizmit, nga Gjenerata Z e deri te familje me fëmijë. Jemi të papërgatitur për këtë fluks në rritje të turizmit.

Na mungon infrastruktura turistike, duke filluar nga kapacitetet akomoduese, ajo rrugore, vuajmë administrimin e territorit, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e ujërave të ndotura etj.

Kemi një popullsi në largim dhe mënyra më e mirë është të përsosim cilësinë e shërbimeve dhe të rrisim standardet, duke moderuar numrin e hyrjeve.

Gati 79% e hyrjeve në Shqipëri janë në rrugë tokësore dhe kjo e bën alarmante përshtatjen e infrastrukturës rrugore, transportin interurban dhe shtimin e linjave alternative.

Janë lëvizje që sjellin më pak të ardhura dhe krijojnë probleme në imazh, pasi vendi është i papërgatitur

Ksamili dhe Saranda, që kanë qenë “imazhi” ynë turistik në promovimin ndërkombëtar, duket se po cilësohen shpesh pjesa më zhgënjyese. Pse po ndodh kjo dhe a ka të bëjë me shërbimin, çmimet apo mesazhin e gabuar me të cilin jemi promovuar?

Do ta etiketoja “një turizëm agresiv” me sezonalitet të lartë, një infrastrukturë kaotike e pa standardet minimale, që nuk u është përshtatur bukurive natyrore në kohë.

Rritja me disafish e fluksit të vizitorëve, sigurisht do të sillte pa diskutim një zhgënjim për vizitorët.

Vetë strukturat administrative, por dhe bizneset janë kapur të papërgatitura dhe besoj do të ketë pasoja në të ardhmen e destinacionit.

Cili është orientimi që duhet të ketë Ksamili? A mund të jetë ai një “ishull” elitar dhe çfarë duhet bërë për ta orientuar aty ku duhet?

Ksamili kërkon një “rikualifikim të territorit”, duke filluar me termin: Ku nuk duhet ndërtuar, duke vendosur piketa të qarta se cilat objekte duhen rikualifikuar, duke ruajtur arkitekturën lokale, cilat objekte duhet prishur, duke u lënë kohë të mjaftueshme pronarëve të transferojnë biznesin për 3-5 vitet e ardhshme.

Së fundi, më shumë kujdes mbi atë se ku duhet ndërtuar. Duhen parashikuar kredi të buta dhe grante që transformimi të bëhet me sa më pak dhimbje.

 

Himara dhe pjesa tjetër e Jugut duket se kanë pasur një ecuri më të qetë dhe një përshtypje të mirë te turistët. Cili është modeli i zhvillimit që duhet të ketë ky rajon dhe a është një shans i humbur potenciali elitar, duke qenë se modeli që kemi ngritur është ai i vilave dhe fshatrave turistikë?

Është zona më interesante dhe cilësore e vendit. Ka pak kapacitete akomoduese dhe me shumë hapësira për të rritur cilësinë.

Duhet një kombinim mes resorteve dhe vitalizimit të fshatrave. Kombinimi i tyre do të mund të zgjasë sezonin dhe do të mundësojë kthimin e banorëve vendas.

Modeli i Portugalisë i viteve ‘90 (100 fshatrat) është leksioni më i mirë për këto zona. Ndërhyrja e shtetit nuk ishte vetëm financiare, por edhe koordinuese.

U krijua një rrjet i infrastrukturës me kalatë e zonave, fermat bio, kantinat, shkollat artistike, agjencitë turistike e të tjera.

Kjo ndërhyrje e fuqishme nxit dhe galvanizon investimet turistike, duke e konsoliduar si zonë. Vazhdimi i ndërtimit të vilave do ta dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme.

Durrësi ka vijuar të ketë një turizëm të qëndrueshëm edhe këtë sezon dhe përshtypjet kryesisht kanë qenë pozitive (përjashto mbetjet dhe trafikun nga disa turistë që i vënë në dukje). Cila duhet të jetë e ardhmja e këtij rajoni për modelin që duhet të ndjekë?

Durrësi tashmë mund të konsiderohet “Hambari Turistik” i vendit. Gradualisht po fiton statusin e turizmit të qëndrueshëm me hotele dhe resorte me kontrata 180 ditë, duke dhënë shenja se shumë shpejt mund të kthehet në një nga polet e turizmit gjithëvjetor.

Shumë shpejt, bashkëpunimi Tiranë – Durrës do të krijojë një destinacion të vetëm, falë përqendrimit të lartë të produkteve turistike në këto qytete.

Rivitalizimi i plazhit në zonën Golem – Durrës, ngritja e dhjetëra strukturave të reja cilësore çdo vit, plotësimi i pedonales përgjatë gjithë bregdetit, përqendrimi i lartë i produkteve turistike, duke filluar me pishina, Spa, beach bare, atraksione për fëmijët, etj., e kanë kthyer zonën të lakmueshme për nivelin e mesëm.

Ndërtimi i Durrës Yachts & Marina do të plotësojë kushtet për t’u kthyer në zonë elitare një pjesë e rëndësishme e këtij destinacioni dhe do të lidhë përfundimisht Tiranën me Durrësin

Veriu është ende zona më ekonomike e turizmit në vend. Në Shëngjin ka disa modele me resorte të ngritura viteve të fundit dhe disa deklarata të qeverisë synojnë që ta bëjnë atë elitar (hotele me 5 yje Rana e Hedhun). A mendoni se ka mundësi për zhvillimin e turizmit elitar në Shëngjin apo Velipojë dhe duke qenë ende zona në zhvillim, ku duhet të orientohen këto modele turistike?

Sigurisht që zona ka potenciale për turizmin elitar. Europa është destinacioni kryesor i turizmit të luksit.

Turizmi elitar konsumon vetëm 2% të kapaciteteve akomoduese, por nuk mjafton vetëm të ngresh struktura luksoze.

Duhet të plotësohet destinacioni, ku infrastruktura rrugore dhe portuale janë të rëndësishme. Jemi në momentin kur duhet hequr dorë nga ndërtimi i vilave.

Shqipëria mbetet një destinacion i lirë, por duket se pritshmëria ka qenë që të ishim edhe më të lirë (përshtypjet nga forumet italiane dhe ndërkombëtare). A duhet vazhdojmë të marketohemi si vend i lirë apo duhet të ndryshojmë strategji?

Është koha më e përshtatshme për të përcaktuar qartë drejt cilit lloj turizmi duhet të synojmë. Po përgatitet Strategjia 2024-2030.

Kemi konsumuar pjesët më vitale të bregdetit, me ndërtime kaotike dhe mbushur me vila. Por për fat, kemi gati 1/2 e vijës bregdetare ende bosh.

Ka tre sinjale që vijnë nga Organizata Botërore e Turizmit që nga 2018:

1 – Turizmi do të jetë industria mbizotëruese në Europë, deri në 2030 do të ketë dyfishim të numrit të turistëve, për rrjedhojë duhen dyfishuar kapacitetet mikpritëse dhe sigurisht do të kërkohet shtimi i burimeve njerëzore të kualifikuara në këtë fushë.

2 – Do të trefishohen kërkesat për turizmin elitar. Europa siguron sot rreth 170 miliardë euro dhe mendohet që brenda viteve 2030-35 të trefishohet, duke shkuar në 540 miliardë euro. Dhe të mos harrojmë që Mesdheu është pjesa më vitale.

3 – Kina do të kthehet fuqishëm në tregun turistik europian në dhjetë vitet e ardhshme, duhet të përgatitemi seriozisht.

Një turizëm i kombinuar, duke fuqizuar gradualisht sektorin e turizmit elitar dhe atë të resorteve do të ishte një zgjidhje e perspektivës, pa lënë mënjanë vitalizimin e qendrave urbane dhe fshatrave bregdetarë, por dhe ata malorë.

Nuk mund të mburremi me numrin e hyrjeve në kufi. Sipas INSTAT, tipologjia e hyrjeve në vend është mjaft përcaktues, 70% e tyre janë me origjinë shqiptare, jo rezidentë.

Çdo ndryshim strategjie do të kërkojë hartimin e politikave dhe masave të mirëmenduara.

Shqipëria e ka të ardhmen te natyra – malet, luginat dhe te njerëzit që jetojnë aty me dashurinë e tyre, mikpritjen.

Sot është e vështirë të gjesh vende ku banorët vendas t’i japin mundësi turistit të njihet me traditat, zakonet dhe të jetojë ato pak ditë si vendas. Nuk duhet ta humbim këtë mundësi. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular