BallinaEkonomiBSH: Bankat perceptojnë më pak rrezik, kanë ulur marzhet mesatare të kredive...

BSH: Bankat perceptojnë më pak rrezik, kanë ulur marzhet mesatare të kredive në raport me normën bazë

Ecuria e mirë e aktivitetit ekonomik dhe përmirësimi i situatës financiare të bizneseve dhe të individëve, kanë krijuar një përqasje më pozitive të bankave ndaj kreditimit dhe reduktimin e rrezikut të perceptuar të kredisë për klientët apo projektet e mira.

Banka e Shqipërisë vlerëson se një nga arsyet që ka mbajtur të ulëta normat e interesit të kredive këtë vit është edhe evidentimi i rënies së primeve të përgjithshme të rrezikut. Ky konkluzion mbështetet në marzhet më të ulëta të normës së interesit të kredisë ndaj normës bazë dhe ndaj bonove të thesarit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, diferenca e interesit të kredisë ndaj normës bazë ka zbritur në 3.6 pikë përqindje në tremujorin e tretë, nga mesatarja prej 5.4 pikë përqindje e pesë viteve të fundit. Ndonëse në një masë më të vogël, marzhet janë ngushtuar edhe ndaj yield-it të bonos 12-mujore.

Banka e Shqipërisë vëren që, nëse këto dy marzhe nuk do të kishin ndryshuar nga mesataret e tyre të viteve 2017-2021, normat e interesit të kredisë do të ishin 0.8 – 1.8 pikë përqindje më të larta, duke reflektuar në një masë më të madhe rritjet e normës bazë të interesit

Nga ana tjetër, bankat vijojnë të kenë presione të dobëta nga ana e kostove të financimit në drejtim të rritjes së normave të interesit të kredisë. Edhe pse interesat e depozitave vijojnë të regjistrojnë rritje muaj pas muaji, këto rritje mbeten minimale.

Pas rritjes që pësoi në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, diferenca midis interesit të kredisë dhe atij të depozitave me afat qëndron aktualisht nën mesataren e viteve të fundit.

Interesat e kredisë së re në lekë kanë mbetur të qëndrueshme në nivele të ulëta gjatë tremujorit të tretë të vitit, me ndryshime margjinale në segmente të caktuara. Përtej luhatshmërisë mujore, normat e interesit të kredisë gjatë kësaj periudhe duket të jenë ndikuar nga ecuria rënëse e yield-eve të bonove të thesarit.

Analiza sipas kategorive evidenton se interesat e kredisë hipotekare për individë, të cilat janë të lidhura më ngushtë me yield-in 12-mujor dhe përçojnë në masë më të madhe ecurinë e tij, kanë qenë në rënie muajt e fundit.

Interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit është shfaqur i qëndrueshëm në tre muajt e fundit. Ai rezultoi 6.4%, i afërt me vlerën e shënuar në tremujorin e dytë prej 6.5%, dhe më poshtë se mesatarja e gjysmës së parë të vitit prej 6.9%.

Analiza sipas madhësisë së kredisë tregon se, krahasuar me fillimin e vitit, uljen më të madhe e kanë regjistruar interesat për kreditë e mesme e të mëdha (mbi 35 milionë lekë).

Interesi i kredisë hipotekare për individë ka vijuar të ulet edhe në tremujorin e tretë. Ai zbriti në 4%, nga 4.3% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Interesi i kredisë konsumatore ndërkohë ka regjistruar një ulje të lehtë, duke u ndalur tek 9.3%, nga mesatarisht 9.4% që ishte në pjesën e parë të vitit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular