BallinaSocialeUdhëzimi, përcaktohen kushtet për transferim nga arsimi i mesëm profesional, në gjimnaz...

Udhëzimi, përcaktohen kushtet për transferim nga arsimi i mesëm profesional, në gjimnaz dhe anasjelltas

Kalimi i nxënësve nga gjimnazi në një shkollë profesionale dhe anasjelltas, ka qenë gjithnjë objekt debati mes nxënësve dhe prindërve, me trupat pedagogjike dhe Ministrinë e Arsimit.

Nisur nga kjo problematikë, Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave, kanë nxjerrë një udhëzim të përbashkët, lidhur me përcaktimin e kushteve dhe procedurave për realizimin e transferimit nga arsimi i përgjithshëm (gjimnaz), në arsimin e mesëm profesional dhe anasjelltas.

Do të kenë të drejtë të transferohen në gjimnaz nxënësit që kanë përfunduar klasën e dhjetë të arsimit të mesëm profesional. Për ta bërë këtë nxënësit duhet të plotësojnë kriterin e moshës, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për sistemin arsimor parauniversitar.

Transferimi nga arsimi i mesëm profesional, në gjimnaz do të bëhet me miratim të Zyrës Vendore Arsimore Parauniversitare (ZVAP) përkatëse.

Procedurat e transferimit nga arsimi i mesëm profesional, në gjimnaz

Procedurat e transferimit fillojnë pas përfundimit të vitit shkollor dhe vijojnë deri në fund të muajit korrik. Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit, bën aplikimin online për transferim, nëpërmjet platformës e-albania, në shërbimin përkatës.

Atij i kërkohet dokumenti i identifikimit të nxënësit; dëftesa e klasës së 10-të të arsimit të mesëm profesional.

ZVAP-ja, ku është paraqitur aplikimi për transferim, jo më vonë se 5 ditë pune nga përfundimi i afatit për aplikim, vlerëson dokumentacionin e aplikimit dhe miraton ose refuzon kërkesën për transferim, nëpërmjet platformës e-albania.

Për rastet kur kërkesa refuzohet, ZVAP-ja duhet të argumentojë shkakun e refuzimit, të krahasojë planin mësimor të klasës së 10-të të arsimit të mesëm profesional që ka përfunduar nxënësi, me planin mësimor të klasës së 10-të të gjimnazit ku nxënësi dëshiron të transferohet.

Në rast se nga krahasimi i planeve mësimore, rezulton se në arsimin profesional ka të paktën 6 lëndë/module të pazhvilluara, atëherë nxënësi duhet të përsërisë klasën e 10-të.

Drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar, menjëherë pas marrjes së njoftimit zyrtar nga ZVAP-ja për transferimin e nxënësit, do të caktojë mësuesit e secilës lëndë të pazhvilluar ose të zhvilluar pjesërisht, për t’i dhënë nxënësit orientimet e nevojshme, për t’u përgatitur për kryerjen e provimeve për këto lëndë.

Provimet për lëndët e zhvilluara pjesërisht, kryhen vetëm për pjesën e programit mësimor të parealizuar, e cila përcaktohet nga mësuesi lëndor dhe miratohet nga drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar.

Nxënësi i kryen këto provime në sesionin e vjeshtës, sipas procedurave të përcaktuara për provimet e këtij sesioni. Nxënësi shtetas shqiptar apo i huaj, i cili transferon studimet nga arsimi i mesëm profesional i kryer jashtë shtetit, në gjimnaz, në Republikën e Shqipërisë, duhet të njohë dhe njehsojë dëftesën e përfundimit të klasës së 10-të. Ata nuk mund të ripërsërisin lëndë për të cilat janë vlerësuar njëherë.

Pas përfundimit të procedurave të transferimit, shkolla pritëse njofton zyrtarisht shkollën nga është transferuar nxënësi, për regjistrimin e nxënësit. Të dy shkollat bëjnë shënimet përkatëse në amëz. Dokumentacioni i transferimit ruhet në sekretarinë e institucionit arsimor parauniversitar dhe është objekt inspektimi.

Transferimi nga gjimnazi në shkollë profesionale

Transferimi i nxënësit nga gjimnazi, në arsimin e mesëm profesional lejohet vetëm brenda 3-mujorit të parë të klasës së 10-të. Ky rregull vlen edhe kur nxënësi ka ndjekur arsimin e përgjithshëm parauniversitar jashtë vendit.

Për t’u transferuar nxënësi duhet të plotësojë detyrimet e planit mësimor (lëndët dhe modulet profesionale) të drejtimit përkatës të arsimit të mesëm profesional ku kërkon të transferohet.

Nxënësit të cilët transferojnë studimet nga jashtë shtetit në Republikën e Shqipërisë, për periudhën e 3-mujorit të parë të vitit të parë të arsimit të mesëm të përgjithshëm, duhet të paraqesin programin mësimor të ndjekur në atë shtet, të përkthyer dhe noterizuar me vulë apostile.

Nxënësit duhet të plotësojnë kriterin e moshës të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për sistemin arsimor parauniversitar.

Procedurat e transferimit nga gjimnazi, në arsimin e mesëm profesional

Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit, bën aplikimin online për transferim, nëpërmjet platformës e-albania dhe paraqet dokumentin e identifikimit të nxënësit, si dhe vërtetimin e ndjekjes së gjimnazit nga data e fillimit të shkollës deri në momentin e aplikimit.

Vërtetimi përmban lëndët e zhvilluara, rezultatet për çdo lëndë, frekuentimin, si dhe masat disiplinore, nëse ka.

Drejtoria e shkollës së arsimit të mesëm profesional, ku nxënësi dëshiron të transferohet, brenda 5 ditë pune, nga kryerja e aplikimit, vlerëson dokumentacionin e aplikimit dhe miraton ose refuzon kërkesën për transferim.

Për të dy rastet, miratim apo refuzim, krahas njoftimit nëpërmjet platformës e-albania, njofton edhe zyrtarisht (me shkresë ose email) personin që ushtron përgjegjësitë prindërore.

Për rastet kur kërkesa refuzohet, duhet të jepet edhe shkaku i refuzimit. Në rast miratimi, njofton zyrtarisht drejtorinë e shkollës nga vjen nxënësi, për miratimin e transferimit.

Të dyja shkollat, transferuese dhe pritëse, bëjnë shënimet përkatëse në dokumentacionin shkollor sipas legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu, cakton mësuesit e lëndëve/moduleve profesionale të pazhvilluara ose të zhvilluara pjesërisht gjatë 3-mujorit të parë, të cilët do të mbështesin nxënësit për plotësimin e boshllëqeve në përgatitjen teorike dhe praktike profesionale.

Mësuesit, brenda tremujorit të dytë testojnë dhe vlerësojnë me notë nxënësit, për lëndët\modulet profesionale përkatëse.

Në përfundim të vlerësimit, mësuesit dokumentojnë dhe dorëzojnë në drejtorinë e shkollës rezultatet e vlerësimit, të cilat pasqyrohen në dokumentacionin shkollor. Dokumentacioni i transferimit ruhet në sekretarinë e institucionit arsimor dhe është objekt inspektimi.

Vlerësimi përfundimtar për lëndët e zhvilluara pjesërisht është mesatarja aritmetike e vlerësimit të shkollës nga vjen nxënësi, me vlerësimin e komisionit të shkollës ku nxënësi është transferuar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular