Rezultatet jo të kënaqshme të Përfaqësues së Kosovës, si dhe problemet në menaxhim në FFK, kanë shtuar zërat, por edhe dëshirat që frenat e drejtimit të futbollit “dardan” t’i marrë një legjendë e Kombëtares shqiptare, që vjen nga Gjakova.
Pikërisht bëhet fjalë për ish-kapitenin Kuqezi, që në 2016-ën me Shqipërinë bërë përfaqësimin e parë zyrtar të Kombëtares në Kampionatin Europian.
Dëshira është e madhe që Lorik Cana të marrë postin e presidentit të FFK-së, detyrë të cilën e ushtron Agim Ademi, por ish-mbrojtësi me një koment të lënë në një faqe, ku lakohej emri i tij për postin e lart në futbollin e Kosovës, i ka dhënë drejtim të ardhmes së tij.
Madje përgjigjja e Lorik Canës është shumë patriotike, pasi ai nuk e shikon veten as në federatën “dardane” apo atë shqiptare, derisa Kosova nuk bëhet Shqipëri. Pra, duket qartë që dëshira e kapitenit legjendar të kuqezinjve është për një unifikim të futbollit të të dy shteteve vëllezër, Shqipëri dhe Kosovë.
“Rri qetë vëlla, deri sa Kosova nuk bëhet Shqipëri, nuk më sheh as në FFK, as në FSHF…Unë i shikoi punët e mia dhe ti je i kënaqur…Deri atëherë të përshëndes! Të fala nga Gjakova!”.
Ky është mesazhi i lënë nga Lorik Cana për një komentues, ku shprehej dëshira që ish-kapiteni kuqezi, me një eksperiencë të shkëlqyer me skuadra të ndryshme dhe me emër në Europë, të marrë frenat e futbollit të Kosovës.
PANORAMASPORT.AL