Frika për një pandemi të re, Pneumonia misterioze prek fëmijët në Kinë. OBSH thirrje autoriteteve për transparencë

0
214

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka kërkuar Kinës më shumë informacione dhe transparenë për sëmundjet e frymëmarrjes që po përhapen në veri të vendit.

Që nga mesi i tetorit Kina veriore ka raportuar një rritje të “sëmundjeve të ngjashme me gripin” krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e mëparshme, tha OBSH.

“OBSH i ka bërë një kërkesë zyrtare Kinës për informacion të detajuar mbi një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe grupet e raportuara të pneumonisë tek fëmijët,” tha organi shëndetësor i OKB-së në një deklaratë sipas REL.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë u tha gazetarëve javën e kaluar se rritja e sëmundjeve të frymëmarrjes ishte për shkak të heqjes së kufizimeve të Covid-19, gripit dhe infeksioneve të zakonshme bakteriale që prekin fëmijët, duke përfshirë pneumoninë e mykoplazmës.

Kryeqyteti kinez aktualisht po përjeton një krizë të ftohti me temperatura që pritet të bien nën zero deri të premten. Qyteti ka “hyrë në një sezon të rritjeve të rasteve të sëmundjeve infektive të frymëmarrjes”, tha për mediat shtetërore Wang Quanyi, zëvendësdrejtor dhe eksperti kryesor epidemiologjik në Qendrën e Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Pekini “aktualisht po tregon një prirje të bashkëjetesës së shumë patogjenëve”, shtoi ai.

OBSH nuk dha asnjë tregues për përgjigjen e Kinës ndaj kërkesës për më shumë informacion. Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga AFP të enjten. Dhe zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Pekinit, Mao Ning, i referoi gazetarët tek “autoritetet kompetente kineze.

Më 21 nëntor, media dhe sistemi i mbikëqyrjes së sëmundjeve publike ProMED raportoi grupe të pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët në veri të Kinës. OBSH tha se ishte e paqartë nëse raporti i ProMED kishte lidhje me konferencën për shtyp të autoriteteve dhe se po kërkonte sqarime.

Agjencia gjithashtu “ka kërkuar informacion shtesë mbi tendencat e fundit në qarkullimin e patogjenëve të njohur, duke përfshirë gripin, SARS-CoV-2 [virusin që shkakton Covid-19], RSV që prek foshnjat si dhe shkalla e mbipopullimit në sistemin shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Ai u bëri thirrje njerëzve të marrin masa parandaluese, duke përfshirë vaksinimin, mbajtjen e distancës nga njerëzit e sëmurë dhe veshjen e maskave.

Thirrje për transparencë

Gjatë pandemisë Covid-19, OBSH kritikoi vazhdimisht autoritetet kineze për mungesën e transparencës dhe bashkëpunimit. Më shumë se tre vjet pas zbulimit të rasteve të para në Vuhan, debati i nxehtë vazhdon ende rreth origjinës së Covid-19.

Shkencëtarët janë të ndarë midis dy teorive kryesore sa i përket shkaktarit: një rrjedhje nga një laborator në qytet ku po studioheshin viruse të tilla dhe një kafshë që infektonte njerëzit në një treg lokal.

Në fillim të këtij viti, ekspertët e OBSH-së thanë se ishin të sigurt se Pekini kishte shumë më tepër të dhëna që mund të hidhnin dritë mbi origjinën e Covid-it dhe ndarjen e informacionit e quajtën një domosdoshmëri morale.

Një ekip specialistësh i udhëhequr nga OBSH dhe i shoqëruar nga kolegë kinezë hetuan Kinën në fillim të vitit 2021 dhe zyrtarët e OBSH vazhdimisht kanë kërkuar të dhëna shtesë. Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka theksuar se arritja në fund të misterit mund të ndihmojë në shmangien e pandemive të ardhshme.