Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” per Stiljan Pashon, ish drejtorin e kufirit, i cili u arrestua disa ditë më parë për trafik droge.
Pasho shfrytëzoi detyrën e tij në intervale të ndryshme kohore, por në datën 27 Nëntor ka favorizuar një shtetas të kalojë kufirin pa iu nënshtruar kontrollit duke kaluar drejt Greqisë 26 kg lëndë narkotike.
Në komunikatën e së enjtes thuhej se “kryekomisari me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin e tij, në intervale të ndryshme kohore dhe së fundmi, në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin me iniciale L.L., të kalojë kufirin në Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet, si dhe ka urdhëruar vartësit e tij për mos kryerjen e kontrollit të mjetit”.
Shtetasi i cili u favorizua nga Pasho, u kap nga autoritetet greke me 26 kilogramë lëndë narkotike në automjet. Masën e përjashtimit, Policia e Shtetit e lajmëroi dje me anë të një njoftimi zyrtar, ndërkohë që pamjet e kamerave në pikën kufitare kanë fundosur kryepolicin kufitar.
Mjeti i trafikantit të drogës duket teksa kalon e pa ndaluar fare për kontroll, ndërkohë që policia fokusohet te një mjet tjetër që po kalonte në pikën doganore.