“Më ka mbetur peng”- Samanta Karavella zbulon arsyen pse u tërhoq nga Festivali i RTSH-së: Nuk m’u lejua performanca, kënga ishte ritmike dhe…

0
184

Këngëtarja Samanta Karavella ka zbuluar arsyen e vërtetë se pse u tërhoq nga “Festivali i Këngës”.

Sipas saj, kënga ka qenë tepër ritmike dhe për këtë arsye nuk i është lejuar performanca, që siç u shpreh ajo do të krijonte një atmosferë në Pallatin e Kongreseve.

“Ka pasur shumë spekulime ndaj festivalit, për mua ishte një temë që nuk dua ta cekja aspak por kam një sqarim për publikun tim, që e ka pritur rikthimin tim në festival. Pjesëmarrja e parë ka qenë që 14 vjeç. Kënga që unë kam zgjedhur në festival, që e kam krijuar për 2 ditë sepse ishte ajo energjia që dua të shkoj, është një këngë me potencial dhe ritmike.

Kënga fillonte me ‘eagle’ (shqiponjë), edhe do krijonte atmosferë të paparë në “Pallatin e Kongreseve”, mua më ka mbetur shumë peng. E vërteta është që nuk m’u lejua performanca, dhe unë nuk mund ta këndoja atë këngë ritmike pa performancë. Këto ishin kriteret e festivalit këtë vit. Nuk iu lejua askujt.”, tha këngëtarja në emisionin  “Më ler të flas” në Tch.

Një koment, Samanta kishte edhe për hipotezat e hedhura se fituesi është paracaktuar.

“Këto janë spekulime, mediat e flasin gjithmonë, edhe kur bëhet fjalë për një artist me emër mund të ishte edhe emri im. Nuk di asgjë rreth kësaj, uroj që të jetë zgjedhja e publikut”, tha Samanta.

Ndërkohë artisti dhe këngëtari i njohur për shqiptarët, Sardi ka konfirmuar lajmin se edhe ai është tërhequr nga gara në Festivalin e Këngës në RTSH.

Këngëtari u shpreh se është larguar nga gara për arsye personale në lidhje me festivalin drejtpërdrejt, por duke shtuar se nuk mund të ndante detaje.

“Jam tërhequr për çështje personale në lidhje me festivalin. Megjithatë, jam shumë i emocionuar tani, mbase mund të flas ndonjë fjalë gabim dhe s’do të doja të shprehesha gabim. Por do ta sqaroj, do ta sqaroj në vazhdim…”, – tha Sardi duke e lënë me kaq, por duke konfirmuar se edhe ai, tashmë ka vendosur të tërhiqet nga Festivali.

Më herët nga kjo garë është tërhequr edhe Kejsi Tola.